Me nismën e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë do të zhvillohet në 4 dhjetor një mocion me debat për masat kundër dhunës në familje.
Pjesë e këtij debati është edhe një rezolutë e propozuar nga Partia Demokratike me nisma konkrete që, nëse zbatohen nga insitucionet përgjegjëse, do të reduktojnë ndjeshëm dhunën në familje.
Nismëtarë të rezolutës janë 10 deputetë demokratë, mes të cilëve edhe Kryetari I Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Debati i 4 Dhjetorit përkon me Ditët ndërkombëtare të Sensibilizimit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, 25 Nëntor- 10 Dhjetor.
“Këto janë ditët, kur ne nuk duhet të heshtim. Këto janë ditët për të reaguar njëzëri kundër dhunës qeveritare, që fillon nga Kryeministri edhe përhapet si epidemi në të gjitha format e saj në cdo institucion!” – u shpreh Albana Vokshi, një nga hartueset e rezolutës së paraqitur nga Partia Demokratike.
Zonja Vokshi vë në dukje se “nëpërmjet propagandës qeveria po tenton të mbulojë dështimin spektakolar të saj për të mbrojtur gratë e fëmijët, pa kërkuar ndjesë se në 4 vite qeverisje nuk arritën të mbrojnë asnjë viktimë të dhunës në familje, një prej tyre edhe gjykatëse”.
Një aspekt tjetër i dështimit të qeverisë, sic shkruan zonja Vokshi në një status në facebook, është mbrojtja e fëmijëve dhe grave, që trafikohen dhe shfrytëzohen prej 5 vitesh në fushat me kanabis dhe në landfillet e plehrave.
“Qeveria ka dështuar vendosë nëfunksionim mekanizmin për mbrojtjen e grave nga dhuna, sepse Policinë dhe institucionet i vuri në shërbim të trafikut të drogës dhe bandave kriminale”- theksoi Albana Vokshi.
Rezoluta e PD shpreh shqetësimin se:
Qeveria dhe pushteti vendor kanë dështuar të marrin masat e duhura dhe të nevojshme, për reduktimin dhe parandalimin e dhunës në familje, si dhe për bashkrendimin e punës midis tyre për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Qeveria s’ka ndertuar asnjë mekanizëm efikas për parandalimin e dhunës në familje.
Prandaj, rezoluta e PD kërkon:
– Mbikqyrje të fortë parlamentare dhe trajtim të denoncimeve për dhunën në familje;
– Brenda 15 diteve Kuvendi krijon Komision te Posacëm për trajtimin ligjor të fenomenit;
– Brenda 60 ditëve qeveria të bëjë analizen, të paraqesë të dhënat, të krijojë rregjistrin kombëtar për dhunën në familje;
– Përcaktim me ligj të një strukture të vetme përgjegjëse me qëllim parandalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së vimtimave;
– Përjashtim me ligj nga amnistia dhe nga rrethanat lehtësuese gjatë gjykimit për krimet në familje;
– Rishikim për masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje për moslejimin e bashkëjetesës në një mjedis të dhunuesit dhe viktimës;
– Rishikimin e mekanizmave për mbrojtjen e viktimës dhe vënien në dispozicion të mjeteve të nevojshme për rastet e rrezikut për jetën, duke mirëpërcaktuar detyrimet e Policisë së Shtetit, përcaktimin e personave përgjegjës që marrin përsipër të mbajnë nën kontroll dhunuesin, si dhe aplikimin gjerësisht të mbikqyrjes elektronike për rastin e dhunuesve brenda familjes.
Albana Vokshi apelon që këto ditë të përdoren nga gratë dhe vajzat si ditë reflektimi për të shtuar aktivizimin në mbrojtje të të drejtave të tyre, familjes dhe femijeve të tyre.