Le të fillojmë ta kërkojmë Europën brenda vetes sonë si opozitë. Kjo është një ftesë edhe për ata socialistë të ndershëm që nuk kanë zhytur turinjtë, duart apo brrylat në çorbën e prishur të krimit dhe drogës.
Dhe natyrisht për të gjithë shqiptarët, fermerë, biznese të vogla e të mesme, të papunë e në veçanti për rininë. Për rininë dhe po kështu për elitën e vendit, për intelektualët, për artistët.
Le të fillojmë ta kërkojmë Europën brenda vetes tonë. Le të ndërtojmë së bashku një aleancë të madhe të vlerave europiane që janë në esencë vlerat shqiptare të drejtësisë, të moralit të shëndoshë, të të vërtetës, të respektit për njëri tjetrin, të respektit për ligjin, për Kushtetutën.
Për liritë themelore të një raporti të ri midis qeverisë dhe qytetarit, ku kjo e para nuk mund të jetë kurrë më pronare e fatit të njerëzve por shërbëtore e fatit të tyre.