- Koncesioni korruptiv i check up prej 7 milionë euro në vit ka dështuar dhe duhet anuluar!
- Pavarësisht rritjes fiktive me urdhër të qeverisë, vetëm 26 përqind e popullsisë që e përfiton, ka bërë check up.
- Partia Demokratike është e vendosur të anulojë çdo koncesion korruptiv dhe, me ligjin e ndryshuar antimafia, t’u kthejë shqiptarëve çdo qindarkë të grabitur.
Deklaratë e deputetes Albana Vokshi
Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin e shëndetësisë falas, por shqiptarët po i paguajnë shumë më shtrenjtë me vuajtjet në spitalet pa ilaçe dhe shërbimet e përkeqësuara.
Simboli i korrupsionit në shëndetësinë e Edi Ramës është konçesioni i kontrollit të përgjithshëm shëndetësor, i njohur si konçesioni i check up-it, pronar i të cilit është Vilma Nushi, klientja dhe sponsorizueja e Edi Ramës.
Vilma Nushi paguhet që prej 2015-ës me rreth 7 milionë euro në vit që të bëjë 475 mijë kontrolle, por sipas kontratës korruptive të Edi Ramës, shteti është i detyruar t’i paguajë Vilma Nushit çdo qindarkë të 7 milionë eurove, edhe sikur check up-in të mos e bëjë as edhe një qytetar i vetëm.
Ky është një skandal që Partia Demokratike e ka denoncuar që ditën e parë të shpalljes së kontratës korruptive, që rrënon shëndetësinë dhe pasuron Edi Ramën me Vilma Nushin.
Disa vite më pas është qartësisht e dukshme se kontrata e konçesionit të check up-it tashmë ka dështuar.
Jo vetëm se analizat janë të pasakta dhe burrat rezultojnë shtatzanë dhe gratë me prostatë, por edhe sepse, me gjithë fallsifikimet dhe rritjet fiktive, vetëm 26 përqind e popullsisë që përfiton, kanë kryer analizat e check up-it.
Pavarësisht numrit shumë të ulët, sipas kontratës korruptive, klientja dhe sponsorizuesja e Edi Ramës është paguar miliona euro për shërbime të pakryera kurrë.
Në vitin 2015 Vilma Nushi është paguar 1.7 milionë euro, për 100 e 11 mijë e 830 analiza të paktyera kurrë.
Në vitin 2016 Vilma Nushi është paguar 2.2 milionë euro, për 145 mijë e 445 analiza të pakryera kurrë.
Në 2017 Vilma është paguar plotë 2.5 milionë euro për 163 mijë e 32 analiza që nuk i ka bërë kurrë.
Pra në total, në tre vite, Vilma Nushi është paguar 6.4 milionë euro për mbi 420 mijë analiza të pakryera asnjëherë.
Konçesioni i Check up ka dështuar, edhe pse Edi Rama urdhëroi që askush të mos marrë ndihmë ekonomike, pa kryer check up, asnjë viktimë e dhunës në familje të mos marrë ndihmën që i takon, pa kryer chekup, askush nuk mund të punojë në arsim dhe shëndetësi pa kryer check up.
Dështimi i koncesionit të Edi Ramës me chek up është skandaloz, pavarësisht vendimit të qeverisë për të futur në listë edhe personat nga 35 vjeç e lart, kur kontrata fillestare caktonte moshën mbi 40 vjeç.
Dështimin e konçesionit të check up-it e ka konfirmuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili i ka rekomanduar qeverisë rishikimin total të kontratës.
KLSH ka kerkuar që konçesionari të mos paguhet për shërbime të pakryera si deri më tani dhe të sigurohet cilësia e lartë e analizave për të sjellë besueshmërinë e qytetarëve.
Por Edi Rama sigurisht ka urdhëruar të mos bëhet rishikimi i kontratës së Vilma Nushit.
Partia Demomratike ka një tjetër qëndrim!
Konçesioni i dështuar i check up duhet të anullohet dhe 7 milionë eurot që i jepen çdo vit klientes së Edi Ramës të programohen për rritjen e shërbimit në spitale.
7 milionë Euro të konçesionit të dështuar të check up, do të mjaftonin për t’u siguruar kurat dhe mjekimet e munguara të sëmurëve me kancer, që shpesh dergjen në mëshirë të fatit pa asnjë shpresë dhe detyrohen që të pagujanë çdo kursim të tyre ose të marrin kredi për t’i siguruar ato në spotalet private.
7 milion Euro të konçesionit të dështuar të check up do të mjaftonin për të rritur pagat dhe për të siguruar shpërblime për të gjithë mjekët dhe infermierët që punojnë në kushte skandaloze dhe që, shpesh përballen me zemërimin e drejtë të të sëmurëve apo të afërmve të tyre se nuk u sigurojnë dot mjekimin e duhur.
Partia Demokratike është e vendosur të anullojë konçesionin e dështuar të chek up dhe çdo konçesion tjetër korruptiv dhe me ligjin e ndryshuar antimafia, çdo pasuri dhe qundarkë e grabitur, do t’u kthehet shqiptarëve.