Deputeti Luan Baçi ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme të shtetit në fshatrat e Fierit të përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit. Në njësinë Frakull veçanërisht në fshatrat Darzezë dhe Ferras, nga përmbytjet janë shkaktuar dëme të mëdha. Me dhjetëra banesa janë dëmtuar nga niveli i konsiderueshëm i ujit, janë përmbytur ferma, ku si pasojë janë dëmtuar me dhjetëra hektarë të mbjella me produkte bujqësore.
Në takim me fermerët dhe banorët e fshatrave ata i kërkuan deputetit Baçi që të rifillojë sa më parë furnizimi me energji elektrike dhe ujë, për të patur kushte bazike të jetesës. Zoti Baçi theksoi që në këto zona të izoluara nga uji, pas kalimit të emergjencës, nisja e riparimit të dëmeve, është një domsdoshmëri primare. Ndër të tjera ai kërkoi që Ministria e Shëndetësisë si masë emergjente, të ngreje shërbime të lëvizshme mjekësore të domosdoshme për fëmijët dhe të moshuarit.