- Për ekskursionin në Berat Edi Rama ka shpenzuar mjaftueshëm para për të paguar ndihmën ekonomike për të gjitha familjet e hequra në mënyrë abuzive në Qarkun e Beratit.
- Rama mashtron dhe s’e beson askush, kur thotë se një qytetar preferon ndihmën ekonomike me 50 mijë lekë në vend të punës me 300-400 mijë lekë në muaj.
- Mashtrimi i Ramës bëhet për të mbuluar të vërtetën e dhimbshme, se në qeverinë e tij nuk ka vende të reja pune dhe se vendet e punës po mbyllen çdo ditë.5 vjet pas ardhjes në pushtet të Ramës me moton “më punësoni, t’ju punësoj”, është e qartë se shqiptarët kanë punësuar një një parazit dhe një hajdut!
- Çdo qytetar duhet të ngrihet për fatin e vet! Mos e lejoni Ramën t’ju kërcënojë me bukën e fëmijëve! Ta heqim nga puna këtë kryeministër parazit, mashtrues dhe hajdut!
Komunikimi i plotë i Kryetarit Basha me gazetarët:
Edi Rama sot nga Berati ka përsëritur gënjeshtrën e trashë që nuk e beson asnjë shqiptar, se personat në nevojë ekonomike preferojnë më mirë 50 mijë lekë të ndihmës ekonomike sesa punë me 300, 350 apo 400 mijë lekë.
A ka shqiptarë që e beson këtë?
A ka gazetarë, njeri të medias, sipërmarrës, të papunë që e beson këtë gënjeshtër të trashë të Edi Ramës?
Sigurisht askush nuk e beson.
Pse e bën këtë?
Për t’i shpëtuar një fakti të dhimbshëm dhe një përgjegjësie që është kryekëput e Edi Ramës.
E para, nuk ka vende pune. Ekonomia është në krizë, politika e taksave të larta, fryma armiqësore ndaj biznesit, TVSH-ja që tani pritet t’i vihet mbi shpinë sipërmarrjes së vogël, po shkatërrojnë vendet e punës.
Nuk ka vende pune në Berat ku ndodhet sot Edi Rama. Nuk ka vende pune në asnjë rreth, në asnjë qytet të Shqipërisë. Përkundrazi, vendet e punës po mbyllen.
E dyta, pasi ka shëtitur dhe ka bërë ekskursion në çdo cep të Beratit nuk ka gjetur kohë të shkojë në një familje të cilës i është prerë ndihma ekomomike, t’i shohë në sy dhe të kuptojë se ndihma ekonomike iu është hequr në mënyrë abuzive, pa asnjë shpjegim.
Unë kam shkuar, i kam parë, do të avazhdoj t’i shoh, familje që jetojnë prej tre vitesh pa drita, kryefamljare e cila mezi blen një thes mielli, 25 mijë lekë të vjetra sepse pjesën tjetër të ndihmës ekonomike ia marrin dritat, uji dhe ilaçet.
Kryefamiljar invalid, me një apo dy gjymtyrë të dëmtuar, me tre apo katër fëmijë për të rritur, të cilët nuk i çon dot as në shkollë sepse nuk iu blen dot as këpucët.
Kjo është gjendja e familjeve në nevojë ekstreme të cilët janë hequr pa asnjë shpjegim nga lista e ndihmës ekonomike.
Sigurisht ka, edhe mund të ketë abuzues. Këta abuzues janë në këto lista sepse i ka futur Edi Rama në këto lista dhe ne duam që çdo abuzues të largohet. Por ndërkohë janë 20 mijë familje të cilat janë larguar pa asnjë shpjegim.
Detyra e Kryeministrit nuk është t’i përgojojë këto familje, të tallet, t’i nënçmojë. Detyra e kryeministrit është t’iu japë urgjentisht ndihmën ekonomike, për të cilën u detyrohet sipas ligjit, t’u gjendet pranë me fondet që qeveria ka për ndihmën ekonomike.
Këto fonde ekzistojnë. Nuk është arsyeja se nuk ka fonde, por këto fonde në vend që të shkojnë për njerëzit në ndihmë ekonomike, shkojnë për luks qeveritar.
Bëni një llogari të thjeshtë, në Berat këto 48 orë shpura qeveritare me dieta, me shpenzime, me dreka me darka, me hotel, me punonjësit e Gardës që zhvendosen masivisht sa herë lëviz kryeministri, kanë shpenzuar mjaftueshëm para për të paguar ndihmën ekonomike për të gjitha familjet e hequra në mënyrë abuzive në Qarkun e Beratit.
Në vend që këto familje të kenë 50 mijë lekëshin dhe të blejnë dy thasët e miellit për një muaj, ato lihen në mëshirën e fatit për bukën e gojës që Edi Rama dhe banda e tij qeveritare të hazdisen në luks, në gostira dhe në ekskursion në Qarkun e Beratit.
E mbani mend para 5 vitesh dhe prapë para 1 viti si tha: “Më punësoni që t’ju punësoj.” E pra, qytetarë të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë keni punësuar një parazit dhe një hajdut.
Mos e lejoni t’ju kërcënoj me bukën e fëmijëve tuaj!
Merreni fatin tuaj në dorë, mos e lejoni të vazhdojë më kjo farsë e shëmtuar !
Ne nuk do t’i ndahemi asnjë sekondë kësaj emergjence kombëtare.
Një politikan abuziv, një parazit, një hajdut i cili nuk meriton gjë tjetër, veçse kryengritje qytetare dhe largimin e tij sa më parë nga përgjegjësitë të cilat nuk i kryen, duke dhunuar ditë për ditë fatin e qytetarëve.
Pyetje: Sipas kryeministrit, janë 19 mijë abuzues në këto lista.
Basha: Ky është një mashtrim i pafytyrë. I kam parë këtu në Kamëz, do t’i shoh kudo ku janë. Përse nuk shkon të përballet me këto familje, përse nuk shkon t’u thotë, keni abuzuar dhe nuk meritoni asnjë ndihmë ekonomike, ju, që s’keni asnjë të ardhur, asnjë pension, që keni tre vjet që nuk paguani dot dritat, që jetoni me thesin e miellit, përse nuk shkon të përballet me këto fakte? Sepse është një gënjeshtër. Është një gënjeshtër e ulët. Shumica dërrmuese e këtyre familjeve nuk kanë asnjë mundësi tjetër, përveç ndihmës ekonomike. Ku janë këto vende të punës që nuk i pranokan shqiptarët. Që pranokan më mirë dy thasë me miell, se aq është ndihma ekonomike, se sa të marrin 300 mijë lek në një vend normal pune, ku janë këto vende pune? Sigurisht që nuk janë as në fantazinë e Edi Ramës, Edi Rama gënjen se e di fare mirë që nuk ka vende të tilla pune, por abuzon dhe fsheh të vërtetën dhe kjo është një vepër kriminale në kuptimin human dhe ligjor.
Pyetje: Zoti Basha do të ketë protesta për këtë çështje?
Basha: Protesta ka patur edhe sot në Berat, me përpjekje për t’i mbajtur larg syve të medias. Protestat e mëdha janë detyrë e çdo qytetari. Ne si opozitë i kemi thirrur, i kemi organizuar dhe do të vazhdojmë t’i organizojmë, por çdo qytetar duhet të ngrihet për fatin e vetë, duke filluar nga ju, gazetarët që jeni ditë për ditë nën goditjen dhe nënçmimin e pushtetit, intelektualët, pedagogët, artistët, sipërmarrësit, fermerët dhe ata që kërcënohen me bukën e fëmijëve të tyre. Organizimi i protestave, mbledhja dhe bashkimi në protestë, është tubimi më i lartë i qytetarëve në demokraci. Opozitën e kanë dhe do ta kenë në krahun e tyre.
Pyetje: A do ta votoni kodin e sjelljes së deputetëve ditën e hënë? Në atë kod ka një nen ku thuhet se deputetët nuk lejohet të marrin dhurata në udhëtime si psh siç e quani ju, ekskursion në Berat.
Basha: Të paguara nga taksat e shqiptarëve. Garda nuk paguhet me dhurata. Batalioni i gardës që lëviz me kryeministrin nuk paguhet me dhurata. Vetëm kosto e zhvendosjes së qindra oficerëve dhe nënoficerëve të gardës, me dietat e tyre do të mjaftonin për të mbajtur ato familje që i kanë hequr me të padrejtë nga ndihma ekonomike. Kjo është e vërteta. Të tjerat janë gënjeshtra dhe mashtrime, nuk i ha askush, nuk i beson askush. E beson ti që ka ndonjë në Berat që thotë më mirë 50 mijë lek ndihmë ekonomike se 300 mijë lek i punësuar? Beson se ka njerëz të tillë? Do t’ia themi një herë njëri-tjerit se ky mashtron ditën për diell, gënjeshtra që nuk i beson askush dhe pastaj t’u themi shqiptarëve që nuk ka rrugë tjetër përveç se ta heqim nga puna këtë parazit, mashtrues dhe hajdut. I cili para një viti tha: “Më punësoni, t’ju punësoj”. Ndërkohë ka shpunësuar shqiptarë dhe tani u heq edhe bukën e fëmijëve.
Pyetje: Do të kërkoni ndjekje penale dhe ligjore për përgjegjësit?
Basha: Do të bëjmë të gjitha ato që na takojnë si opozitë. Në rradhë të parë vetëdijesimin e njerëzve për gënjeshtrat, mashtrimet dhe aktet kriminale, të kësaj qeverie, të këtij kryeministri, në raport jo vetëm me personat në nevojë ekstreme ekonomike por edhe të tjerë të cilët e meritojnë ndihmën dhe nuk kanë pasur ndihmë deri sot, jo vetëm ata që janë hequr me të padrejtë. Natyrisht do të ndjekim të gjitha mënyrat dhe metodat që ndjek një opozitë.