• Dorëzimi i mandatit nga Tahiri është konfimimi  se Edi Rama ka mbrojtur dhe vazhdon ta mbrojë Sajmir Tahirin dhe se kjo është loja e të dyve bashkë për të mbyllur dosjen “Tahiri”.

 

  • Kryeprokurori pa vetting i duhej Edi Ramës për të garantuar se Sajmir Tahiri, edhe pa mandat, nuk do të vihet para drejtësisë, duke shpëtuar kështu veten e tij.

 

  • Drejtësia e kapur dhe e shantazhuar nuk e zgjidhin dot problemin. Ajo që duhet dhe që i hap rrugë drejtësisë, është largimi i Edi Ramës.

 

Deklarata e plotë e Kryetarit të PD, Lulzim Basha.

 

Përshëndetje të nderuar zonja dhe zotërinj,

Të dashur bashkëqytetarë, të dashur gazetarë,

Lajmi i djeshëm i dorëheqjes nga mandati i deputetit Sajmir Tahiri, duhet të ishte një lajm i mirë dhe i gëzuar për vendin, por në fakt është e kundërta.

Është dëshmia e forcës së krimit dhe mafias shtetërore.

Dorëzimi i mandatit është konfimimi  se është Edi Rama ai që e ka mbrojtur dhe vazhdon ta mbrojë Sajmir Tahirin dhe kjo është loja e të dyve bashkë për të mbyllur dosjen e Sajmir Tahirit.

Ky do të ishte një lajm i mirë, nëse Sajmir Tahiri gjatë muaj më parë, kur kërkoi Prokuroria heqjen e çdo imuniteti dhe proçedimin e tij para Gjykatës do të pranonte të dorëzonte mandatin.

Por, në fakt, ndodhi e kundërta.

Sajmir Tahiri rezistoi, Edi Rama i ktheu deputetët socialistë në gjyqtarë për të mbrojtur Sajmir Tahirin.

Që kur Edi Rama e mbrojti nga kërkesa për arrest, Sajmir Tahiri e shfrytëzoi imunitetin për atë që i duhej, për të shkatërruar provat kyçe.

Ai e pastroi banesën e tij nga këto prova dhe zhvendosi me sukses thasët me eurot e drogës.

E vetmja gjurmë e tyre deri tani janë thasët me 863 mijë euro dhe patentat e Sajmir Tahirit të kapura në makinën e Orest Sotës i cili po kështu u lirua.

Kjo dorëheqje erdhi pasi Edi Rama emëroi PPP-në, Prokurorin e Përkohshëm të Përgjithshëm, pa vetting dhe vetëm me votat e tij, për të futur nën kontroll Prokurorinë.

Sot të gjithë e kanë të qartë, se përse Edi Rama nxitoi kaq shumë për të kapur Prokurorin e Përgjithshëm.

Se përse Edi Ramës i duhej një prokuror pa vetting.

Sepse vetëm kështu mund të garantonte se Sajmir Tahiri edhe pa mandat nuk do të vihej para drejtësisë dhe në këtë mënyrë do të shpëtonte veten e tij.

Kështu, pas kapjes së Prokurorisë, u eleminua dëshmitari kyç Nazer Seiti, financieri i bandës, i cili bënte pagesat prej miliona eurosh dhe u ekstradua në shkelje flagrante të ligjit shqiptar dhe për këtë sot, askush nuk është vënë para përgjegjësisë, për arsyen e thjeshtë, sepse është bërë me urdhër të Edi Ramës.

Vetëm pas këtyre akteve dhe presionit të drejtpërdrejt nga Gjermania dhe faktorit ndërkombëtar, ndaj Edi Ramës, ku i është thënë se është e patolerueshme mbrojtja me imunitet parlamentar e Sajmir Tahirit kundër veprimeve të drejtësisë erdhi dorëheqja e Tahirit, si mashtrim për Gjermaninë, si mashtrim për Europën, për të thënë që “Ja, tani është në dorë të Prokurorisë”.

Por, Prokuroria është në dorë të Ramës.

Pra, Sajmir Tahiri është dhe mbetet në dorë të Ramës sikundër Rama në dorë të Tahirit.

Ky është kodi mafioz që i lidh bashkë!

A ka shqiptar që e beson se Sajmir Tahiri do ta kanabizonte Shqipërinë dhe drejtonte trafikun e drogës, pa dijeninë dhe mbështetjen e Edi Ramës?

Sigurisht që jo, sepse Edi Ramës i duheshin milionat e drogës për të blerë zgjedhjet.

I duheshin, kriminelët dhe trafikantët për të shantazhuar zgjedhësit.

Kjo është arsyeja se përse Edi Rama vazhdon me çdo kusht të pengojë zbardhjen e së vërtetës nga Komisioni hetimor “Tahiri”. Sepse çdo informacion për Tahirin zbardh implikimin e vetë Ramës.

Kjo është arsyeja përse sabotohet Komisioni “Tahiri”.

Dokumentet dhe dëshmitë do të provojnë se në këtë skemë Sajmir Tahiri është një gur shahu, një levë, një mashë që Edi Rama e përdori për të kanabizuar Shqipërinë.

Hetimi do të provojë se operacioni vazhdon, siç vazhdon droga, skafet me tonelatat e kanabisit, që largohen pa iu hyrë gjemb në këmbë, mëngjes për mëngjes e darkë për darkë.

Kokaina, e cila vazhdon.

Xibraka dhe Maminasi janë dëshmia e kontrollit dhe garancisë që Edi Rama u jep shpërndarësve të drogave të forta në vend.

Këtë e dinë mirë shërbimet partnere, ndaj Rama nuk fshihet dot pas Tahirit që po e përdor thjeshtë për të fshehur gjurmët e tij.

Por, zonja dhe zotërinj, drejtësia e kapur dhe e shantazhuar dhe Prokuroria nën kontrollin e plotë të Edi Ramës, nuk e zgjidhin dhe nuk kanë për ta zgjidhur dot këtë problem jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Më kot t’ju kërkohet atyre, ajo që duhet dhe që i hap rrugë drejtësisë, është largimi i Edi Ramës.

Vetëm dorëheqja dhe largimi i Edi Ramës, janë zgjidhja.

Nuk ka Bashkim Europian me qeveri mafioze që vepron me kodet e mafias.

Prokuroria e kapur nuk vepron dot.

Edi Rama është provuar tashmë si pengesa e vetme në Bashkimin Europian.

Ndaj zgjidhja e vetme është largimi i tij, një qeveri antimafia dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Pyetje: Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar keni paralajmëruar disa skandale që do të plasin kësaj qeverie. A mund ta dimë se cilat janë këto skandale? 

Basha: Unë komunikimin tim publik e kam të hapur dhe transparent me ju. Prandaj le të mos merremi me çfarë është thënë dhe si është thënë. Skandali më i madh është skandali Tahiri, i cili provon katërcipërisht se ai dhe Edi Rama vazhdojnë paktin e tyre mafioz, loja vazhdon, dorëheqja e tij është pjesë e kësaj loje, pjesë e mashtrimit për t’i hedhur hi syve faktorit ndërkombëtar, por nuk do t’ia dalë dot. Përkundrazi është provuar katërcipërisht me këtë dorëheqje, një javë pasi erdhi në Parlament për të ruajtur mandatin, se pas Saimir Tahirit është Edi Rama, sikundër pas Edi Ramës është Saimir Tahiri.

Pyetje: Kur thoni qeveri antimafia, keni parasysh një qeveri teknike me bazë të gjerë apo diçka që na kthen një vit më parë apo?

Basha: Jemi të hapur për gjithçka. Ajo që kam parasysh është largimi i Edi Ramës dhe i çdo ministri të lidhur me krimin dhe me mafien.

Pyetje: Rama nuk dorëhiqet, ndërkohë ju keni tentuar rrëzimin e tij përmes protestave, por si mund të zgjidhet kjo situatë?

Basha: Largimi i Edi Ramës është zhbllokim i rrugës europiane të Shqipërisë. Ky nuk është vetëm problemi i opozitës, nuk është problemi i vetëm i opozitarëve është problemi i gjithë shqiptarëve, është problemi edhe i socialistëve të ndershëm. Ndaj Partia Demokratike do të vazhdojë të qëndrojë në krah të qytetarëve në çdo betejë, në çdo përballje që do të çojë në largimin e një qeverie që është kthyer në një makth për jetën e përditshme të shqiptarëve dhe në një pengesë për Shqipërinë europiane.

Ky është qëndrim i të gjithë opozitës.