- E vetmja politikë ekonomike është grabitja e pasurive të vendit nga Edi Rama dhe bandat plaçkitëse e klientëve të tij. 13 mijë biznese mbyllën dyert vitin e kaluar. 50 në ditë.
- Sot unë dua t’ju them bizneseve të vogla, se nëse nuk reagoni, nesër do të jeni të gjithë skllevër të konçesionit të TVSH-së që po përgatitet për vëllain e kryeministrit.
- Edi Rama do të mbetet ai që është: një njeri që fle edhe me djallin, për para dhe pushtet. S’mund ta lëmë në dorën e tij fatin e fëmijëve tanë.
- Disa nga shqiptarët mund të mos jenë dakord me mua dhe PD, por ne kemi bërë diçka të rëndësishme: kemi qëndruar përballë drogës dhe krimit brenda e jashtë parlamentit.
- Nga qëndresa e PD u denoncua kthimi i Shqipërisë në Kolumbi. parlamenti dhe bashkitë u pastruan nga shumë kriminelë, trafikantë, vrasës dhe përdhunues, u ndalua, të paktën deri tani, importi i plehrave. Por kaq nuk mjafton. Është koha të bashkohemi e të qëndrojmë të gjithë.
Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Kuvend
Zonja dhe zotërinj, të nderuar qytetarë,
E shikoni si është katandisur kjo sallë. Kështu katandiset Parlamenti i një vendi, kur mazhoranca zgjidhet me votat e Durim Keçërve, e banditëve, e shulazërve, e habilajve, e balilajve. Ky është fati i asaj që duhet të jetë, tempulli i demokracisë dhe që duhet të marrë vendimet më të rëndësishme për jetët tuaja dhe fëmijëve tuaj.
Nuk ka fund tjetër autokracia e krimit dhe korrupsionit, përveç se fundit që shikoni këtu në sallë.
Kur vjen në pushtet me votat e krimit, nuk ke përgjegjësi për qytetarët, ndaj përgjegjësia e vetme e kësaj mazhorance të kapur në krim dhe të zhytyr në drogë, është të shtyjnë orët me tallje ndëkrohë që fryjnë pasuritë dhe pushtetin e tyre.
Do të doja shumë në këtë sallë të flisja për investime, por në Shqipëri investime nuk ka.
Investitorët janë përzënë me dajak nga banditët e Edi Ramës, për t’iu rrëmbyer investimet, për t’iu rrëmbyer pronat, për t’iu rrëmbyer pronat, për t’iu rrëmbyer kapitalin. Dhe janë zëvendësuar me kriminelët me damkë nga Emiliano Shullazi, tek Lul Berisha. Me një qëllim, për të vazhduar pasurimin dhe pushtetin e Edi Ramës.
Do të doja shumë të flisja për politika ekonomike, por e vetmja politikë ekonomike është grabitja e pasurive të vendit nga Edi Rama dhe bandat plaçkitëse e klientëve të tij.
E vetmja politikë ekonomike për këtë vit, është pasurimi i Edi Ramës dhe sejmenëve të tij, të ulur pas meje përmes grabitjes qindar milionë euro të aferës së inceneratorëve e cila sapo ka nisur të zbulohet.
Do të doja të flisja për politikat e punësimit, të flisja për punësimin tuaj të dashur qytetarë, por e vetmja industri që krijon vende pune sot në Shqipëri, është industria e krimit.
Dhe do të bëhet më keq! Shqipëria është në prag të falimentimit ekonomik. 13 mijë biznese mbyllën dyert vitin e kaluar. 50 në ditë. Nëse nuk e ndalim sot rrënimin, vendi do të falimentojë.
Shqipërinë e kërcënon kaosi, sepse rendi dhe siguria janë në përkeqësim nga dita në ditë: kriminelët, banditët e lënë të lirë rrugëve, të pasuruar me paratë e drogës po luftojnë nëpër rrugët e Shqipërisë, nëpër sheshet e qyteteve tona për të larë hesape dhe për të zgjidhur konkurencën mes tyre. Tritoli dhe vrasjet e fundit në Shkodër, Vlorë, Krujë, Gjirokastër e Tiranë janë fatkeqësisht vetëm fillimi.
Nga kjo rrugë pa krye ku ka hyrë vendi ynë, nuk mund të na nxjerrë njeriu që na solli këtu. Nëse nuk largohet, Edi Rama do të vazhdojë të prodhojë fatkeqësi dhe shkatërrim për këtë vend, për familjet tuaja, për fëmijët tuaj!
Harrojeni, se një njeri që e mbushi politikën me kriminelë, një njeri që zgjedh trafikantët të bëjnë ligje dhe drejtojnë vendin, një njeri që mes kriminelëve ndihet më mirë se mes familjes së tij, një njeri që u heq paratë e ilaçeve të msëmurëve me kancer për t’ja dhënë klientes së tij, një njeri i babëzitur për para’ dhe pushtet, do të mund të reflektojë apo të ndryshojë.
Edi Rama do të mbetet ai që është: një njeri që fle edhe me djallin, për para dhe pushtet.
Këtij njeriu nuk mund t’ia lëmë në dorë fatin e fëmijëve tanë. Këtij njeriu nuk mund t’ia lëmë në dorë të ardhmen tonë.
Shqiptarët sot janë njerëzit më të varfër dhe më të pashpresë të Europës. Harrojeni se nga kjo varfëri do të dalim duke qëndruar gojë mbyllur e të heshtur!
Heshtja sjell vetëm një gjë: të varfërit i varfëron më shumë dhe të pasurit i pasuron më shumë.
Nëse heshtim, të gjithë ne, të gjithë shqiptarët do të varfërohen edhe më shumë, Edi Rama dhe banda e tij e plaçkitësve do të pasurohen e do të bëhen edhe më të fortë.
Sot dua t’ju them të rinjve se nëse nuk doni ta kërkoni të ardhmen në rrugët e botës, duhet të dilni e të reagoni nëpër sheshet e Shqipërisë.
Dua t’ju them të sëmurëve dhe familjarëve të tyre, se nëse nuk doni të vuani për të pasuruar Vilma Nushin me shokë, duhet të ngriheni e të reagoni sot!
Dua t’ju them nënave, nëse nuk doni që fëmijët tuaj të përfundojnë si përdorues të drogës, duhet të ngrini zërin tuaj sot!
Sot unë dua t’ju them bizneseve të vogla, se nëse nuk reagoni, nesër do të jeni të gjithë skllevër të konçesionit të TVSH-së që po përgatitet për vëllain e kryeministrit.
Disa nga ju mund të mos jenë dakord me mua dhe Partinë Demokratike. Por ne kemi bërë diçka që është e qartë dhe e thjeshtë për t’u kuptuar nga të gjithë: Ne kemi qëndruar.
Ne qëndruam përballë krimit. Ne qëndruam përballë drogës. Ne qëndruam përballë keqqeverisjes.
Sepse ne qëndruam, u denoncua projekti i kthimit të Shqipërisë në Kolumbi. Sepse ne qëndruam, parlamenti u pastrua nga shumë kriminelë, trafikantë, vrasës dhe përdhunues.
Sepse ne qëndruam, u ndalua, të paktën deri tani, importi i plehrave.
Por kaq nuk mjafton. Është koha të bashkohemi e të qëndrojmë të gjithë.
Ndaj ju ftoj që të ngrihemi e të qëndrojmë së bashku. Si shqiptarë, si njerëz që jetët i kemi të lidhura me njëri-tjetrin, si njerëz që të ardhmen e kemi bashkë në këtë vend.
Ne kemi vetëm një qëllim: një shoqëri të drejtë dhe të mirë për të gjithë.
Ne duam të njëjtën gjë: një shoqëri ku ka një drejtësi të barabartë, si për Saimir Tahirin ashtu edhe për Dritan Zaganin, si për Erion Veliajn ashtu edhe për Ardit Gjoklajn, si për Vilma Nushin edhe për dyqanxhinjtë që mbajnë fëmijët me stërmundimin e përditshëm e të përnatshëm.
Ne duam të njëjtën gjë: një shoqëri ku të gjithë fëmijët e shqiptarëve të kenë mundësitë e fëmijëve të pushtetarëve.
Ne duam të njëjtën gjë: një shoqëri ku ka liri, mundësi dhe dinjitet për çdo shqiptar.
Një shoqëri ku puna vlerësohet, një shoqëri ku e ardhmja ndërtohet me mund garantohet, sigurohet e ardhmja juaj dhe e fëmijëve tuaj!
Një shoqëri ku kryeministri nuk është më edhe padroni i ekonomisë, edhe padroni i biznesit, edhe padroni i artit, edhe padroni mediave, i fjalës së lirë, i shpirtit.
Ne duam një shoqëri ku të mos jemi të detyruar të dëgjojmë llomotitjet e lajthitjet e përditshme të një kryeministri mashtrues, ndërkohë që fëmijët e shqiptarëve nuk kanë as bukë, as shkollë, as të ardhme.
Nëse i duam këto të drejta, duhet të ngrihemi për këto të drejta.
Nëse duam drejtësi duhet të ngrihemi të luftojmë e të ngremë zërin për drejtësi.
Nëse duam punë duhet të ngrihemi e të kërkojmë një qeveri që punon për punësimin.
Nëse do të heshtim dhe do të rrimë në shtëpi, do të vazhdojmë të jemi të tallur, të shpërfillur e të braktisur.
Asnjë qeveri nuk i ka rezistuar popullit bashkuar.
Asnjë qeveri, asnjë aleancë me krimin, asnjë qeveri sado e korruptuar nuk do t’i rezistojë dot bashkimit të njerëzve të ndershëm.
Unë dua t’i siguroj sot të gjithë: nëse ne bëhemi mijëra në sheshet e Shqipërisë, e keqja do të largohet.
Nuk ka asnjë alternativë tjetër: e vetmja alternativë përballë një qeverisje të keqe dhe inkriminuar, është forca e njerëzve që bëhen bashkë për të mirën, për lirinë, për dinjitetin, për të ardhmen.
Ndaj unë ju ftoj sot bashkëqytetarët e mi, të gjithëve pa përjashtim:
Ejani, të shtunën në orën 12.00, dhe deklaroni refuzimin tuaj, JO-në tuaj, distancimin tuaj, mospranimin e të keqes.
Ejani, pasnesër me 27 janar, bashkohuni me qindra mijëra shqiptarë, dhe ngrijeni zërin tuaj për çdo hall që ju ka mbërthyer, për çdo padrejtësi që ju bëhet çdo ditë.
Ejani, të diktojmë me bashkimin më të madh, fundin e qeverisë së paligjshme, fundin e kryeministrit narko-trafikant, për ti hapur rrugën një qeverie të ligjshme antimafia, një qeverie anti-varfëri, një qeverie të Reformës në Drejtësi.
Ejani t’ja dalim.
Ejani ta mundim mallkimin, se shqiptarët nuk bëjnë dot demokraci si gjithë Europa.
Ejani, ta dëshmojmë se mund ta bëjmë e bashkë do ta bëjmë.
Të shtunën në orën 12.00 përballë të keqes!