- Kryeregjistruesi urdhërohet nga Rama që t’i fshehë Parlamentit informacionin, nëse “Fusha shpk” është pronar kufitar me Teatrin, siç pretendohet në ligjin e posaçëm.
- Kryeregjistruesi refuzoi të thotë sipërfaqen në pronësi të “Fusha shpk”, që do të marrë falas rreth 9 mijë m2, kohën e rregjistrimit të pronës, si dhe sa pronarë të tjerë kufitarë ka me Teatrin.
- PD do të vazhdojë të bëjë transparencë duke provuar se fshehja e informacionit nga ZRRP synoj të mbulojë gënjeshtrën publike të Ramës dhe Veliajt se “Fusha shpk” është pronar kufitar me Teatrin.
Deklarata e plotë e Kryetares së Komisionit të Kulturës, Albana Vokshi, pas mbylljes së Komisionit të Kulturës, në të cilën Kryeregjistruesi shkeli Kushtetutën dhe ligjin, duke mos dhënë informacionet e kërkuara nga opozita në lidhje me pronësinë e Teatrit Kombëtar dhe zonën përreth tij.
Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë justifikuar miratimin e ligjit “Fusha” me pretendimin se ai ishte pronar kufitar me Teatrin Kombëtar.
Deri më tani, megjithë kërkesat tona të shumta, ata kanë refuzuar të bëjnë transparencë mbi pronën konkrete të kompanisë “Fusha”.
- A është ajo pronë kufitare me pronën e teatrit?
- Sa është kjo sipërfaqe që ka “Fusha” në pronësi?
- Kur është blerë prona nga “Fusha shpk”
- Pronar kufitar me Teatrin Kombëtar është vetëm kompania “Fusha” apo ka edhe pronarë të tjerë kufitarë?
- Nëse ka pronarë të tjerë kufitarë, pse Rama ka zgjedhur kompaninë “Fusha” për të bërë pazar?
Meqenëse Kryeministri, Ministrja e Kulturës, kryetari i Bashkisë kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur të japin informacionin e kërkuar nga deputetët e opozitës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për statusin e deputetit, në mungesë totale të informacionit nga ana e ministrisë dhe nga ana e bashkisë, atëherë disa deputetë të opozitës me anë të një shkrese zyrtare i kërkuan informacion kryeregjistruesit. Pra, iu drejtuan Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Informacioni është detyrim për t’u dhënë sepse kjo është një e drejtë kushtetuese e opozitës.
Në dëgjesën e parë kryeregjistruesi refuzoi të paraqitej, refuzoi të dërgonte edhe informacionin në shkelje të Kushtetutës, në shkelje të legjislacionit në fuqi.
Në dëgjesën e sotme, po ashtu me urdhrin e Ramës, kryeregjistruesi refuzoi të jepte informacionin e kërkuar nga deputetët e opozitës ngritur si shqetësim edhe nga artistët, edhe nga arkitektët, nga urbanistët, nga historianët, nga të gjithë qytetarët e Tiranës, por jo vetëm.
Gjithashtu kryeregjistruesi refuzoi të jepte informacion në lidhje me pikën e fundit të kërkesës së bërë nga deputetët. (tregon kërkesën).
Kjo është kërkesa e dërguar për të disatën herë kryerregjistruesit e cila thotë: “Kërkon të jepet informacion për gjendjen aktuale të pronësisë së pasurive të paluajtshme, që përfshihen brenda zonës kadastrale 8150, të ndara sipas pronarëve respektivë.”
Është e drejtë e Kuvendit, është e drejtë e opozitës, është e drejtë e publikut të dijë, sa pronë ka Kompania Fusha, për të cilin Rama ka hartuar një ligj të veçantë të posaçëm dhe për të cilën po i merren rreth 9 mijë m2 truall qendrës historike, madje duke shembur Teatrin Kombëtar.
Me urdhër të Edi Ramën, ZRPP sot refuzoi të japë informacion se kush janë pronarët kufitarë dhe sa sipërfaqe ka secili prej tyre. Refuzoi të jepte informacion, nëse vërtetohej se nëse Fusha ishte vërtetë pronar kufitar ashtu sikurse Edi Rama dhe Erjon Veliaj pretendon.
- Përse e fshehin këtë informacion?
- Mos kanë gënjyer deri tani publikisht?
- Çfarë e detyron Edi Ramën të mos bëjë transparencë? Çfarë e detyron Edi Ramën të urdhërojë deputetët e maxhorancës në Komision një herë të bojkotojë mbledhjen e Komisionit dhe sot të vazhdojë në shkelje të Rregullores së Kuvendit, pa kuorum, një mbledhje të paligjshme, të cilën unë në cilësinë e Kryetares së Komisionit e konsiderova të mbyllur?!
- Përse të gjithë fshehin propozimin e “Fushës”?
- Përse të gjithë fshehin projektin e kompanisë “Fusha”?
- Përse qeveria refuzon të bëjë transparencë?
- Çfarë fshihet pas mungesës së transparencës?
Partia Demokratike e ka të qartë se institucionet mund ta fshehin informacionin me urdhër të Ramës, mund të shkelin edhe Kushtetutën dhe për këtë do të mbajnë përgjegjësi. Por Partia Demokratike është e vendosur të bëjë transparencë dhe të çmontojë me fakte mashtrimin e Edi Ramës për të përfituar 205 milionë euro.