Deklaratë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho
Më 2 Shtator 2016 Partia Demokratike bëri publik faktin se Edi Rama i dha mikut dhe klientit të tij, Besos së Tajvanit, kompaninë Armo. Në atë kohë, Partia Demokratike deklaroi se kompania e pretenduar nga qeveria si investitor i fuqishëm amerikan ishte një kompani guackë, që përdorej për të mbuluar aferën korruptive me ARMO-n të Edi Ramës, Damian Gjiknurit dhe Arben Ahmetajt.
Partia Demokratike paralajmëroi që në shtator 2016, se skema e përdorur nga qeveria për të vjedhur nëpermjet ARMO-s, do të përfundonte me falimentim, prej të cilit përfitojnë pronarët, Rama, Beso, Gjiknuri, Ahmetaj, por jo shqiptarët.
Gjithçka ne denoncuam po ndodh sot.
Arben Ahmetaj njoftoi falimentimin e kompanisë ARMO dhe nxjerrjen në rrugë të 1200 kryefamiljarëve, pa dhënë llogari pse ka lejuar që ARMO të mos paguajë taksa gjatë kohës së shfrytëzimit nga miku i Edi Ramës.
Gjatë vitit 2017 ARMO prodhoi 156 000 ton naftë me një xhiro prej 200 milion euro. Nafta u shit, por detyrimet në taksa prej 50 milion euro nuk u paguan në buxhetin e shtetit.
Përveç kesaj, qeveria e Edi Ramës i ka falur kësaj kompanie edhe 100 milion euro të tjera detyrime të prapambetura dhe të papaguara në buxhetin e shtetit.
Qeveria mashtroi dhe u dha kohë pronarëve fasadë të largojnë fitimet nga llogaritë, kur në dhjetor 2017 Gjiknuri dhe Ahmetaj garantuan vazhdimin e punës nga kompania dhe pagimin e detyrimeve të prapambetura përfshirë pagat e punonjësve.
Edhe një muaj më parë, Partia Demokratike paralajmëroi që nuk kishte asgjë të vërtetë në këtë pohim dhe se 1200 familje do të hidheshin në rrugë prej korrupsionit qeveritar të Ramës, Ahmetajt dhe Gjiknurit.
Si një qeveritar që nuk i jep llogari qytetarëve, për shkak të pushtetit të blerë, Ahmetaj u sugjeroi me cinizëm 1200 naftëtarëve të regjistrohen në zyrën e punës për të gjetur punë dhe për të marrë ndihmën ekonomike.
Ky është një rast i rëndë korrupsioni qeveritar ku peshkaqenët jo vetëm gllabëruan naftën e vendit dhe futen në xhepa fitimet nga shitja e saj por shpallin falimentin dhe hedhin në rrugë të madhe mijëra punonjës.
Ka vetëm një rrugë për 1200 punonjësit dhe familjarët e tyre të hedhur në rrugë. Ka vetëm një rrugë për të gjithë ata që poshtërohen nga qeveria dhe nuk gjejnë zgjidhje prej saj, të bashkohen me opozitën në 27 Janar në Tiranë në protestën kundër kësaj qeverie hajdutësh dhe kriminelësh, të cilët për pasurimin e tyre nuk njohin asnjë kufi.