- Qeveria detyron personelin mjekësor t’i shërbejë Vilma Nushit.
- Kontrata që vendos Qendrat Shendetësore në shërbim të konçesionit të Check-Up, e paligjshme.
Deklarata e deputetit Bardh Spahija për kontratën që detyron personelin mjekësor t’i shërbejë konçesionarit të Check-Up
Edi Rama ka vendosur zyrtarisht sistemin e shëndetësisë në shërbim të konçesionit korruptiv të check-up.
Tani, për miken dhe klienten e tij Vilma Nushi, do të punojë i gjithë personeli në qendrat shëndetësore, i detyruar me një kontratë të paligjshme.
Bëhet fjalë për detyrim – kërcënimin që u është shtuar në kontratat e punës mjekëve për të informuar dhe për të sjellë me imponim popullsinë në qendrat ambulatore për të kryer Chek-up-in.
Këtu është pjesa e kontratës mes firmës që ka konçesionin dhe Fondit të Sigurimeve të Kujdesit të Detyruar Shëndetësor e miratuar në Dhjetor 2014.
Ky ndryshim i kontratës së mjekëve, është një shkelje flagrante qe vendos shendetësinë në dispozicion të interesave të rrezikshme që i përkasit klaneve pranë kryeministrit.
Çfarë do të thotë që të vihen në shërbim të Vilma Nushit, mjekët për një shërbim që duhet ta kryejë vetë konçesionari, i cili paguhet me lekët e taksapaguesve shqiptarë?
Përse duhet të bëjnë mjekët ndërgjegjësimin, informimin dhe bindjen e publikut për t’iu drejtuar qendrave ambulatore?
Kjo është një shkelje e hapur e Kodit të Punës, pasi në kontratën e mjekëve me Fondin për 2018-ën, që pritet të firmosin këto ditë mjekët e familjes në mbarë vendin, nuk thuhet që mjeku do paguhet për checkup-in. Domethënë një angazhim dhe stërmundim i tepërt, por i papaguar nga ministria, sepse milionat shkojnë për Ramën dhe Vilma Nushin me kompani.
Skema që detyron me kontrate mjeket dhe infermieret të punojnë për konçesionarin synon së pari të mbulojë dështimin e konçesionit. Deri tani, edhe me manipulimin e shifrave, vetëm 27 përqind e shqiptarëve e bën check-up. Ndërsa Vilma Nushi paguhet njësoj, rreth 6 milionë euro në vit.
Pas skemës për të vënë personelin shëndetësor në shërbim të konçesionit të Ramës për check-up, fshihet edhe synimi për të rritur fondin e miliona eurove që shteti i paguan klientes së kryeministrit. Me detyrimin e mjekëve për të bërë check-up për moshat deri në 75 vjeç, rritet jo vetem numri, por edhe shansi që Vilma Nushi të kërkojë zgjerim fondesh.
Partia Demokratike i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të tërheqë kontratën e paligjshme që detyron mjekët dhe infermierët të punojnë për konçesionin e dështuar të Edi Ramës. Nëse kësaj kontrate i shkohet deri në fund, ne do të ndjekim rrugën ligjore për të vendosur para drejtësisë shërbëtoret e oligarkëve të shëndetësisë.