“Keni ardhur në një moment të veçantë për Partinë Demokratike. Ne po përgatitemi të bëjmë ndryshime, transformime në Partinë Demokratike, jo thjesht dhe vetëm për nevojat e brendshëm por për t’iu përgjigjur gjendjes ku është vendi.
Me dy fjalë ju si studentë të Shkencave Politike i ndiqni lajmet, i shikoni zhvillimet besoj. Problematike kryesore e vendit cila është? Është korrupsioni, është krimi, është ekonomia, është varfëria, është papunësia. Po këto janë pasoja, janë pasoja të një sistemi, një sistemi politik të falimentuar. Këto të gjitha janë pasoja. Pse ka falimentuar sistemi?
Shiko çfarë ndodh, nga njëra anë as të aftët, as të talentuarit, as të zotët, as njerëzit me ide, njerëzit me talent siç jeni ju, nuk çajnë dot përpara pa patur një ndërhyrje, një mik tek pushteti, tek pushtetarët. Nga ana tjetër edhe ata që nuk janë kaq të zotë, nuk janë kaq të aftë, janë me aftësi të kufizuara, janë të vjetër nuk punojnë dot edhe ata e kanë të vështirë të mbijetojnë.
Pse? Sepse një qeveri që i thotë vetes e majtë ka hequr me një të rënë të lapsit 30 mijë familje nga ndihma ekonomike.
Kush ecën përpara sot në Shqipëri? Cila është industria më e suksesshme në Shqipëri sot? Bananet apo ato që janë poshtë bananeve?! Pra, kemi një sistem ku përpara ecin vetëm trafikantët, kriminelët, pushtetarët e korruptuar, servilët e pushtetit. Dhe ky është sistemi që duhet të ndryshojmë së bashkë.
Si ndryshohet ky sistem? Duke bërë atë që shqiptarët kërkojnë duke shkuar në Europë: liri, meritokraci, konkurrencë; secili sipas meritës të ecë përpara. Këtë kërkojmë apo jo. Që kjo të ndodhë duhet të kemi një sistem politik që ka zgjedhje të lira dhe ku të zgjedhurit të japin llogari para zgjedhësve, jo para kryetarëve të partive dhe kryeministrave.
Ky është edhe thelbi i ndryshimeve që po nisim në Partinë Demokratike, që në Partinë Demokratikë të zgjedhurit të jenë produkt i drejtpërdrejtë i vullnetit të anëtarëve të Partisë Demokratike.
Duke demokratizuar Partinë Demokratike, duke e bërë PD një parti totalisht të vlerave dhe të modelit europian ne së pari ndërtojmë një garanci për betejën që kemi përpara. Garancia është që PD me këto vlera siç i zbaton sot brenda shtëpisë, nesër do ti zbatojë në qeverisje”.