DEKLARATË E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, EDMOND SPAHO.

Viti i pestë i qeverisë së Edi Ramës ka përkeqësuar ekonominë e familjeve shqiptarë.

Mungesa e investimeve dhe përqendrimi i ekonomisë tek disa klientë të kryeministrit kanë ndikuar për keq në ekonomi, e cila nuk ka rritje reale që të ndikojë në rritjen e punësimit apo hapjes së vendeve të reja të punës.

Statistikat e Edi Ramës se rritja ekonomike është 4.45 përqind janë përpjekje për të mashtruar shqiptarët.

E vërteta është se zëri kryesor i të ashtuquajturës rritje ekonomike është energjia elektrike.

Numrat janë të pagabueshëm! 66.4 përqind të rritjes ekonomike e zë energjia elektrike. Thënë ndryshe, rritja ekonomike prej 4.45 përqind ka ardhur për shkak të reshjeve të shiut dhe shitjes së energjisë elektrike.

E zhveshur nga zëri i energjisë elektrike, ekonomia shqiptare rezulton keq e më keq, me një rritje minimale prej 2.5 përqind, sepse energjia elektrike nuk prodhon punësim nuk hap vende të rëja pune.

Ekonomia mund të njohë rritje reale vetëm

  • kur në Shqipëri të vijnë investime serioze të huaja,
  • kur kryeministri të mos i shantazhojë investitorët e huaj që të punojnë me oligarkët e tij
  • kur kryeministri të mos e japë Shqipërinë me konçesion tek klientët e tij dhe
  • kur kryeministri të mos e shndërrojë Shqipërinë në kampionë të Europës për korrupsion, ku 1 në 3 tendera jepen pa garë

Të gjitha këto, siç vuri në dukje Departamenti Amerikan i Shtetit, po ndodhin në Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama.

  • Prandaj Shqipëria është vendi i vetëm në botë që nuk ka patur asnjë investim serioz të huaj gjatë pesë viteve të fundit.
  • Prandaj nuk ka mundësi për sipërmarrje ekonomike dhe konkurencë të ndershme.
  • Prandaj nuk janë krijuar vende të reja pune.
  • Prandaj sot shqiptare janë edhe më keq dhe nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë as pushime modeste me familjet e tyre.

Partia Demokratike beson se ekonomia mund të rritet duke e çliruar nga klientët e kryeministrit dhe krijuar mundësi reale për të gjithë.

Mundësinë për rritjen e mirëqënies së familjeve shqiptare e siguron alternative e partisë Demokratike me taksat e ulëta, lufta ndaj korrupsionit dhe dhënia fund klientelizmit dhe abuzimit me fondet.

Ata që po vjedhin sot, të jenë të sigurt se nesër do të do të shkojnë në burg për çdo qindarkë dhe pasuri të vënë me korrupsion.