• Procesi për zgjedhjen e KLP është i korruptuar politikisht.

 

  • PS ka kapur anëtarët joprokurorë të KLP.

 

  • PS, nëpërmjet Kryeprokurores antikushtetuese, po bën presion per kapjen e anëtarëve prokurorë.

 

 

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, deputeti Oerd Bylykbashi shpjegoi skemën se si Partia Socialiste po bëhet gati të vendosë nën kontroll politik institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Nga ky institucion do të dalë kandidatura për Prokurorin e Përgjithshëm dhe do të zgjidhet Prokuroria e Posaçme, SPAK, që ka për detyrë hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.

Zoti Bylykbashi shpjegoi se Partia Socialiste e ka shtrirë kapjen politike të KLP-së me 11 anëtarë në dy drejtime, duke  kontrolluar 5 anëtarët joprokurorë që zgjedh Parlamenti dhe duke kontrolluar proçesin e zgjedhjes së 6 prokurorëve nëpërmjet presionit të Kryeprokurores së përkohshme antikushtetuese.

Ish bashkëkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi tha se proçesi është korruptuar politikisht, që kur në ligj u vendosën filtra antikushtetues, që penguan konkurimin e lirë të juristëve avokatë, pedagogë dhe shoqërisë civile për 5 anëtarët joprokurorë.

Oerd Bylykbashi kujtoi se Gjykata Kushtetuese në shumicë 4 me 3, e cilësoi antikushtues filtrin e vendosur nga maxhoranca në ligj, por numri 5 për ta rrëzuar zyrtarisht nuk u arrit, sepse Partia Socialiste bllokoi plotësimin e dy vendeve vakantë në Gjykatën Kushtetuese, duke mos e mbledhur asnjëherë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që bën renditjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti Bylykbashi theksoi se veprimet e Partisë Socialiste për kapjen politike të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kulmuan me emërimin kundër përcaktimeve të Kushtetutës të kryeprokurores së Përkohshme, nëpërmjet të cilës synojnë të kontrollojnë shumicën e 6 anëtarëve të tjerë prokurorë.

Oerd Bylykbashi shpjegoi se lëvizjet joligjore që kryeprokuroja e përkohshme antikushtetuese po bën në prokurori, janë sinjali më i qartë i presionit ndaj prokurorëve. Bylykbashi tha se“në një sistem “de facto” të centralizuar, prokurorët nën presionin e lëvizjes nga vendi i punës do të votojnë sipas udhrave të një kryeprokuroreje politike, pa mandat, sepse është emëruar pa vetting dhe jo me 3/5-at.

Deputeti Bylykbashi tha se me shumicën e KLP nën kontroll politik, qeveria nuk do të jetë e interesuar për konsensus në Parlament, por do të përcaktojë vetë se kush do të jetë Prokuror i Përgjithshëm dhe prej kujt do të përbehet Prokuroria e Posaçme Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Oerd Bylykbashi tha se kapja politike e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Edi Rama shpreh frikën e tij se një drejtësi e pakontrolluar prej tij do të përplaste pas hekurave të burgut anëtarët e qeverisë dhe kriminelët që kanë pas.