DEKLARATA E DEPUTETES SË PD FATBARDHA KADIU

Pushteti i Ramës nisi me reklamën e madhe të operacionit “Fundi i Marrëzisë”, me pretendimin se do të mbyllte kazinotë dhe biznesin e bixhozit nëpër të gjitha cepat e pallateve.

Ky operacion përfundoi të ishte vetëm një  marrëzi e pafund.

Pikat e basteve janë katërfishuar, sepse qeveria e Edi Ramës ka vendosur të zgjerojë biznesin, me të cilin iu mburr shqiptarëve se do ta mbyllte.

Në 2013 ato ishin 928, sot numri i tyre e kalon 4230 pika bastesh, bixhozi dhe kazinosh. Vetëm në vitin 2017, shqiptarët kane lënë 132 milion euro ne bixhoz.

Kjo është e vërteta që Ministria e Financave, tinëzisht, po kërkon të mbulojë, duke kanalizuar aferën korruptive të lojërave të fatit në një diskutim teknik, pa u thënë shqiptarëve pse e shtyn zbatimin e ligjit prej 3 vjetësh.

E vërteta është se ndryshimet ligjore favorizojnë Lotarinë Kombëtare, kompani e cila do të përfitojë nga lehtësitë në taksim, njësoj siç përfitojnë bizneset e tjera të bixhozi që nga viti 2015.

Ndërkohe që,

  • biznesin e vogël e falimenton duke e futur në skemën e TVSH,
  • fatura e ujit është rritur me 40%,
  • energjia elektrike është rritur me  30% dhe
  • çdo biznesi i janë shtuar shpenzimet me 23 %,

i vetmi sektor ku qeveria bën lehtësira, që kur ka ardhur në pushtet, është sektori i bixhozit.

Ka një arsye pse bixhozi sot është 4 fishuar: Ky është një biznes që kontrollohet nga familja e kryeministrit Edi Rama dhe krimi i organizuar me të cilin qeveris për të pastruar paratë e pista të drogës dhe korrupsionit qeveritar.

Departamenti I Shtetit e ka futur Shqipërinë në lisën e zezë të vendeve kryesore të Pastrimit të Parave për të dytin vit radhazi, ku një nga fushat kryesore, që Departamenti evidenton, janë lojrat e fatit.

Partia Demokratike është e vendosur të shfuqizojë çdo ligj që ul taksat për biznesin e bixhozit.