• Shqiptarët duhet ta dinë se pa luftuar krimin dhe drogën, pa larguar politikanët e lidhur me krimin, pa larguar politikanët e korruptuar, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat as në vitin 2019.
  • Fotoja e Taulant Ballës vërteton lidhjet e tij me bandën e Elbasanit, prej nga ka marrë foton. Balla është garantuesi i kalimit të parave të drogës së bandës së Elbasanit, për të cilën Policia është njoftuar nga partnerët.
  • Jemi në fazën e fundit të narkoshtetit, ku nuk hetohet dhe gjykohet trafikanti i drogës dhe politikani i lidhur me të, por hetohen dhe gjykohen denoncuesit.
  • Me Teatrin Kombëtar Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë korruptive grabitjeje si për Kinema 17 Nëntorin dhe Kinema Republikën, për stadiumin. I prishi për të ndërtuar kulla, prej të cilave si kryetar bashkie merrte 20 %, si kryeministër, pastron dhe merr 50 % të milionave të drogës.
  • PD do t’i kërkojë Presidentit të Republikës të mos bëhet pjesë e grabitjes me Teatri, duke i vënë veton ligjit. Faktori ndërkombëtar, i cili ka një përgjegjësi se vendi është pa një Gjykatë Kushtetuese, duhet të bëjë gjithçka për të ndaluar këtë grabitje.

Komunikimi me gazetarët i Kryetarit të PD, Lulzim Basha. 

Pyetje: Zoti Basha, qeveria thotë se po bëhet gati për të nisur përgatitjen për hapjen e negociatave, opozita çfarë duhet të bëjë për largimin e kësaj qeverie, siç e deklaruat dje në Parlament?

Basha: Duhet të kemi parasysh dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë fare mirë, pa luftuar krimin dhe drogën, pa larguar politikanët e lidhur me krimin, pa larguar politikanët e korruptuar, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat as në vitin 2019. Aq sa iu hapën në vitin 2016, aq sa iu hapën në vitin 2018, aq do t’i hapen edhe vitin e ardhshëm në qoftë se kemi përsëri Sajmir Tahirin, i cili nuk përballet me drejtësinë, sepse e mbron Edi Rama, Fatmir Xhafën, Ministër të Brendshëm me vëllanë trafikant droge, Kryetarin e Grupit Parlamentar, Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste garantues i pastrimit të parave të pista dhe Edi Ramën që sundon mbi këtë perandori të krimit, duke iu dhënë trafikantëve të drogës lirinë ta kthejnë Shqipërinë në një hambar droge dhe, pastaj, duke përdorur paratë e drogës për të ndërtuar kulla si këto që po bëhet gati të ndërtojë tek teatri.

Sa kohë që të ndodhë kjo, sa kohë që në Shqipëri nuk ka një shtet të së drejtës, sa kohë që në Shqipëri nuk ka një shtet të së drejtës, sa kohë që në Shqipëri nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, sa kohë që në Shqipëri ka një Prokurori të kapur nga Edi Rama që nuk ndëshkon, por mbron politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar dhe vetë kokat e krimit të organizuar, të cilat bredhin të lira nuk do të ketë hapje negociatash me Shqipërinë.

Ky është mësimi i 2016-ës, ky është mësimi i 2018-ës dhe në qoftë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk e mësojnë këtë mësim do të jetë edhe mësimi i 2019-ës. Tani përpara shqiptarëve shtrohet pyetja, çfarë duhet bërë?

Duhet të presim që Edi Rama të heqë mbrojtjen politike dhe të lejojë që Saimir Tahiri të shkojë në burg?

Duhet të presim që Edi Rama të largojë Fatmir Xhafën dhe të sjellë një Ministër të palidhur me krimin?

Duhet të presim që t’i kërkojë falje artistëve dhe qytetarëve që për të larë paratë e pista të drogës po bëhet gati të shembë Teatrin Kombëtar që të ndërtohen kulla. Shikojeni pak, ku është Kinema 17 Nëntori? Ku është kinema Republika? Shikoni, në vend të Kinema 17 Nëntorit dhe Kinema Republikës janë kullat.  Edi Rama tashmë e ka bërë këtë rrugë, vetëm se përpara kur ishte Kryetar Bashkie merrte 20 përqind, sot merr 50 përqind. Është skema e stadiumit me kullë dhe kullës me stadium që do të zbatojë edhe tek Teatri Kombëtar.

Si opozitë, për ne rruga është e qartë. Ne duhet patjetër të garantojmë që qeverisja e vendit të mos ketë ministra të brendshëm të lidhur me krimin. Politikanët që janë faktuar të lidhur me krimin, të shkojnë para drejtësisë. Që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë, që asnjë të mos jetë mbi ligjin dhe asnjë politikani të mos i garantohet mbrojtje politike, siç po bëhet me Fatmir Xhafën, siç po bëhet me Saimir Tahirin, siç po bëhet me Taulant Ballën, garantuesin e parave të pista të drogës. Dhe, po kështu, na duhet një vend, ku të kemi kontroll dhe balancë pushtetesh. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese mbron të drejtat e njeriut, mbron funksionimin normal të shtetit.

Pse është eliminuar Gjykata Kushtetuese?

Që të kemi zot dhe shkop Edi Ramën, kryeministrin e lidhur me krimin. Sa kohë kjo të mos ndryshojë, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat dhe kjo duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar.

Sa kohë që ne vazhdojmë kështu, ajo që ne na gjeti në 2016-ën, ajo që ndodhi para dy ditësh në Bruksel, ajo do të ndodhë prapë pas një viti.

Vetëm në qoftë se hedhim këto hapa, atëherë ekziston mundësia që Bundestagu, Parlamenti holandez, vendet e tjera anëtare të japin dritën jeshile dhe pastaj Këshilli Europian që është instanca e fundit vendimmarrëse, të japin dritën jeshile për negociatat.

Në qoftë se kjo nuk ndodh, na pret prapë pas një viti kjo që patë sot, këtë vit, kjo që patëm edhe para dy vitesh. Ky është realiteti i thjeshtë për çdo shqiptar që ta kuptojë.

Pyetje: Z. Basha qeveritë largohen nga votat dhe ju duhet të prisni deri zgjedhjet e ardhshme për të larguar qeverinë?

Basha: Më pyetët për çështjen e integrimit europian që shqiptarët të kuptojnë se çfarë po e bllokon integrimin europian. Po e bllokon një qeveri e lidhur kokë e këmbë me krimin. Sa kohë që të kemi politikanë të lidhur me krimin, ministra, deputetë, sa kohë që të kemi politikanë të lidhur me krimin dhe drogën që në vend që të shkojnë para drejtësisë, shëtisin me kalë, Shqipërisë nuk i hapen negociatat. Nuk ka vend të negociojë për t’u bërë anëtare e familjes europiane që të ketë një ministër të brendshëm të akuzuar për lidhje me drogën,  i cili bredh i lirë, sepse drejtësia është nën presion, siç e thonë edhe vetë diplomatët në Tiranë. Një ministër tjetër të lidhur me drogën, me vëllain e tij kësaj radhe, jo thjesht me kushërinjtë, që prapë krekoset majë podiumit dhe një Kryeministër që jo vetëm garanton trafikun e drogës, por tani e ka vënë qeverinë e tij në funksion të pastrimit të parave të drogës, siç po bëhet me kullat e teatrit dhe për këtë arsye ka asgjësuar edhe Gjykatën Kushtetuese.

Kaq e thjeshtë është!

Pyetje: Si do të veproni në 5 korrik, z. Basha kur parashikohet të kalojë ligji?

Basha: Opozita ka një plan të qartë, të cilin do ta vërë në veprim. Së pari, ne do të kundërshtojmë në komisionet parlamentare dhe në seancën e 5 korrikut me të gjitha format dhe mënyrat parlamentare këtë projekt grabitje. Kjo është grabitje. E njëjta grabitje që u bë tek “17 Nëntori”, e njëjta grabitje që u bë tek “Republika”, e njëjta grabitje që u bë tek stadiumi. Bëhet vetëm që Edi Rama të marrë jo 20 por 50% të milionave, të pastrojë paratë e drogës dhe të marrë 50% të milionave të drogës. Pra, ne do ta kundërshtojmë në çdo instancë të parlamentit, në komisione dhe në seancë.

Së dyti, ne do t’i kërkojmë Presidentit të Republikës të mos bëhet pjesë e kësaj grabitje dhe t’i vërë veton çfarëdo ligji, që Edi Rama dhe kupola e tij grabitqare duan të kalojnë në Parlament.

Së treti, duhet t’i bëjmë presion faktorit ndërkombëtar, i cili ka një përgjegjësi se vendi është pa një Gjykatë Kushtetuese që të bëjë gjithçka për të ndaluar këtë grabitje.

Dhe së katërti, patjetër që do të protestojmë dhe do t’i bashkohemi qytetarëve në protestë, do t’i thërrasim qytetarët në protestë dhe do të protestojmë për të ndaluar këtë grabitje.

Pyetje: Zoti Basha çfarë lidhje keni me vëllezërit Vladi? Sot ka nisur prokuroria një hetim ndaj jush. Nuk dhatë një përgjigje së çfarë ju lidh me ta, kur zoti Balla ju parashtroi një foto në zyrën tuaj.

Basha: Parashtrimi i fotos vërteton vetëm se Taulant Balla është kapobanda dhe e ka marrë atë foto nga banda e Elbasanit. Unë takoj me mijëra njerëz si politikan. Nuk e mbaj mend atë person, as nuk më ka prezantuar njeri me atë person. Është apo nuk është ai, këtë nuk mund ta them unë, Një gjë është e saktë: Nëse është ai, ta marrin, ta arrestojnë që tani. Ta arrestojnë në këtë moment, nëse ky qenka personi i dyshuar.

Pyetje: A e mbani mend kur ka qene në zyrën tuaj?

Basha: Jo nuk e mbaj mend. Disa thonë që mund të ketë qenë në kuadër të një fushate të zgjedhjeve të pjesshme në Dibër, por e kam të pamundur për momentin, sepse, siç e dini ju, unë takoj me mijëra njerëz. Personi në fjalë nuk më thotë asgjë, por nxjerrja e kësaj fotoje vërteton se kapobanda është Taulant Balla. Taulant Balla është garantuesi i kalimit të parave të bandës së Elbasanit.

E para, paratë janë të bandës së Elbasanit. Se çfarë janë aksesorët e tjerë, pak rëndësi ka. E dyta, policia është njoftuar nga partnerët. Dhe  e treta, këto janë para droge, të cilat pastrohen me bekimin dhe garancitë e kupolës socialiste, në këtë rast të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS. 

Pyetje: Opozita e ka kushtëzuar marrëdhënien me Parlamentin e denoncimin që sapo përsëritët. Gjithashtu, keni deklaruar se me moshapjen e negociatave ju do të merrni një kthesë të madhe dhe do të përshkallëzoni aksionin opozitar. Kur do të nisë ky përshkallëzim dhe a përfshihet bojkoti  i Parlamentit si pjesë e këtij përshkallëzimi, pasi ka qene edhe diçka që është kërkuar nga grupi parlamentar.

Basha: Të gjitha opsionet janë në tavolinë. Diskutimet kanë nisur, do të intensifikohen ditët e ardhshme dhe vendimet, natyrisht, do të bëhen publike.  

Pyetje: Zoti Basha po shkelni ju në dërrasë të kalbur siç tha Ministri i Brendshëm?

Basha: Mos bridhni pas fjalëve të atyre që janë kapur në krim! Duhet ta keni kuptuar tani që Edi Rama, Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj dhe veglat e tyre, Arta Marku me shokë, nuk merren me krimin, por merren me denoncuesit e krimit. Prandaj janë vendosur aty, që, në vënd që të merren me krimin dhe kriminelët, në vend që të merren me organizatat e drogës, me kokat e organizatave kriminale, rrjeteve kriminale, siç thotë Bashkimi Europian në raportin e fundit, në vend që të merren me pastruesit e parave, merren me denoncuesit. Kjo është faza e fundit e narkoshtetit. Nuk kemi më ç’të presim pas kësaj, përveçse hapave që një shoqëri e civilizuar duhet të hedhë për t’u çliruar nga droga dhe nga narkoshteti.

Pyetje: A ndjeheni viktimë e rrethanave, deklarata juaj në parlament dhe fotoja me zotërinë, a është një koincidencë shumë e çuditshme?

Basha: S’ka fare lidhje kjo. Paratë janë të një prej bandave më të rrezikshme të Elbasanit. Garantuesi i marrëveshjes quhet Taulant Balla. Të tjerat janë përpjekje që kriminelët dhe garantuesit, në këtë rast, Taulant Balla, t’i shpëtojnë pasojave ligjore. Normalisht, policia duhet ta kishte ndjekur se ku do të kishin shkuar paratë, duhet të kishte ndjekur informacionin që u ka shkuar i plotë nga agjencitë serioze të ligj zbatimit. Por, natyrisht, policia nuk është aty as për të arrestuar kokat e krimit, as për të vënë para përgjegjësisë Taulant Ballën, që është garantues i marrëveshjes. Është aty për t’u marrë me denoncuesit dhe jo me krimin. PD dhe unë kemi denoncuar dhe do të vazhdojmë të denoncojmë pa asnjë ngurrim dhe pa asnjë hezitim krimin dhe aksesorët e krimit në Partinë Socialiste dhe në Policinë e Shtetit.

Ju faleminderit!