Ne kemi patur një takim të zgjeruar të opozitës parlamentare dhe të strukturave drejtuese të të gjithë partive opozitare në Shqipëri dhe kemi dalë me një vendim unanim; në krah të qytetarëve shqiptarë.
Në krah të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi të cilët po goditen, po vidhen, po përçmohen dhe po poshtërohen nga një bandë kriminale në pushtet. Në krah të atyre kuksianëve të cilëve iu grabit buka e fëmijëve dhe buka e gojës me taksën korruptive të Rrugës së Kombit. Në krah të të gjithë shqiptarëve që goditen nga dita e sotme me taksat e reja të rritura mbi pronën, mbi banesat, me tarifat e shumëfishuara për faturat e ujit. Me heqjen e dhjetëra mijërave familjeve nga ndihma ekonomike. Kush kujton se ne e lëshuam këtë kauzë pasi mbaroi debati në Parlament, e ka gabim.
Shqipëria gjendet në prag të një humnere ekonomike dhe sociale. Shkaktari është Edi Rama i cili sundon në mënyrë ilegjjitime pasi vodhi zgjedhjet dhe bleu votat me paratë e drogës dhe krimit, vazhdon të qeverisë me bandat dhe banditët dhe një grusht oligarkësh, të cilëve u shet Shqipërinë copë copë sipas ofertës më të lartë duke u marrë shpirtin njerëzve të thjeshtë.
Ne kemi shteruar këto vite pothuaj të gjithë hapësirën institucionale opozitare. Ju e shihni vetë. Në këtë vend nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka demokraci. Në këtë vend qeveria shkel Kushtetutën, ligjin, pa i dhënë llogari askujt dhe pa asnjë konsenguencë. Në këtë vend merr fund dhe kapet reforma në drejtësi vetëm për shkak të frikës së mos vëllezërit e kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe ish ministri iBrendshëm, dalin para drejtësisë për bashkëpunimin e tyre të hapur me trafikantët e kokainës, heroinës dhe kultivimin e drogës në vend.
Pra këtu nuk ka më rregulla loje demokratike. Hapësira e vetme për t’i qendruar në krah qytetarëve është mosbindja qytetare dhe kjo nis që këtë javë, në krah të qytetarëve me mosbindjen qytetare, me refuzimin jo vetëm të taksës në rrugën e Kombit por të çdo takse tjetër që ka rritur Edi Rama, me të gjitha hapat, format dhe mënyrat e mosbindjes qytetare si forma më e lartë e veprimit politik dhe qytetar kundër një klike që ka zaptuar pushtetin dhe po vjedh dhe po varfëron vendin, po asgjeson shpresën dhe po zbras Shqipërinë. Ne këtë nuk mund ta pranojmë.
Ndaj ky është një vendim unanim i opozitës e cila nis që sonte organizimin për të bërë realitet mosbindjen qytetare, në krah të qytetarëve duke nisur me mospagesat e taksave të rritura nga Rama dhe duke vazhduar me të gjitha format dhe mënyrat e tjera të mosbindjes qytetare.