Deklaratë e deputetit Gent Strazimiri
Vettingu në polici do të bëhet nga një person me dosje me njollë, i shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë që në vitin 2002, për shkak se është gjetur i padenjë për të dhënë drejtësi, ç’ka shkatërron kredibilitetin e proçesit, duke e shndërruar edhe de facto në “edving”.
Agim Hysi, deri dje zëvendësdrejtor, është komanduar nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në krye të Shërbimit te Brendshëm, pra të policisë së policisë, organit që me ligj bën vettingun e përditshëm të Policisë së Shtetit.
Zyrtarisht, ky funksion është instrument në duart e Ministrit të Brendshëm për të kontrolluar çdo strukturë dhe efektiv policor për të parandaluar përfshirjen në korrupsion, në krim të organizuar apo në çdo lloj veprimtarie të paligjshme.
Agim Hysi, ka në dosjen e tij disa njolla, marrë në proçese për lirimin haptazi në kundërshtim me ligjin, të personave subjekt i krimeve të rënda. Ky është edhe shkaku për të cilin ai u shkarkua në vitin 2002 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe humbi çdo shkallë ankimimi, përfshirë edhe Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Me emërimin e Agim Hysit, Fatmir Xhafaj ka gjetur personin më të padenjë, të çertifikuar me vendime gjykatash që nga shkalla e parë deri në Strasburg, për t’i garantuar shqiptarët për integritetin dhe ndershmërinë e trupës së Policisë së Shtetit.
Kjo është arsyeja përse Partia Demokratike këmbënguli që vettingu i policisë të nisë nga Ministri i Brendshëm, pasi me perzgjedhje të tilla të padenja, proçesi i ashtuquajtur i Vettingut në polici, reduktohet në një proces ‘edvingu’ për të garantuar vijimin e paligjshmërisë, padenjësisë, pandershmërisë në strukturat e Policisë.
“Edvingu” i Fatmir Xhafajt dhe Edvin Ramës, do të shërbejë për të garantuar ‘bravo çunat’ e shpallur gjoja në kërkim, të vazhdojnë të qetë vakancat që u dha Partia, që ditën kur i urdhëroi, në fakt, të ‘dalin në ilegalitet’ sa të qetësohen ujërat.
‘Ujëra të qeta’ për “çunat” dhe garantët e tyre në narkoqeveri NUK DO TË KETË KURRË.
Kjo është mbase pak, por e sigurtë që sot!