Basha: Tërhiquni nga shkelja e Kushtetutës! 

Berisha: Mohimi i së drejtës së fjalës duke përdorur Gardën, është shpallje lufte në Parlament! 

Basha : Edi Rama si Adolf Hitler. Qytetarët si gardianë të Kushtetutës, kanë të drejtë të marrin në dorë fatin e tyre! 

Ndërhyrja e parë e Lulzim Bashës:

Zonja dhe zotërinj,

Të dashur bashkëqytetarë që na ndiqni nëpërmjet ekranit,

Të nderuar protestues, që jeni mbledhur jashtë kësaj salle.

Sot është një ndër ditët më dramatike për këtë Parlament, një nga ditët më të rënda për demokracinë 27 vjeçare, një nga ditët më të ështira për qytetarët shqiptarë që duan një vend demokratik ku respektohet ligji dhe Kushtetuta.

Sot, në dhunim flagrant të Kushtetutës, shumica parlamentare po kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon. Akoma më keq, që e ka të ndaluar ta prekë, e ka të ndaluar t’i afrohet. Kjo është një seancë antikushtetuese.

Sot në mënyrë tinzare ju po bëheni gati për një grusht të mirëfilltë shteti.

Prej shekujsh, Perëndimi, Europa, SHBA, shembujt e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, e kanë sanksionuar qartë, ndarjen e  pushteteve si themelin e demokracisë, si themelin e vetë lirisë së çdo individi.

Legjislativi, ekzekutivi dhe drejtësia, janë dhe duhet të jenë të ndarë nga njëri- tjetri. Kjo është arsyeja se pse Kushtetuta e Shqipërisë dhe Reforma në Drejtësi, e cila është e gjitha e mishëruar në këtë Kushtetutë, ia ndalon shprehimisht, një force të vetme politike emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Nenet e kësaj kushtetute janë të qarta dhe ju jeni paralajmëruar vazhdimisht gjatë këtyre javëve të zeza për demokracinë, për kushtetutshërinë dhe për Reformën në Drejtësi, të mbani duart larg pushtetit të tretë, pushtetit të drejtësisë.

Jeni paralajmëruar të mos vazhdoni më pengimin dhe bllokimin e hetimeve për Sajmir Tahirin, për Vangjush Dakon, për Qazim Sejdinin, për dosjet e korrupsionit të ministrave për konncesionet, për inceneratorët, për qindra milionë euro të shqiptarëve,të vjedhura e të shpërdoruara sipas dokumentave zyrtare të këtij shteti. Por ju jeni të vendosur të shkelni Kushtetutën për të mbrojtur veten tuaj, për të mbrojtur pushtetin tuaj të paligjshëm dhe për të mbrojtr pasuritë tuaja.

Ky është çasti i fundit ku në emër të Kushtetutës ju kërkoj të tërhiqeni!

Kushtetuta është arsyeja përse ekziston ky Parlament, dhe jo anasjelltas. Ky është urdhëri i popullit, bindjuni atij, ose përndryshe përballuni me pasojat!

 

Ndërhyrja e Sali Berishës pasi Garda u urdhërua t’I ndalojë fjalën:

 

Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij Parlamenti. Një deputeti i jepet fjala, një kryehorr, një pispisi, një fundërrinë që do sot të bëhet kryeprokuror, fut Gardën në një akt të pashembullt për të ndërprerë të drejtën e fjalës të cilën e mora në përputhje të plotë me procedurën. Me këtë akt, ky horr shpall luftë në Parlament dhe të jetë i bindur që do t’i qëndrojmë dhëmb për dhëmb dhe fije për fije kryepisit të Shqipërisë, kryehorrit të Shqipërisë, atij që kërkon sot të bëhet edhe kryeprokuror i Shqipërisë.

 

 

Ndërhyrja e dytë e Lulzim Bashës:

 

Gramoz Ruçi, Ke një kërkesë të drejtuar nga unë në emër të gjithë opozitës parlamentare, ke një kërkesë me shkrim  institucionale nga tre grupet parlamentare opozitare. Dhe jo vetem kaq. Është detyra jote, e gjithësecilit prej nesh në këtë salle të mos lejojmë dhunimin e kushtetutës.

Kushtetuta është arsyeja pse jemi ulur sot këtu. Kushtetuta është arsyeja pse ka parlament dhe jo Parlamenti pse ka Kushtetutë. Kushtetuta ta ndalon shprehimisht të bësh aktin që ke futur në rendin e  ditës, kapjen e Prokurorit të Përgjithshëm me votat e një partie politike. Reforma në drejtësi ta ndalon të kapësh Prokurorin e Përgjithshëm, reforma në drejtësi që kaloi me 140 vota dhe me përkrahje politike totale kombëtare dhe ndërkombëtare ta thotë shprehimisht se Prokurori I Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet me më pak se 3/5 e votave se Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet pa vetting. Ndaj, kërkesat i ke dhe mbi kërkesat ke urdhrin sublim të sovranit, të shkruar në kushtetutë të zezë mbi të bardhë, tërhiqu nga shkelja e kushtetutës, tërhiqu nga tentativa për puç kushtetues, përndryshe opozita brenda dhe qytetarët jashtë nuk kanë rrugë tjetër, por të qëndrojnë me të gjitha forcat dhe mjetet në mbrojtje të kushtetutës.

 

Ndërhyrja e tretë e Lulzim Bashës :

 

Ju shikoj, unë, ju shikojnë shqiptarët, ju shikon bota, dhe më në fund e kuptojmë se sa qesharakë jeni kthyer, se çfarë skllevërie të krimit ju ka kaptuar shpirtin. Si mundet të ngrehni kartonat ju në një votim të thjeshtë procedure për të shkelur Kushtetutën. Edhe Adolf Hitleri u kujdes për forma më shumë se ju, kur shkatërroi pluralizmin politik dhe demokracinë gjermane, me konsekuence fatale për botën dhe Europën, edhe për vendin tonë. Kush mendoni ju se jeni?! Të ngrehni kartonat për të ndryshuar me vullnetin tuaj të ndrydhur nga paratë e drogës, krimit dhe korrupsionit vullnetin e shqiptarëve që e përfaqëson vetëm Kushtetuta e Shqipërisë. Nuk ka shans!

Kushtetuta jua thotë qartë; nuk e keni këtë të drejtë! Ju doni ta merrni me zor! E pra dijeni se gardianët e Kushtetutës, qytetarët shqiptarë, kanë çdo të drejtë të marrin në dorë fatin e tyre nëse ky Parlament dhe kjo shumicë kukull e krimit dhe e drogës vendos të shkelë dokumentin themeltar që ndaj të drejtën nga e keqja, paqen nga lufta.

Ne nuk do të lejojmë në asnjë sekondë të kthehemi në një fasadë të këtij veprimi antikushtetues. Thirrini mendjes, tërhiquni tani nga shkelja e Kushtetutës përndryshe do të përballeni me të gjitha pasojat që përballet autokrati kriminal kur shkel urdhrin e sovranit. Kushtetuta është urdhër i popullit dhe ju keni detyrimin e padiskutueshëm t’i bindeni e ta zbatoni. Tërhiquni tani nga shkelja e Kushtetutës ose përndryshe deklaroni vdekjen përfundimtare të këtij Parlamenti.