Partia Demokratike u përfaqësua në seancën plenare të së hënës vetëm nga kryetari i grupit parlamentar, Edmond Spaho, në shenjë proteste ndaj falsifikimit të votimit për Ligjin e Teatrit.
Në vijim fjala e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho.
Zoti Kryetar!
Ditën e enjte është kryer votimi për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, një akt i paprecedentë. Por më shumë se përmbajtja e ligjit edhe vetë procesi i votimi ka pasur defekte, rezultati është manipuluar. Një prej deputetëve të opozitës nuk ka qenë prezentë në sallë, rezulton të ketë votuar pro ligjit për shembjen e teatrit. Sikurse e tha edhe kolegu Vasili nuk është hera e parë në këtë Kuvend që të ndodhin çudira të tilla. Edhe në të shkuarën ne jemi privuar nga e drejta për të folur nëpërmjet vullnetit të shumicës.
Kërkesa jonë për të anuluar votimin për ta rivotuar ligjin është bërë para dy ditësh. Duke qenë se çështja është urgjente dhe mjaft e rëndësishme, shumë e rëndësishme. Nuk e besoj se ka ndonjë gjë më të rëndësishme se pretendimi që ka opozita për manipulimin e rezultatit të votimit për një ligj special, të veçantë.
Kështu që e para gjë që duhej të bënte Kuvendi mendoj që gjatë këtyre dy ditëve deri në seancën e sotme do të ishte verifikimi i pretendimeve të opozitës dhe sot të kishim një përgjigje të qartë se çfarë ka ndodhur.
Të ndodhur në këtë situatë, në këto kushte ne si opozitë nuk do të marrim pjesë në seancën e sotme për shkak se gjendje të tilla në Kuvendin e Shqipërisë po bëhen të zakonshme. Opozita jo vetëm po privohet për të drejtën e fjalës por për më keq, vullneti i saj po denatyrohet nëpërmjet mekanizmave të tilla të cilat falsifikojnë votimin e një ligji kaq të rëndësishëm dhe të kontestuar nga një pjesë e madhe e opinionit publik.