Pas gjithë skandaleve, për të cilat jeni bërë dëshmitarë, skandaleve të Ramës, skandaleve të qeverisë dhe ministrave të tij, seanca e sotme me të ashtuquajturën Prokurore të Përkohshme, kishte rëndësi të madhe dhe për këtë arsye ne si deputetë të opozitës ishim pothuajse të gjithë të pranishëm aty. Jo sepse njohim një prokurore, që siç e thamë aty nuk ka asnjë tagër kushtetues për të kryer detyrat e kryeprokurorit, por sepse, pikërisht shpresonim që të paktën “Zonja PPP” të jepte përgjigje për disa nga çështjet më të rëndësishme, skandaleve më të mëdha që kanë plasur gjatë gjithë kësaj kohe.
Siç e ndoqët asnjë prej deputetëve të opozitës nuk mori përgjigje. Siç e tha Klevis Balliu, asaj përveç emrave të tjerë, nga sot mund t’i themi “Zonja nuk e di”, sepse mesa duket ka vajtur aty dhe zbaton vetëm urdhërat dhe porositë që i jep partia dhe asgjë më tepër.
Por ajo që unë dua të denoncoj tani është ajo që ndodhi me komisionin. Fakti që Ulsiu, i cili dihet që ka një lidhje pak më të ngushtë sesa të tjerët me zonjën, duke parë që zonja ishte në vështirësi, bëri një akt, në fakt është një akt i përsëritur i këtij Parlamenti, duke kërkuar t’i mbyllë gojën opozitës edhe njëherë. Mbylli në mënyrë krejtësisht të parregullt komisionin, ndërkohë që ishte në kulmin e pyetjeve të cilat po drejtoheshin nga deputetët e opozitës. Nuk është rasti i parë, këtë e bën Gramoz Ruçi në seancat e tij të Parlamentit. Të njëjtën gjë bëri edhe Ulsi Manja edhe sot, duke mbyllur në mënyrë arbitrare zhvillimin e punimeve të Komisionit të Ligjeve.
Nuk janë bërë pyetjet akoma, nuk janë bërë diskutimet në lidhje me raportin dhe qëndrimin e prokurores dhe absolutisht kjo seancë nuk është e mbyllur. Ata mund të vazhdojnë të veprojnë edhe në këtë rast si në çdo rast tjetër, por të jenë të bindur si këta që e shkelin përditë rregulloren dhe Kushtetutën, si ajo që është vënë aty në shkelje të Kushtetutës, një ditë do të japin llogari. Drejtësia do t’i shpëtojë hallkave që e kanë kapur sot dhe një ditë, po e përsëris, të gjithë këta do të japin llogari para një drejtësie të vërtetë.