Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në Rrëshen, se vendi nuk do të bëjë përpara, nëse do të vazhdojë të qeveriset nga aleanca me krimin. Basha, ftoi qytetarët që, me pjesëmarrjen e tyre në 27 Janar, të tregojnë refuzimin dhe vendosmërinë për largimin e Edi Ramës.
“Ne e dimë fare mirë se nuk ka asnjë vend ku kryeministri është kapur në flagrancë në bashkëpunim me krimin dhe vazhdon të mbetet në detyrë; ku Ministri i tij i Brendshëm në 4 vite dhe krahu i tij i djathtë është demaskuar si koka e drogës dhe shefi i tij vazhdon të mbetet në detyrë; ku studimet konfirmojnë se 20% e shqiptarëve kanë pohuar blerjen e votes dhe kryeministri mbetet në detyrë; se nuk ka asnjë shans që Shqipëria të futet në Europë pa futur Saimir Tahirin në burg, pa futur të gjithë zyrtarët e tjerë të korruptuar e të lidhur me krimin në burg, pa vënë Edi Ramën para përgjegjësisë politike dhe ligjore.“- u shpreh Basha.
Lulzim Basha tha se më 27 Janar shqiptarët do të tregojnë se nuk pranojnë të jenë më spektatorë të teatrit të Ramës, i cili fsheh me shfaqje luksoze varfërinë e qytetarëve dhe rrënimin e vendit.
“Kur i heq të gjitha, kur heq Edi Ramën balerin, Edi Ramën artist, Edi Ramën sportist, Edi Ramën babagjysh, kur i heq të gjitha këto me çfarë mbetemi? Mbetemi me një ekonomi të shkatërruar, me një bujqësi në faliment, me rini të pashpresë, me emigracion në rritje, me çmime në strastosferë të naftës, të dritave, të ujit. Me këto mbetemi. E gjithë pjesa tjetër është një shfaqje, është narkozë,”-tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se varfëria, papunësia, taksat e larta, gjobat ndaj bizneseve dhe mosdhënia llogari e kanë burimin tek blerja e zgjedhjeve me paratë e krimit dhe korrupsionit.
“Kam kënaqësinë ta jap këtë mesazh në Mirditë, se nuk ka asnjë mospërputhje; programi ynë, vizioni ynë, protesta jonë, objektivat e kësaj proteste dhe fitorja e betejës sonë është në përputhje totale me axhendën perëndimore, me Uashingtonin dhe me Brukselin,”-u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike.