Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, bëri sot homazhe në nderim të aktorit të madh të humorit, “Artistit të merituar”, Fadil Hasa, i cili u nda nga jeta para kohe, pas një sëmundje të rëndë. Së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe deputetë e drejtues të Partisë Demokratike në Durrës, Basha vendosi një kurorë me lule në hollin e Pallatit të Kulturës në Durrës, ku u organizuan homazhet për nder të artistit të madh, Fadil Hasa.
Mesazhi i kryetarit Basha pas homazheve
Sot është një ditë e trishtuar për artin shqiptar, personalisht për mua si një admirues i Fadil Hasës që i vogël. Një nga njerëzit e pakët që në Shqipërinë e ditëve të errëta, dinte të sillte buzëqeshje dhe humor në shpirtrat dhe në shtëpitë e shqiptarëve.
Një ditë e trishtuar për artdashësit, për të gjithë qytetarët e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë. Kemi humbur një nga artistët më të talentuar të humorit shqiptar, I cili me groteskun e tij, por edhe me thellësinë e interpretimit të tij, jo vetëm në rolet e teatrit, estradës por edhe të kinematografisë, kapi dhe eksploroi lartësi të panjohura deri atëherë për artin shqiptar.
Kemi humbur, po kështu, një qytetar të devotshëm. Një prind shembullor, një kryefamiljar! Kemi humbur kështu, një mbështetës të Partisë Demokratike, anëtar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Sot dua tu shpreh nga zemra, ngushëllime familjes Hasa, vajzave të Fadilit, të gjithë admiruesve të tij anembanë Shqipërisë.
U prehtë në paqen e Zotit!
I paharruar kujtimi i tij!