Këtë bashkëbisedim kemi një muaj që e kemi programuar, por për shkak të zhvillimeve të përditshme prioritare në frontin e emergjencës kombëtare ku ndodhemi. Por kjo për të cilën do të flasim sot, po kështu është një emergjencë kombëtare. Bëhet fjalë për gjendjen e ekonomisë, faktin që jemi para një katastrofe ekonomike që, nëse nuk e shmangim do të ketë pasoja për dekada të tëra.

Dua ta nis duke ju thënë se rreziku kryesor është kriminalizimi dhe kapja e ekonomisë nga paratë e drogës dhe të krimit, rreziqet që mbart kjo për të sotmen dhe për të nesermën e ekonomisë shqiptare. Çfarë kam parasysh me këtë; mund ta ilustroni vetë me kronikën e ditës, 613 kg kokainë kapur në Durrës, sasi rekord, e kapur falë agjencive të huaja të antidrogës dhe ligjzbatimit, tre ditë pasi kryeprokurori italian i Antimafias deklaroi në Tiranë që mafia në Shqipëri ka lidhje me politikën dhe ka pushtuar policinë.  613 kg pluhur i bardhë përbëjnë një vlerë monetare. Sot policia ka deklaruar se vlera e kësaj ngarkesë është 180 milionë euro. Një ngarkesë e vetme 180 milionë euro. E kam denoncuar dhe e kemi denoncuar me dhjetëra herë në parlament, në mediat tuaja dhe kudo, epoka e kanabisit tani është pasuruar me heroinën, kokainën dhe pastrimin e parave të pista.

Dhe pikërisht këtu vjen edhe rreziku ekzistencial për shoqërinë, sepse siç u shpreh edhe prokurori i Antimafies, tani rreziku i kriminalitetit është mbartur drejt politikës dhe ekonomisë. Një paralajmërim i Partisë Demokratike tash 5 vjet, një kauzë jo thjesht politike dhe opozitare, por qytetare. E kemi denoncuar ne, e kanë denoncuar gazetarë, analistë kurajozë dhe intelektualë, anëtarë të elitës së shoqërisë. Por nuk e kemi ndalur, përkundrazi është transformuar. Ku është transformuar? Në radhë të parë është transformuar brenda ekonomisë tonë. Sot përmes grafikëve dhe shpjegimeve të një ndër ekspertëve më të shquar të statistikave në Ballkan dhe në Europë, zonjës Ines Nurja, do t’ju bëjmë një prezantim ju dhe, përmes jush qytetarëve, se si ekonomia shqiptare është në prag katastrofe dhe cili është roli i krimit dhe i drogës me mbështetje qeveritare në këtë katastrofë ekonomike dhe sociale me të cilën po përballet vendi.

Ta nisim me çështjen e parë; kapjen e ekonomisë me paratë e drogës. Nuk ka sektor ku kjo duket më qartë sesa sektori i ndërtimit në Shqipëri dhe në veçanti në Tiranë. Një bum ndërtimesh i financuar nga çfarë? Merrni të dhënat e publikuara sot. Numri i lejeve të ndërtimit për rezidenca për banim në një vit është rritur me  80%. 2016-a viti rekord i prodhimit të drogës. 2017-a, viti rekord i lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Kemi një rritje drastike të ndërtesave me mbi 3 kate. Pra, nuk bëhet fjalë për riparim çatish apo ndërtim privat të vogël shtëpish. 200 % është rritur numri i ndërtesave mbi 3 kate. Ndërsa vlera monetare sipas vetë të dhënave të INSTAT-it është rritur me 260%. Ndërkohë përqindja e kredisë në ndërtim është njësoj si një vit më parë. 200% rritja e lejeve për ndërtesa, 260%  rritja e vlerës monetare por këto të gjitha u bëkan jo me më shumë para, siç ta do mendja sepse nga viti në vit ka inflacion, rriten çmimet, por me pothuajse me të njëjtën shumë parash. 14.4% ka qenë vlera, përqindja e kreditimit për ndërtimin në 2016-ën, 15% në 2017-ën. Me çfarë po financohen këto ndërtime ekstra? Me çfarë po financohen kullat, ndërtimet në Tiranë, të cilat përbëjnë mbi 80% të volumit, pjesën tjetër e ka Fieri, Durrësi dhe disa qendra të tjera të mëdha por pjesën e luanit e ka Bashkia e Tiranës. Le ta themi haptas që Bashkia  e Tiranës është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista të drogës dhe të krimit. Dhe kjo ilustrohet nga bumi i ndërtimit dhe në veçanti i ndërtimeve të larta në Tiranë, të cilat nuk kanë asnjë racionale ekonomike, nuk kanë asnjë kuptim për sa i përket strehimit. Pavarësisht prej manipulimit me shifra dihet se në Tiranë ka apartamente bosh, të pashitura, por ka lidhje vetëm me paratë e krimit.

Aspekti i dytë i kapjes së ekonomisë nga krimi dhe paratë e krimit është PPP-ja; Partneriteti Publik Privat, 1 miliard dollarë i shpallur nga Edi Rama dhe i denoncuar nga ne si pastrimi i parave të pista. Në veçanti kjo duket në sektor të tillë, siç është sektori i mbetjeve urbane ku privati po investon për inceneratorë pro në fakt investimin po e paguan qytetari nga taksat e tij dhe kjo është një formë edhe më e thellë e kriminalizimit të ekonomisë. Pse?

Në qoftë se ndërtesat po bëhen vetëm me paratë e krimit dhe të drogës, këtu po përzihet paraja e krimit dhe e drogës me taksat e shqiptarëve.

Kjo po ndodh përmes përqendrimit të pushtetit të vendimmarrjes dhe projeketeve në pak duar; koncensionet, tenderat po i fitojnë pak duar, atë që rëndom njihet si oligarkët.

Përqendrimi nuk po ndodh vetëm në sektorin e koncesioneve apo në sektorin e lejeve të ndërtimit, po ndodh dhe në sektorin financiar. Kemi një bankë me pronar offshore të quajtur Abi Bank, e cila ka blerë bankën NBG, në një kurs kohor prej disa muajsh. Këto pra janë tiparet e kapjes së ekonomisë nga interesa kriminale, nga paratë e krimit dhe të drogës.

Tani le t’i hedhim një sy çfarë thotë INSTAT me shifrat e veta:

  • Sektori i ndërtimit del me boom, por kjo nuk vjen as nga investimet e fondeve publike, as nga kreditimi nga bankat. Nga vijnë këto para? Nga janë ky boom parash për ndërtimin?
  • Bujqësia ka një rritje ekonomike, por ka 17 mijë të shpunësuar. Pra, ulet numri i të punësuarve megjithatë sektori vazhdon me rritje ekonomike. Nuk ka nevojë as të jesh ekonomist, madje as të kesh mbaruar shkollën e mesme për të kuptuar që këtu ka diçka që nuk shkon. Nga njëra anë, sipas vetë të dhënave zyrtare, ka 17 mijë të punësuar më pak se një vit më parë, po prapë sektori është në rritje. Bëhet fjalë për një sektor, i cili e ka ndier deri në palcë konkurrencën nga kultivimi dhe tregtia e drogës. Për të kaluar pastaj tek efektet që kjo jep te popullsia.
  • Do të shikoni në grafikë dhe do t’u shpjegohet me hollësi nga zonja Ines Nurja se, pretendimi që punësimi është rritur, bazohet mbi një falsifikim të të dhënave zyrtare, që përbën vepër penale në Shqipëri. Për të kapur shifrën që ka caktuar qeveria, INSTAT ka deklaruar mbi 10 mijë apo  15 mijë të punësuar mbi moshën 64 vjeç. Rritja më e madhe e punësimit është mbi moshën 64 vjeç . T’ju pyes të 7 ju gazetarë të nderuar që jeni këtu. Ka ndonjëri prej jush shpjegim sesi punësimi në tri mujorin e tretë të vitit të kaluar rritet vetëm te kategoria e mbi  64 vjeçarëve. Sepse as në shkencat ekonomike, as në vlerësimin që i bëjmë ne, gjendjes në terren, nuk shohim 64 vjeçarë të puësuar. Përkundrazi ankesat kryesore janë që mbi 45-50 vjeç nuk gjen punë, por INSTAT ka deklaruar se shumica e atyre që janë të punësuar janë mbi 64 vjeç.
  • Dhe së fundi efektet sociale që përbëhen nga dy aspekte. Vetë INSTAT e pranon që familjet shqiptarë kanë ulur shpenzimet ushqimore. Kjo tregon varfërinë e thelluar, ndërkohë që janë të detyruar të rrisin shpenzimet arsimore për rritjen e tarifave të universiteteve dhe  kostot e tjera të shtuara të arsimit publik.
  • Kjo ka sjellë një rritje të pabarazisë me 90% të popullsisë gjatë një viti që ka mbetur në vendnumëro ose është zhytur në varfëri. Dhe është në këtë sfond që qeveria vendos të heqë edhe 20 mijë të tjerë nga ndihma ekonomike, pa asnjë shpjegim.

Kjo pra është gjendja e vendit që denoncon më mirë sesa unë, sesa opozita madje dhe sesa ju, pasojat e në qeverie pa asnjë politikë dhe prioritet të vërtetë ekonomik.  Prioritet i vetëm ka qenë ta bënte Shqipërinë zonë të lirë të krimit. Në 2016 e mbolli me hashash, në 2017 përdori paratë e hashashit për të shkatërruar proçesin politik dhe po kështu në 2017 me infrastrukturën dhe paratë e hashashit ka kaluar në heroinë, kokainë dhe kapjen e sektorëve të ekonomisë, me prioritet, ndërtimin , turizmin, menaxhimin e mbetjeve.

Në strukturën ekonomike pavarësisht se këto po ndodhin me paratë e drogës, po dëmtojnë dhe po shkatërrojnë të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve. Të marrim dy shembuj. Këto ndërtime nuk janë gjë tjetër veçse piramida droge. Çfarë roli do të kenë këto nesër pasnesër në ekonomi. Si do të kontribuojnë për të krijuar vende të reja pune? Nuk munden sepse roli i tyre i vetëm është të pastrojnë milionat e drogës. PPP ( partneritet publik, privat ) në fakt janë borxh i fshehur, bëhen për të pastruar paratë e drogës, bëhen për të shpërdoruar dhe vjedhur paratë e taksapaguesve siç është rasti i inceneratorëve që është rasti unik, ku çdo television dhe çdo gazetari i çensurohet lajmi, sepse Arben Ahmetaj, Edi Rama dhe Klodian Zoto operojnë një fond të veçantë për të çensuruar lajmin për inceneratorët në çdo media dhe madje  vendosim një bast sot se cilat nga mediat do ta transmetojnë këtë pjesë të denoncimit tim. Por për këtë çështje do të kemi më shumë informacion në ditët në vijim, dhe përmes kësaj të rrisë dhe te thellojë borxhin publik të Shqipërisë.

Konçesionet dhe PPP-të janë mënyrë e fshehur për të rritur borxhin.  Unë e kam bërë këtë, problem prezent , e kam denoncuar para FMN-së, e cila ka bërë reagimete saj të para. Pres nga ata dhe institucionet e tjera reagime të forta në këtë drejtim, veçanërisht nga ata që janë gardianët e nivelit të borxhit publik. Borxhi publik i Shqipërisë po rritet në mënyrë marramendëse dhe sekrete nga PPP-të dhe nga konçesionet  korruptive. Këto janë çështjet që po denoncojmë sot. Tani ia jap fjalën znj. Nurja e cila do t’jua bëjë të qarta përmes prezantimit dhe grafikëve, ju dhe qytetarëve të interesuar që na ndjekin, duke e  mbyllur me këtë konstatim dhe bindje të thellë prezantimin tim paraprak:  të gjitha këto tregojnë nga njëra anë që ekonomia shqiptare është në prag të një katastrofë që, nëse nuk shmanget sot, do të ketë për efekt zhdukjen e mijëra mijëra vendeve të tjera të punës dhe rritjen e  plagës sociale që do të çojë edhe më shumë në rritjen e emigracionit. Por nga ana tjetër kjo është një thirrje drejtuar të gjithë faktorëve shoqërore. E zhveshur nga interesi imediat politik i opozitës para kësaj qeverie apo kësaj bande quajeni si të doni. Kemi nevojë për një transformim të thellë ekonomik. Kemi nevojë për një transformim dhe ndryshim  të thellë ekonomik, i cili mund të vijë vetëm përmes çlirimit të tregjeve , luftës ndaj monopoleve, luftës ndaj oligarkëve dhe oligopoleve dhe kur them luftë e kam fjalën për masa të forta ligjoredhe zbatimin e tyre dhe sektorëve të tjerë. Integrimin e ekonomisë tonë që sot është totalisht e shkëputur nga rajoni, nga rajoni e jo më nga Europa, përmirësimi i teknologjisë që ka mbetur në vend umëro prej më shumë se gjysëm dekade dhe thithjes së investimeve të huaja. Siç e kuptoni të gjitha këto të cilat janë të domosdoshme për transformimin e ekonomisë tonë kombëtare nuk mund të bëhen pa një transformim të thellë politik. Por këtu dua të ndaloj para se të kaloj në tema të tjera para se të marrim vëmendjen tuaj për çështje të tjera , me qëllim që të bëjmë një analizë më të detajuar të problemeve kryesore që paraqita para jush.

 

Ines Nurja: Unë do të përqëndohem tek disa të dhëna që janë pika kyçe në lidhje me ekonominë shqiptare.

  • Do të filloj me bujqësinë. Dihet që bujqësia është një nga sektorët që ka dhënë gjithmonë pjesën kryesore të prodhimit, rreth 20% ka qenë vetëm bujqësia dhe faktikisht vitet e fundit është parë që bujqësia ka pasur rritje minimale ka pasur raste ku kanë qenë edhe  vlera negative, por ajo që bie ne sy është që në tre mujorin e fundit ka një ulje drastike të numrit të të punësuarve në bujqësi rreth 17 mijë veta ndërkohë që duhet menduar që në bujqësi janë të punësuar më shumë se gjysma e forcës punëtorë që ekziston në Shqipëri dhe rritja ekonimike është më 0.52%. Normalisht që këto shkojnë më tej në drejtim pra rritja ekonomike te rritja e numri të të punësuarve ndërkohë që ka ndodhur për herë të parë një rënie drastike e numrit të të punësuarve dhe një rritje ekonomike minimale.
  • Në grafik është shfaqur edhe industria me një rritje 1970 veta dhe faktikisht janë dy sektorët më kryesorë, buqësia dhe industria që prodhojnë dhe faktikisht dhe rritja e punësimit  është ose negative ose më një rritje minimale, pra tregon që Shqipëria nuk prodhon më dhe ulja e punësimit e pasqyron këtë më mirë.
  • Një tregues tjetër që bie në sy është tregtia me pakicë. Faktikisht ne të gjithë e dimë që tregëtia me pakicë pasqyron drejtpërdrejt konsumin e familjeve shqiptare dhe po të shikojmë grafikun që është paraqitur për tregtinë më pakicë ,do të shikojmë që tregtia me pakice sa vjen dhe ulet dhe ka arritur vlerën më të ulët në vite 1.1% rritje në tre mujorin e tretë, e cila tregon që familjet shqiptare nuk konsumojnë më, sepse kjo ka lidhje të dretpërdrejtë me shpenëzimet  për familjet shqiptare. Pra tregtia me pakicë vjen dhe ulet tregon që dhe konsumi i familjeve shqiptare sa vjen dhe ulet më tepër. Një tjetër tregues interesant faktikisht që ka të bëjë me punësimin.
  • Unë u përqëndrova tek punësimi sepse është diçka që ka të bëjë shumë me largimin e shqiptarëve nga vendi. Këtu është i paraqitur një grafik me të dhënat e punësimit të ndara në dy grupe. 15-29 vjeç që do të jetë pjesa që duhet të jetë më shumë  e punësuar dhe të punësuarit mbi 64 vjeç dhe po të shikohet, të punësuarit 15-29 vjeç kanë zbritur numrin e tyre. Me 1100 veta është zvogëluar numri i të punësuarve të kësaj kategorie ndërsa mbi 64 vjeç është rritur rreth  8000 veta. Pra faktikishit i jepet përparësi, gjithmonë mbas grupit të të dhënave pjesës më të moshuarve në Shqipëri, ndërkohë që pjesa e rinisë që duhet faktikisht të punësohet, ata që dalin direkt nga shkolla ka një ulje dhe kjo ka të bëjë jo vetëm me të tashmen cfarë ndodh por edhe me të ardhemn e Shqipërisë.
  • Në grafikun e mëposhtëm është një grafik shumë interesant, i cili është marrë faktikisht nga Eurostati dhe tregon përqindjen e të larguarve nga Shqipëria, ata që janë rregjistruar dhe kanë kërkuar azil ekonomik. Po të shikojmë rreth 80% e atyre që largohen nga Shqipëria janë deri në moshën 34 vjeç. Pra edhe nëqoftë se në të ardhmen do të kemi një zhvillim ekonomik, me largimin e  të rinjve ku do ti gjejmë këto forca punëtore për ti punësuar në Shqipëri. Pra kemi dy fenomene: nuk punësohen të rinjtë për momentin përkundrazi zvogëlohet numri I të punësuarve dhe nga ana tjetër shtohet numri i të larguarve deri në moshën 34 vjeç. Shqipëria rrezikon plakjen e popullsise që është një fenomen i cili shihet edhe në vendet e tjera por që në Shqipëri po na troket në derë dhe do të jetë diçka shumë negative për ekonominë tonë.
  • Një tjetër tregues interesant është pabarazia. Është bërë një studim ne lidhje me konsumin e familjeve, dy vite janë krahasuar dhe është parë që rritja ka qenë minimale mirëpo ajo që është vënë re me kujdes është që shpenëzimet për ushqime janë ulur ndërkohë që janë rritur shumë shpenëzimet për arsim. Për ato shpenëzime që janë rritur janë vetëm për një pjesë të vogël të familjeve shqiptare. Grafiku i mëposhtëm paraqet që vetëm 10 % e familjeve kanë rritje me 200 mijë lek të vjetra  në muaj ndërsa 90% e familjeve kanë një rritje me 3 mijë lek të vjetra afërsisht. Ajo rritje që është bërë i ka shkuar pjesës më të pasur të familjeve shqiptare ndërsa 90% e familjeve kanë ngelur në të njëjtin nivel si pasojë e rritjes së arsimit kanë zbritur dhe më poshtë. Kjo tregon që pabarazia sa vjen dhe theksohet në Shqipëri dhe kjo faktikisht nuk është e mirë për të ardhemn tone.
  • Grafiku i fundit fare i cili është paraqitur është paga minimale sipas Eurostatit dhe pot ë shikoni unë kam marrë tre vende në krahasim Bullgarinë, Rumaninë dhe Shqipërinë për krahasimin ndër vite. Deri ne vitin 2012- 2013 ne kemi qenë ose më mirë se Bullgaria ose në të njëjtin nivel me Rumaninë dhe pas kësaj ndryshimi ka ndodhur I menjëhershëm për këto vende nërkhë që Shqipëria ka ngelur pothuajse në të njëjtat nivele të pagës minimale. Vendet etjera kanë pasur njëe rritje drastike te pagës minimale. Nuk po krahasohemime vendet e rajonit sepse vendet erajoni kanë qenë gjithmonë në vlera më të larta se Shqipëria por me vendet që ne kemi qënë të së njejtit nivel faktikisht ndryshimi që ka ndodhur këto dy vitet e fundit është drastik. Vendet e tjera kanë ecur shumë përpara, Shqipëria ka ngelur me një pagë minimale thuajse si ajo më parë.
  • Ndërtimi është vlera që është pasqyruar këtu, një rritje shumë e madhe vlerash dhe ndërkohë që sic përmendi më pare zoti Basha vetë kreditë kanë ngelur po në të njëjtin nivel. Atëherë kjo rritje kaq e madhe e vlerës së ndërtimit me çfarë merret nga kush investohet? Përgjigjen e dini vetë sepse është droga e cila mbillet në Shqipëri që e financon ndërtimin sidmos të rezidencave me shumë kate sidomos në Tiranë.

Këto janë disa nga grafikët kryesorë që unë kam menduar që tregojnë gjëndjen ekonomike në të cilën ndodhet vendi e pasqyruar e pasqyruar në të dhënat që janë të publikuara.

 

Basha: Të gjitha të dhënat të formatuara dhe me burimet përkatëse ku burimi kryesor, pavarësisht prej manipulimit, mbetet INSTAT. Aty ku ka manipulim, e keni te evidentuar. Do t’ju vëmë në dispozicion formatin elektronik, ndoshta ju ndihmojnë edhe për përgatitjen e kronikës së lajmeve. Kështu që, pa u zgjatur më tej në këtë prezantim, le ta kalojmë në bashkëbisedim.

 

Top Channel: Jo më larg se dje Top Channel iu referua shifrave të Ministrisë së Financave për një ulje të borxhit, 69.9%, ndonëse është prap në kufi rreziku. Ndërkohë ju më parë u shprehët se borxhi është rrezik real nga gjithë këto shifra apo keni shifra të tjera që janë të ndryshme nga Ministria e Financës?

 

Basha: Ta shpjegojmë pak në mënyrë që ta kuptojnë edhe njerëzit. Borxhi nga çfarë përbëhet? Përbëhet nga huatë që qeveria merr, apo jo. Borxhet, huatë, kreditë, që qeveria merr të cilat pastaj strukturohen në formën e një borxhi kombëtar. Në vitin 2013, siç ju kujtohet me një përqasje të paprecedentë, u llogaritën në borxh kombëtar edhe një sërë transaksionesh që nuk klasifikoheshin deri atëherë si borxh si për shembull, pagesa të papaguara kontraktorëve të punëve publike, dikush që kishte ndërtuar një rrugë, një ujësjellës apo një shkollë, që e kishte ndërtuar para afatit apo në disa raste e kishte ndërtuar Brenda afatit dhe nuk kishte marrë ajkoma paratë që I detyrohej pororsitësi, në këtë rast shteti shqiptar në formën e një institucioni qendror apo lokal. U llogaritën po kështu edhe borxhet e kompanive publike dhe parrulla e qeverisë ishte “Do të ulim borxhin”. Borxhi u kontabilizua në 2013 në 62%. Le të marrim për një moment të mirëqënë shifrën e Ministrisë së Financës që borxhi sot është 69.9%, pra pothuajse 70%. Pesë vite pas ardhjes së Edi Ramës, borxhi jo vetëm që nuk është ulur por është rritur. Është rritur ndërkohë që interesat e borxhit kanë rënë. Deri në vitin 2013 interesat e borxhit për Shqipërinë, por jo vetëm për Shqipërinë kanë qënë pothuajse dyfishi I ineteresave që janë sot. Pra, e para është që borxhi nuk ka rënë por është rritur. Në krahasim me vitin 2013 sot Shqipëria ka një borxh më të madh. Edi Rama e ka futur Shipërinë dhe shqiptarët në një borxh më të thellë se sa seç e ka gjetur dhe nuk arrin të justifikojë dot se pse i ka marrë këto para borxh. Ka ndërtuar ndonjë vepër madhore? Ka rritur pensioned he rroga? Ka bërë shëndetësinë falas? Sigursht, ju e dini fare mirë se përgjigja për të treja këto shumë të tjera është JO. Këto para janë marrë borxh për skema korruptive dhe abusive të cilat janë edhe shkaku kryesore se pse Shipëria renditet sot si vendi më i korruptuar I ballkanit dhe ndër më të korruptuarit e botës. Keni parë besoj, se njërëzit nganjëherë shohin më mirë fotografinë se shifrat, profilet e liderëve që radhiten me Edi Ramën, një prej tyre ishte gjysëm lakuriq, besoj se ishte monarku i Suazilandit, aty e ka quar Shëipërinë. E keni parë apo jo? Apo ka ndonjëri që s’e ka parë? Mund ta nxjerrim. Është Suazilandi, lideri tribal i Suazilandit dhe Edi Rama. Tani në këtë moment cili është kërcënimi? Që borxhi do të vazhdojë të rritet porn ë mënyrë të fshehtë. Çfarë kam parasysh me këtë? A e dini ju shifrën duhet të paguajmë këtë vit për konçesionet dhe për PPP-t? Është në gjendje dikush nga ju të mna thotë? Është në buxhetin e shtetit. Janë planifikuar 70 milion euro të taksave të shqiptarëve të cilat do të paguhen për Check-up-in, për inceneratorët, për sterilizimin dhe për një sërë konçesionesh korruptive. Ky është borxhi i fshehur, sepse këto janë, siç e dini, kontrata 10, 20, 30 vjeçare. Që do të thotë se qeveria në emër të shqiptarëve ka firmosur një borxh tjetër të fshehur. Ka firmosur që në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme në varësi të kontratave të paguaja çdo vit një shumë parash e cika nuk vjen duke u zvogëluar por duke u rritur për dy arsye: E para sepse rritet numri i këtyre konçesioneve dhe PPP-ve

E dyta sepse në disa raste rritet kostoja e tyre.

Pra si konkluzion, borxhi sot është, siç e ka pohuar edhe Ministria e Financës, më i lartë se sa ishte në vitin 2013 dhe borxhi sot kërcënohet nga rritja përmes borxhit të fshehtë, koçesioneve dhe PPP-ve që janë skema të pastra zhvatje, skema të pastra korrupsioni. Paguhen drepërdrejt nga xhepat e taksapaguesit shqiptar.

 

Klan: Unë kam dy pyetje dhe po i bëj një nga një. Përse është Partia Demokratike në lidhje me marrëveshjen e detit me Greqinë, pasi i vetmi zë në fajt, denoncues nga rëdhët e selisë blu është ai ish-kryeministrit Berisha dhe duke marrë në konsideratë edhe faktin që një ditë më parë përsëri Presidenti Ilir Meta refuzoi kërkesën për dhënien e plotfuqishmërisë ministrit të jashtëm Ditmir Bushati për të nisur negociata me palën greke?

 

Basha: Së pari Partia Demokratike nuk hesht. Sot kemi patur të thirrurr në komisionin e punëve të jashtme jo për herë të parë por për hërë të dytë Ditmir Bushatin.  Nëqoftëse nuk e dini po jua them dhe ky është një nga aktet që Partia Demokratoike ka ndërmarrë. Natyrisht që edhe Sali Berisha ka qenë dhe është i Partisë Demokratike. Por po ju them që Partia Demokratike jo vetëm që nuk ka heshtur por ka qenë në ballë të përpjekjes për transparencë. Le ta bëj edhe një herë të qartë siç e kam bërë prej fillimit të kësaj afere qëndrimin tonë: ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore me Greqinë. Ne duam dhe jemi të interesuar të zgjedhimin problemet e mbetura pa zgjidhur.  Por ne jemi kundra çdo pazari dhe nuk do të pranojmë kurrë  një Pazar në kurriz të interesave kombëtare, në kurriz të interesave të Shqipërisë. Në këtë kuadër kemi kërkuar prej ditës së parë transparencën që nuk vjen. Kemi kërkuar sqarime, sepse të vetmet informacione i kemi marrë nga pala greke dhe këto sqarime nuk vijnë, përkundrazi përballemi me gënjeshtra. Sot mohojnë që kanë negociuar, ndërkohë që mund ta shikoni në arkivat tuaja e kana pranuar me gojën plot që negociatat kanë nisur, kanë vazhduar, kanë kulmuar në Kretë dhe pastaj në Korçë. Që në stafet e negociatave ka persona të nivelit teknik. Dhe të gjitha këto janë bërë në shkelje totale të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Shkelje flgrante të përcaktimeve që Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në vendimin  e saj në tentativën për negociata në marëveshjen e vitit 2009. Pra pozicioni ynë është i qartë prej fillimit. Pozicioni ynë është mbajtur në të gjithë nivelet e Partisë Demokratike nga unë si kryetar, nga zoti Berisha, nga zoti Shehu si nënkryetari demokrat i komisionit të Punëve të jashtme dhe nga një numër i madh deputetësh.

 

Klan: Edhe një koment në lidhje me deklaratën e ish-minitstrit të mbrojtjes Arben Imami i cili thotë se ju jeni vënë prej më shumë se një jave në dijeni të faktit se njëri prej anëtarëve të grupit negociator Artur Meçollari ka qenë i lidhur me shërbimet secrete të huaja dhe se përmes heshtjes suaj, jo vetëm që dilni kundër qëndrimit të mbajtur nga ish-kryeministri Berisha por në një farë mënyre po pozicionoheni pro kryeministrit Rama.

 

Basha: Mendoj se me çështjet e rëndësishme që trajtuam sot uroj që kjo të mos jetë një alibi për t’i ikur mesazheve të rëndësishme që dhamë, por përgjigjia ime është kjo. Absolutisht që kryetari i opozitës për çdo dijeni që ka marrë, ka marrë edhe masat dhe hapat e duhur dhe më duken marrëzi të pretendohen gjëra të tilla. Unë nuk komentoj deklaratën e askujt, mos e merrni këtë për koment, por kryetari i opozitës ka marrë hapat e nevojshëm në raport me denoncimin dhe ndjekjen institucionale të të gjitha formave të problemit.

 

Konferenca e plotë për shtyp e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe shpjegimet e ekspertes se statistikave Ines Nurja.