Sot është dita kur përkulemi para sakrificës më sublime të bijve dhe bijave të Shqipërisë që u flijuan në altarin e lirisë.
Nderojmë sot ata që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë kundër pushtuesve fashistë.
Nderojmë sot ata që dhanë jetën për lirinë kundër persekutorëve komunistë.
Nderojmë sot burrat dhe gratë në uniformë që dhanë jetën për lirinë e çmuar nga krimi dhe tirania e saj.
Nderojmë sot Azem Hajdarin dhe heronjtë e tjerë të demokracisë që u flijuan për liri dhe demokraci.
Dita e sotme është një ditë nderimi është edhe dita për t’i kujtuar njëri –tjetrit se liria fitohet dhe mbrohet çdo ditë, se ditën që nuk luftojmë më për liri rrezikojmë ta humbim atë.
Ndaj dhe thirrja ime për të gjithë shqiptarët sot pa dallime politike është të vazhdojmë ditë për ditë betejën tonë për lirinë e kërcënuar, lirinë nga diktatura dhe tirania e krimit, lirinë nga tirania dhe autokracia që shkel ligjin për interesat private dhe personale të pushtetit. Liria nga tirania e varfërisë, e korrupsionit që zhvat dhe shkatërron pasuritë e vendit dhe shpresën e shqiptarëve.
Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit!
I paharruar qoftë kujtimi i tyre!
Pyetje: Pati një sulm fizik mes simpatizantëve të partisë tuaj dhe nostalgjikëve të komunizmit. Keni një koment për këtë?
Basha: Partia Demokratike është e angazhuar të çojë në Parlament ligjin për ndalimin e simboleve të komunizmit, dekomunistizimin e Shqipërisë, nderimin e plotë për heronjtë që dhanë jetën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike por nga ana tjetër për të bërë të qartë se kurrë më nuk do të pranojmë rikthimin e të shkuarës së përgjakshme dhe të dhimbshme për të cilën shqiptarët kanë paguar çmimin më të shtrenjtë në Europë.
Dhe kjo do të nisë me ndalimin e simboleve të komunizmit dhe portretit të gjakatarit Enver Hoxha.
Faleminderit!