• Basha viziton në Spitalin e Traumës minatorin e plagosur ne Bulqizë, i cili bashkë me kolegun tjetër, janë jashtë rrezikut për jetën.
  • Vdekja e mbi 40 minatorëve gjatë 5 viteve të fundit është fatura e rëndë e korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës.
  • Mafia e kromit, mafia e Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit i kanë marrë jetën më shumë minatorëve se në 20 vite së bashku.
  • Ashtu si krimi i organizuar ka marrë peng Ministrinë e Brendshme , mafia e kromit, mafia e lojërave të fatit, kanë marrë peng Edi Ramën, Olsi Ramën, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurin.
  • Ka ardhur koha ta flakim këtë qeveri që s’përfaqëson interesat e njerëzve, por interesat e mafies së drogës, mafies së lojërave të fatit, mafias së kromit.

Deklarata e plotë e Kryetarit të PD Lulzim Basha 

Kam vizituar sot Selim Zenelin, një nga dy të plagosurit në aksidentin e djeshëm në minierat e kromit në Bulqizë, i cili ka pësuar fraktura, por ndodhet, fatmirësisht, jashtë rrezikuar për jetën.

Jashtë rrezikut për jetën ndodhet edhe 31 vjeçari Mentor Xheka, të cilin Selimi u fut ta shpëtonte. Selimi është dëmtuar më rëndë se Mentori. Mentori ndodhet aktualisht në spitalin e Peshkopisë, sipas informacioneve që kemi marrë përmes deputetit Gjunkshi. Gjendja e tij paraqitet stabël, mjekët kërkojnë t’i bëjnë një ekzaminim më të hollësishëm në Tiranë.

Aksidenti i djeshëm dhe plagosja e dy minatorëve në Bulqizë vjen pas një sërë aksidentesh, të cilat kanë kushtuar jetën e shtatë minatorëve në pak muaj, siç jeni të gjithë dëshmitarë.  Shtatë minatorë kanë vdekur, katër bashkëqytetarët tanë, tre minatorë kinezë në pak muaj në minierat e Bulqizës.

Këto janë kostot dhe faturat e një korrupsioni qeveritar të një prej ministrave më të korruptuar të kësaj qeverie të krimit dhe korrupsionit, të cilit i është mbyllur goja me milionat e mafies së kromit, që është përgjegjësia kryesore bashkë me qeverinë e Edi Ramës për vdekjet e mbi 40 minatorëve gjatë 5 viteve që qeveris PS.

Jam përmbajtur t’i drejtohem kësaj teme menjëherë sapo ka ndodhur e keqja që të mos përsërisim  shfaqjen e shëmtuar të socialistëve, kur ishin në opozitë, por ia vlen të theksohet se në 5 vite mafia e kromit dhe mafia e Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit me shokë i kanë marrë jetën më shumë minatorëve se në 20 vite të marra së bashku.

Kjo nuk mund të vazhdojë më.

Dhe që të mos vazhdojë më, ne duhet t’i japim fund një qeverisje të marrë peng nga krimi dhe nga korrupsioni.

Ashtu si krimi i organizuar ka marrë peng Ministrinë e Brendshme, që nga koha e Saimir Tahirit dhe tani nga Fatmir dhe Agron Xhafaj, ashtu mafia e kromit, mafia e lojrave të fatit, kanë marrë peng Edi Ramën, Olsi Ramën, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurin.

Natyrisht, kjo që themi sot, është e shkruar me vuajtje, me plagë, me varre të hapura në kurriz të shqiptarëve dhe lexohet qartë edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Ndaj, është një arsye më shumë për të gjithë shqiptarët të kuptojnë, se ka ardhur koha të flakim tutje këtë qeveri e cila nuk përfaqëson interesat e njerëzve, por përfaqëson interesat e mafias së drogës, mafias së lojërave të fatit, mafias në kromit dhe që është pengesa kryesore për një jetë më të mirë dhe shpresë për çdo shqiptar. Është pengesa kryesore për Shqipërinë europiane.

Beteja që ne kemi nisur, nuk është thjesht betejë për largimin e vëllait të familjes mafioze Xhafaj, në krye të Ministrisë së Brendshme, por është beteja për të larguar këtë qeveri, që nuk përfaqëson interesat e njerëzve, që ka tradhtuar Shqipërinë dhe shqiptarët dhe që bëhet gati të bëjë aktin përfundimtar të tradhtisë duke mbyllur derën e negociatave vetëm për të mbrojtur Fatmir dhe Agron Xhafaj, vetëm për të liruar Sajmir Tahirin, ndërkohë që mban në burg kuksianët dhe rrezikon dhe çon drejt vdekjes minatorët e pafajshëm të Bulqizës.

Faleminderit!