Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka
Në Durrës politika dhe krimi janë bërë një.
Këtë model Edi Rama e ka ngritur kudo njësoj – në Durrës, Elbasan, Tiranë.
Formula është “përdor krimin dhe paratë për të marrë zgjedhjet. Më pas, me pushtetin e fituar pasurohu për vetë pasuro dhe krimin”.
Modeli dhe formula provohen nga përgjimi që disponon Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku Vangjush Dako është regjistruar gjatë zgjedhjeve, duke u premtuar tendera kriminelëve më të rrezikshëm të Durrësit në këmbim të blerjes së votave.
Por Edi Rama dhe Vangjush Dako nuk u japin asnjë shpjegim shqiptarëve. Qëllimi i tyre është të heshtin derisa të kapin plotësisht Prokurorinë.
Marrja nën kontroll e prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë e bën Vangjush Dakon të ndjehet i paprekshëm. Edi Rama po e trajton Kryetarin e Bashkisë së Durrësit njësoj si Saimir Tahirin. Po i jep mbrojtje politike nga drejtësia, sepse gjithçka dhe të gjithë lidhen me Edi Ramën.
Me Edi Ramën lidhet krimi nëpërmjet Saimir Tahirit, Qazim Sejdinit, Vangjush Dakos, Agron Xhafajt. Drejtësia do të jetë e pafuqishme ndaj tyre derisa në krye të qeverisë të jetë Edi Rama. Vetëm me largimin e Edi Ramës do të ketë garanci për luftën kundër krimit të organizuar.