Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Zonja dhe zotërinj,
10 muaj më parë, në fillimet e kësaj legjislature paralajmërova tre gjëra:
1. Paralajmërova se pas fazës së kultivimit dhe trafikut masiv të kanabisit, krimi në vend do të evoluojë në një fazë dhe formë të re dhe më të rrezikshme: në trafikun e drogave të rënda dhe, mbi të gjitha, në pastrimin e parave dhe kapjen e ekonomisë formale nga krimi.
2. Paralajmërova se në Shqipëri do të shkatërrohej çdo proces demokratik politik, çdo politikë institucionale për t’u zëvendësuar me sundimin personal të një njeriu.
3. Paralajmërova se i vetmi interes që do të kishte Edi Rama, do të ishte ruajtja e pushtetit të tij me çdo mjet, që do ta zhyste atë dhe kupolën e tij qeverisëse gjithnjë e më shumë në krim.
Edhe pse isha i bindur që këto gjëra do të ndodhnin, as unë vetë nuk e kisha menduar që brenda 10 muajve ato, jo vetëm do të provoheshin plotësisht, por në një kohë kaq të shkurtër, i gjithë pushteti do të degradonte, kalbëzohej dhe falimentonte plotësisht.
Në 10 muaj Shqipëria ka prodhuar kronika të krimit politik më shumë se e gjithë Evropa në 10 vjet.
Këta 10 muaj e keqja shpërtheu dhe po qelb gjithë Shqipërinë dhe Europën.
Këto 10 muaj e keqja doli në shesh pa makiazh, pa ngjyra, pa fasada: Rilindja ka dalë lakuriq dhe, të gjithë, më në fund, zbuluan se ajo është një kërmë, që mbjell kolerën kudo ku shkel.
Tani shqiptarët dhe Europa mësuan të vërtetat që u mbajtën ca kohë fshehura nga makineria më e madhe e agjitacion-propagandës që ka parë ndonjëherë Shqipëria:
* Mësuan se Ministri i tyre i Brendshëm, krahu i djathtë i lëvduar për katër vjet si hero nga Edi Rama ishte një trafikant i rëndomtë droge që kishte shitur jo vetëm pushtetin, por edhe shpirtin për drogën.
* Mësuan se policia e tyre, krenaria e propagandës së Edi Ramës, ishte kthyer në një organizatë kriminale në shërbim të trafikut të drogës.
* Mësuan se pasardhësi i Ministrit trafikant të Brendshëm është një tjetër mbështetës i trafikut që bënte i vëllai, i dënuar në Italia me vendim të formës së prerë.
* Mësuan se krybashkiaku i Durrësit ishte ortak me kriminelët për të vjedhur vota në shkëmbim të tenderave publikë.
* Mësuan se Ministri i Energjisë, njësoj, jep e merr me kriminelët në skemën e qeverisë: një leje – një votë.
* Mësuan se Ministri i Financave është bërë njësh me mafian e plehrave për ta kthyer Shqipërinë në kosh të plehrave të Evropës.
* Mësuan se numër dy i Partisë Socialiste është garanti i pastrimit të parave të krimit dhe të mafias.
Shqiptarët panë dhe mësuan sesi vendi i tyre është bërë një nga vendet kryesore të trafikut të kokainës në botë dhe mësuan se, kudo në Evropë, ku janë kapur tonelata kokainë në Shqipëri, në Spanjë, në Gjermani, në Greqi, në Turqi ku janë përfshirë shtetas shqiptarë, të lidhur drejtpërdrejt me Edi Ramën dhe qeverinë e tij, që përdorin Shqipërinë si bazë të tyre.
Shqiptarët panë si po mbijnë nga hiçi kulla dhjetëra katëshe dhe dhjetëra e qindra milionë euroshe, që po e kthejnë Shqiëprinë në një lavatriçe të paprecedentë të pastrimit të parave të pista.
Sikurse kanë parë sesi banka e familjes së kryeministrit po kap gjithë sektorin bankar, ndërkohë që po ngrihet kudo alarmi se në bankat e Shqipërisë pastrohen para.
Përballë krimit në yrysh, fatkeqësisht shqiptarët panë këto 10 muaj edhe drejtësinë fasadë, me prokurorinë e kapur nga Kryeministri, e cila si kurrë më parë si në këto 10 muaj, ka liruar dhe lehtësuar kriminelë pa i hyrë gjemb në këmbë dhe nuk ka mundur të kapë asnjë kokë të krimit dhe asnjë politikan të korruptuar apo të ldhur me krimin.
Shqiptarët panë sesi u shpërbë Gjykata Kushtetuese dhe sesi u paralizua Gjykata e Lartë, duke e kthyer Shqipërinë në vendin e parë në historinë e botës, përfshi edhe të diktaturave, pa Gjykatë Kushtetuese dhe praktikisht pa Gjykatë të Lartë. Kaq mjafton për të pezulluar çdo mbrojtje të të drejtave të njeriut, të lirisë, të pronës.
Shqiptarët panë këta 10 muaj edhe si vetingu u shndërrua në vegël politike të Edi Ramës për të kapur të gjitha institucionet e drejtësisë.
Shqiptarët panë këta 10 muaj sesi ka vazhduar pa u ndalur, pa u ngopur grabitja e vendit me konçesione të reja për rrugë, porte aeroporte, kontrolle teknike dhe çdo gjë të mundshme në favor të oligarkëve me paratë e zhvatura direkt nga njerëzit ose taksat e tyre.
Shqiptarët kanë parë këto 10 muaj sesi e edhe ajo ekonomi anemike është përqëndruar në mënyrë të frikshme dhe kriminale në duart e pak njerëzve, të pesë-gjashtë klientëve që kontrollojnë çdo gjë në marrëveshje me Edi Ramën.
Në mënyrë skandaloze sistemi bankar po përqëndrohet në pak duar, sistemi arsimor në pak duar, sistemi shëndetësor në pak duar, sektori i ndërtimit në pak duar, tregtia në pak duar.
Askund nuk është mishëruar e gjithë kjo e keqe, e shkrirë e gjitha në një, sesa në përpjekjen për shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar:
Aty janë bërë bashkë etja e Edi Ramës për para duke zhvatur pronat publike për të ndërtuar dhe marrë pjesën e tij.
* Me qëllimin e tij për të pastruar paratë e drogës që do të financojnë këtë projekt masiv ndërtimi prej qindra milionë dollarësh
* Me projektin e tij për të përqëndruar gjithë ekonominë në pak duar, duke e bërë këtë projekt me oligarkun e preferuar dhe arkitektin e preferuar.
* Me mënyrën personale, autokratike të qeverisjes pa përfillur as ligje, as institucione, as standarde duke bërë një ligj antikushtetues dhe duke tjetërsuar në mënyrë antiligjore dhe kriminale pronën publike;
* Me kontrollin e të gjitha pushteteve prej tij,
* Me mungesën e drejtësisë pa asnjë mundësi për antikushtetueshmërinë e këtij ligji
* Me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të pronës, ku dy pronarëve u janë njohur pronat, por nuk u kthehen, sepse do t’ia japin privatit.
Në këtë projekt janë manifestuar të gjitha anët e Edi Ramës: hajduti i sëmurë, krimineli me kollare, gënjeshtari patologjik, sundimtari dallkuak ballkanik.
E gjithë karriera politike e Edi Ramës, që nga fillimet e saj, është e lidhur me dy faktorë të rëndësishëm: me paratë e krimit dhe drogës, dhe me vjedhjen me ndërtuesit e hapësirave publike të Tiranës.
Të gjithë e dinë sesi Edi Rama para gati 20 vjetësh trashëgoi paratë e një nga bandave kryesore të drogës të asaj kohe në Tiranë, me të cilat siguroi pushtetin dhe vazhdimin e karrierës politike.
Sikurse të gjithë e dinë se që në ditët e para si Ministër Kulture dhe Kryetar Bashkie zbuloi paranë e madhe që bëhet me leje ndërtimi dhe me vjedhjen e pasurive publike.
Në kohën kur ishte kryetar bashkie, ai e ktheu Tiranën në një lavatriçe parash të krimit: nuk mbeti trafikant droge, kriminel dhe i korruptuar që nuk ndërtoi në Tiranë duke marrë leje nga Rama në këmbim të 20 përqindëshit.
Si Kryeministër ka më shumë pushtet dhe tani garanton direkt trafikun e drogës, tani garanton direkt pastrimin e parave, duke dhënë leje ndërtimi nga Velipoja në Ksamil.
Ja si përfundoi bashkëqeverisja me krimin.
Pesë vjet bashkëqeverisje me krimin. Dhe do të vazhdojë çdo ditë, sa kohë të jetë në pushtet.
Rezultati është varfërimi i shqiptarëve, izolimi i tyre nga Europa dhe braktisja e vendit.
Moshapja e negociatave ishte rezultat i krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës. Ështe rezultat i zgjedhjes së vetëdijshme të Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin, Fatmir Xhafajn, Gjiknurin, Dakon, habilajt, balilët dhe të gjithë kokat e krimit dhe politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Oqean? Mos gënjeni veten tuaj zotërinj ambasadorë, se shqiptarët nuk gënjehen më! Peshqit e mëdhenj janë në krahun tuaj në çdo pritje zyrtare dhe në podiumin e qeverisë këtu në parlament.
Edi Rama zgjodhi krimin dhe jo Shqipërinë dhe sot ai nuk del dot më nga vatha e krimit. Ai nuk është thjesht një politikan ballkanik i korruptuar dhe i inkriminuar: ai është një politikan i kapur dhe kontrolluar tërësisht nga krimi.
Shqipëria ka nevojë për ndryshime të mëdha. Por ndryshimi i parë dhe fillimi i të gjitha ndryshimeve është largimi i Edi Ramës dhe, bashkë me të, i regjimit të tij kriminal. Vetëm atëhere Shqipëria do të ketë sërish mundësinë të shohë përpara më optimizëm.