Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Jemi sot në këtë dalje për mediat për një arsye të veçantë. Ditën e sotme mediat shqiptare, por jo vetëm, janë dominuar nga martesa e princit Harry me princeshën Megan, të cilëve natyrisht iu urojmë një martesë të lumtur, sikundër është Shtëpisë Mbretërore të Britanisë së Madhe. E uroj këtë personalisht si kryetar i Partisë Demokratike, natyrisht edhe si “Qytetar Nderi i Londrës”. Dhe për këtë aryse besoj, shpresoj dhe uroj që kjo të ketë qenë arsyeja e vetme nuk është mundësuar transmetimi i drejtpërdrejt i një tjetër dëshmie të rëndësishme sa i përket skandalit të familjes mafioze Xhafaj dhe skandalit tjetër të përpjekjes për ta mbuluar këtë veprimtari kriminale nga vetë Fatmir Xhafaj dhe vetë Edi Rama.
Për këtë arsye jemi sot këtu pasi kemi siguruar përmes medias dëshminë e gazetarit investigativ Jetmir Olldashi të cilën ju ftojmë ta ndiqni live transmetimin, se intervista ka qenë para një ore. Ta ndjekim live atë që nuk u transmetua dot live nga mediat shqiptare, nga selia e Partisë Demokratike.
(Transmetohet deklarata e plotë e gazetarit Jetmir Olldashi)
Jo vetëm në profesionin e gazetarit por në çdo shoqëri që aspiron të ndërtojë mundësi të drejta për njerëzit, për prindërit, për fëmijët, e vërteta është e rëndësishme.
Kjo është e vërteta, jo gënjeshtrat e Fatmir Xhafajt, as mashtrimet kriminale të Edi Ramës. Edi Rama edhe dje gënjeu pacipësisht duke pretenduar se ia ka bërë në Surrel ekspertizën dhe se i paska dalë falso.
Kur gazetarët i kërkuan se në cilën agjenci e ka bërë ekspertizën brenda 24 orëve heshti dhe i bëri bisht përgjigjes. Kjo për një arsye të thjeshtë: Edi Rama është pjesë e këtij skenari, e këtij komploti për të mbuluar veprat kriminale që janë denoncuar.
Vepra e parë kriminale; Agron Xhafaj vazhdon të jetë një nga kokat e drogës në Shqipëri, bosi i drogës në Vlorë. Kjo është arsyeja se përse, ndërkohë që u mbrojt dhe u mbajt këtu në kundërshtim të hapur me vendimin e drejtësisë italiane dhe në kundërshtim të hapur me ligjin shqiptar derisa ligji u ndryshua nga Fatmir Xhafaj, pa pritur pas denoncimit u përcoll në fshehtësi të plotë dhe me urgjencë që Prokuroria Rama-Marku –Prela të thotë : Ne nuk e kapim dot! Nuk e hetojmë dot!
Vepra tjetër penale përfshin drejtpërdrejtë Fatmir Xhafën, ministrin e Brendshëm, i cili këto 8 apo 9 ditë të denoncimeve ka heshtur dhe ka gënjyer dhe ka shpenzuar shumicën dërrmuese të kohës së tij për të mbuluar veprat penale të vëllait të vet me një skenar kriminal.
Dua t’u kujtoj qytetarëve shqiptarë se çdo akt për moskallëzim krimi, apo akoma më rëndë, për mbulimin e krimeve, është një krim i rëndë i parashikuar nga ligjet penale të vendit, sikundër në çdo vend normal.Fatmir Xhafa dhe Edi Rama, janë sot të dyshuar për veprën penale të mbulimit të veprimtarisë kriminale të Agron Xhafajt, të mbulimit të veprimtarisë kriminale të mosveprimit të ligjit antimafia, të mbulimit të veprimtarisë kriminale të falsifikimin të dokumentave zyrtare dhe korrupsionit të zyrtarit të lartë në detyrë. Këto janë arsyet, përse Fatmir Xhafaj vazhdon të qëndrojë në detyrë. Për të vazhduar manipulimin për të shjatërruar provat, për të intimiduar apo joshur këdo që tregon të vërtetën ashtu siç është, dhe jo ashtu siç gënjen Edi Rama dhe Fatmir Xhafa. Por qytetarët shqiptarë e kanë të qartë se insitucionet publike të vendit, ato që paguhen me taksat tuaja, me taksat tona, për të mbrojtur ligjin, për të mbrojtur qytetarët dhe për të ndëshkuar krimin, sot nën kontrollin e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt bëjnë të kundërtën. Mbrojnë kriminelët duke shkelur ligjin dhe godasin qytetarët e pafajshëm dhe të veçanti ata që guxojnë të denoncojnë lidhjet e tyre kriminale.
Dua të shpreh sot, mbështetjen e plotë dhe totale dhe admirimin tim personal për shqiptarë kurajozë, dhe gazetarë të klasit europian, si gazetari investigativ Jetmir Olldashi, si gazetarja e mbrëmshme Ambrozia Meta, dhe çdo gazetar tjetër që këto ditë e këto javë ka vendosur përkundër presionit të jashtëzakonshëm që e di, që ushtrohet në forma dhe mënyra të ndryshme, të shpalosë të vërtetën tronditëse.
Shqipëria është sot një shtet i kapur nga krimi.
Qeveria sot është një organizatë e strukturuar kriminale me Ministër të Brendshëm, anëtar të familjes mafioze Xhafaj, që kontrollon drogën dhe aktivitetin kriminal në qytetin e Vlorës.
Në krye të kësaj kupole qëndron Edi Rama.
Institucionet e kapura, jo vetëm nuk funksionojnë, por po bëjnë dhe do të vazjdojnë të bëjnë gjithçka siç bënë me përcjelljen e Agron Xhafajt, që ligji të mois veprojë.
Dhe një nga garancitë për këto sot, është vazhdimi i qëndrimit të Fatmir Xhafajt në detyrën e Ministrit të Brendshëm, post nga i cili vazhdon intensivisht ethshëm aktivitetin për shkatërrimin e provave, të veprave të shumta kriminale që janë faktuar e po faktohen.
Ndaj me 26 maj, të shtunën në orën 11.00, ju ftojmë të gjithë ju, qytetarë shqiptarë!
Të rinj e të reja, burra dhe gra, demokratë e socialistë, të bashkohemi në protestën kombëtare për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e lidhur me krimin.
Për të çliruar Shqipërinë nga zgjedha dhe tirania e krimit të organizuar, të bërë njësh me Edi Ramën, Agron Xhafajt, Fatmir Xhafajn dhe pushtetarët e tjerë në vend.
Për të zhbllokuar rrugën europiane të Shqipërisë, që sot ka vetëm një pengesë. Kapjen e shtetit, qeverinë e lidhur me krimin, Edi Ramën, Fatmir Xhafajn, aleancën e tyre me kriminb për pushtetin dhe pasurimin e tyre.
Ju ftoj të gjithëve, të shtunën në orën 11.00, të bashkohemi në protestën kombëtare, për t’i dhënë mesazhin Europës, se Shqipëria dhe shqiptarët europianë, do bëjnë gjithçka që qeveria antieuropiane e lidhur me krimin dhe drogën, t’i hapë rrugë, përmes çlirimit të vendit nga kjo qeverisje, një qeverisje të ndershme e cila do të realizojë kushtet për hapjen e negociatave.
Luftën dhe jo përgëdheljen dhe mbrojtjen e krimit të organizuar.
Luftën ndaj korrupsionit, drejtësinë e barabartë për të gjithë përmes një drejtësie të vërtetë dhe jo false, me prokurorë të kapur e me gjyqtarë të kapur.
Që nga qytetari më i thjeshtë e deri tek politikani më i pushtetshëm, pa përjashtim, të barabartë para ligjit.
Pa zgjidhur këtë, Shqipëria nuk ka shpresë, t’i hapet dera e Europës.
Pa zgjidhur këtë, nuk ka asnjë mundësi, që ne t’i dedikojmë energjitë dhe kohën tonë çështjeve më urgjente, që preokupojnë ju, ekonomisë, punësimit, mirëqenies, shëndetësisë, arsimit të fëmijëve tuaj.
Ndaj më lejoni t’jua përsëris edhe një herë këtë ftesë sot, duke cituar siç citoi dje një mik amerikan fjalët e kandidatit për President dhe vëllait të Presidentit Kenedi, Robert Kenedi: E ardhmja nuk dhurohet, ajo është në duart tona dhe e nesërmja përcaktohet nga veprimi apo mosverpomi ynë.
Ju ftoj të gjithë në protestën kombëtare, të shtunën me 26 maj në orën 11.00.
Falemnderit!