Fjala në Kuvend e Kryetarit të Grupit Parlamentar Edmond Spaho
Nga sa na ka njoftuar kryeministri ynë me statuset e tij të cilat i nxjerr si simitet nga furra, ai ka fituar një betejë 72 orëshe me dallgët dhe BE na paska hapur negociatat për anëtarësim. Pas shtyrjes së negociatave në Dhjetor 2013 dhe “hapjes” me kushte të negociatave në Qershor 2016, tani në Qershor 2018, “shkëmbi i granitit” në buzë të Adriatikut, fitoi një betejë tjetër duke iu “hapur” negociatat, ndoshta në Qershor 2019. Në haremin qeveritar shpërtheu shampanja, gëzimi derdhet lumë, valon darja dhe gërneta, ca të huaj thonë që kjo është fitorja më e madhe e arritur nga Rama që nga kanabizimi i vendit në 2016, kurse Ditziu falenderon Europën që negociatat nuk u hapën. Por cila është e vërteta? Në Qershor 2016 Evropa na vuri 5 kushte dhe shpresonim që negociatat do të hapeshin pas një viti, pra në 2017. Sot në 2018 na kanë vënë 13 kushte dhe shpresojmë se ndoshta hapen në 2019-ën. Kemi humbur 3 vjet nga “hapja” e vitit 2016 dhe 6 vjet nga viti 2013 kur Rama me Rilindjen e tij erdhi ne pushtet. Të gjithë e dinë që në 2019 as bëhet fjalë që të hapen negociatat me Shqipërinë. Me këtë kryeminister dhe qeveri, mundësia më e parë është pas zgjedhjeve të vitit 2021. Cilat kushte nuk plotësoi qeveria dhe për pasojë iu mohua hapja e negociatave kushte për të cilat opozita ka kohë që insiston.
1. Korrupsioni.
Paratë e shiptarëve vidhen sheshit dhe askujt nuk i hyn gjëmb në këmbë. Me PPP janë vjedhur qindra milionë euro dhe janë planifikuar të vidhen qindra milionë të tjera. Konçesionet në shëndetësi, projektet e Rilindjes urbane, po shoqërohen me konçesionet në infrastrukturë si “Rruga e Arbrit”, inceneratorët, Aeroporti i Vlorës, shoqëria ajrore AirAlbania, ndërtimi i “Stadiumit Kombëtar” dhe një sërë projektesh të tjera me të cilat thithet edhe pika e fundit e gjakut të një populli të varfër.
2. Krimi i organizuar dhe mpleksja në mënyre të pazgjidhshme me qeverinë e Edi Ramës.
Një qeveri e cila pak kohë më parë kishte Ministër të Brendshëm Sajmir Tahirin të lidhur me bandat kriminale të Vlorës që drejtoheshin nga kushërinjtë e tij. 5 milion euro në muaj fitonte Sajmir Tahiri si mbrojtes i bandave ose rreth tre Toyota Yaris me euro në muaj. Rreth 7 Toyota Yaris me euro shpenzonte Sajmiri për të vjedhur dhe manipuluar zgjedhjet.
Tani është koha të rishtrojmë disa pyetje:
· Për ekstradimin e Nezar Seitit di kush të thotë, kush e pati fajin: Prokuroria apo Ministria e Drejtësisë? Sepse ka filluar nje hetim i cili duhet të hetoje ca fakte të thjeshta të cilat mund të vërtetoheshin në disa ditë por që në të vërtetë hetimi do mbarojë në kalandat greke.
· Kush ndërhyri për lirimin e Sajmir Tahirit në gjykatë që ju akuzoi ambasadorin amerikan, mund të na e thoni? Pas Sajmirit erdhi Fatmiri i cili nuk kishte kushërinjtë por vëllain të përzier me banditët.
· Di të thotë njeri përse nuk erdhi ekspertiza e audiopërgjimit dhe ku është i ashtuquajturi aktor që bëri audiopërgjimin?
· Di të thotë njeri, se çfarë u bë me ato 613 kg kokainë? Perveç dy çirakëve dhe atij të kapur në Gjermani ka dalë ndonjë emër tjetër?
· Kush ishte grupi që e porosiste, e priste, e paketonte dhe e shpërndante drogën nëpër Europë dhe shpëlante paratë? Kjo histori është harruar, çudia më e madhe 3 ditë zgjat në Shqipëri.
3. Pastrimi i parave.
Shqipëria është kthyer në lavatriçen më të madhe në Europë të pastrimit të parave të krimit të organizuar, jo vetëm atij shqiptar por edhe ndërkombëtar. Doni shembuj?
3,6 milione euro ne dy Toyota Yaris. Por kur me nje Toyota me bagazh të vogël pastrohen pothuaj 2 milion euro, po me nje kamion të madh me rimorkjo sa milion euro pastrohen? E ekzagjeron opozita thonë daullet e Edi Rames. Po shvlerësimi i euros si shpjegohet?
Kur ne shpjegonim vjet rënien e euros me paratë që u përdorën për manipulimin e zgjedhjeve, Rama zgërdhihej. Po sot çdo të thotë? Sa kamionë me euro kanë hyrë që kursi i këmbimit ra me 200 lek si kurrë më parë. Dhe i lutem ekspertëve të kazanit që të na i kursejnë shpjegimet për rënien e kursit të euros me turistët.
Nëse nuk pastrohen para, si shpjegohet rritja 300% e lejeve të ndërtimit në Tiranë? Me se po ndërtohen kullat, ku gjenden paratë? Sistemi bankar nuk ka rritur asnjë cent kredinë për sektorin e ndërtimit. Di të më thotë kush nga vinë paratë dhe si ta kuptojmë termin “ Ndërtimet realizohen me vetëfinancim”?
I vetmi shpjegim për to janë paratë e krimit dhe të drogës. A është e përzierë qeveria në këtë pastrim masiv të parave të krimit shqiptar dhe atij ndërkombëtar?
Kokë e këmbë duke filluar nga vete Edi Rama. Idea e ndërtimit të hoteleve me 5 yje në bregdet dhe në Tiranë dhe heqja e taksave per ta është ide e tija dhe shpërblim që po i bën vetes dhe narkotrafikut.
4. Kanabizimi i vendit.
Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet hambari më i madh i Evropës për kanabis. Ata që thonë që është eleminuar kultivimi i kanabisit por po trafikohen stoqet e viteve të kaluara thjesht gënjejnë.
Të vërtetën e tha nje general i policisë italiane për gazeten franceze “Liberation”: “Kemi bërë analizat e dhjetëra tonëve kanabis të kapura në brigjet e Italisë së jugut dhe na rezulton që është prodhim i 6 muajve të fundit”. Lufta që gjoja Edi Rama po i bën kultivimit të kanabisit është një farsë. Nuk ka si të jetë ndryshe kur ai është ideatori dhe realizuesi i idesë më shkatërruese siç është kanabizimi i tërë vendit në bashkëpunim me rrjetet ndërkombëtare të drogave. Kanabizimi i Shqipërisë dhe heshtja ndaj kësaj masakre që ju bë një kombi të tërë është turpi dhe faji i atyre që e panë dhe nuk folën.
5. Kthimi i Shqipërisë në vendin e parë që dërgon azilantë në Evropë.
Si mund të pranohemi në Europë kur problem i parë që ka Europa është ndalimi i emigrantëve dhe azilantëve. Çfarë standardesh politike, ekonomike dhe shoqërore ka një vend i cili renditet i pari në listën e vendeve që dërgojnë më shumë azilantë në BE. Zero standarde ka vendi i cili renditet në një vend të tillë. Si mund të pretendojë Edi Rama që ka plotësuar standardet kur gjatë 5 viteve të qeverisjes së tij 157 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e BE? 5% e popullsisë kërkon azil gjatë një periudhe 5 vjeçare dhe vendi pretendon të ketë kryer reformat dhe të hyjë në BE. Për të qeshur dhe për të qarë!
6. Kapja e të gjithë pushteteve dhe heshtja ndaj kthimit të Edi Ramës në një diktator të ngjashëm me ata të Lindjes së Mesme.
Sot Shqipëria nuk ka Prokurori. Kemi një Prokurore të Përgjithshme të përkohshme e cila thuhej që do rrijë në funksion deri në Prill, por vetëm viti i cilit Prill nuk dihet ende. Krimi lulëzon nga të katër anët dhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkoheshme bën sehir. A u gjet kush e vodhi Prokurorinë e Durrësit dhe korrespondencën e saj në Postë? Shqipëria që do të hyjë në Evropë është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Të na falë Afrika se na ka ngelur zakon të themi që as në Afrikë nuk ngjet kjo kur në fakt ne jemi me vite larg Afrikës. Qeveria jonë mund të bëjë ç’të dojë dhe askush nuk ka ku të ankohet. Media është venë e gjitha nën kontrollin e pushtetit dhe me dëshirë të plotë i bije vetëm gajdes së Edi Ramës. Pronarët e mediave shohin veçse për leje ndërtimi. Kryeministri ka stacionin e tij privat ku derdh diarenë e përditshme për të trrullosur popullin e tij. Shoqëria civile inekzistente, jargavitet veçse për fonde dhe të drejtat LGBT. Për para të zezës i thotë e bardhë dhe të bardhës e zezë. Për ta mbyllur po i referohem se çfarë tha Rojter për hapjen e negociatave për Shqipërinë: “Vetëm duke parë progresin e bërë qershorin e ardhshëm dhe pas një tjetër Raporti të Komisionit Europian, qeveritë e BE-së mund të vendosin për çeljen e negociatave të antarësimit në fund të vitit të ardhshëm. Këto dhe të tjera janë arsyet përse Europa nuk na hapi negociatat. Ne keto kushte te degjosh Kryeministrin te thote fituam nje beteje me dallget dhe Ministrin e Jashtem te thote sot eshte nje dite e mire per Shqiperine nuk mund te mos ju drejtohesh me fjalet e Shvejkut: Mire qe u cmendet te gjithe por pse ne nje dite?