• Skema korruptive e koncesioneve dhe PPP-ve ka dëmtuar buxhetin e shtetit me 3.7 miliardë euro. Këto para nuk jepen për investime serioze, por për oligarkët e lidhur me Edi Ramën, Vilma Nushin, Klodian Zoton, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin.
  • Ndërkohë që investitorët e huaj largohen nga Shqipëria, vetëm Klodian Zoto përfiton si dhuratë, pa asnjë meritë a kapacitet, 178 mln euro dhe 2 licenca ekskluzive.
  • Nga mbi 200 partneritete që qeveria Rama ka bërë, pothuajse asnjë prej nuk është bërë me një kompani perëndimore.
  • Nëse me tender rrugët ndërtoheshin me 1 milionë  euro për çdo km , me partnerët e Ramës ato do kushtojnë 10 milion euro për km.
  • Nga korrupsioni i qeverisë, çdonjërës prej 800 mijë familjeve shqiptare i është vjedhur mesatarisht 5 mijë euro.

DEKLARATA E PLOTË E DEPUTETIT AGRON SHEHAJ

Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, 3.7 miliardë euro është abuzimi me buxhetin i qeverisë Rama.

Duke pasur parasysh që janë 800.000 familje që jetojnë në Shqipëri i bie që kjo qeveri i ka vjedhur pothuajse 5000 euro çdo familjeje shqiptare.

Vjedhja e certifikuar që po i bëhet popullit shqiptar  nuk është vetëm kriminale por edhe çnjerëzore, sepse po vidhet një prej popujve më të varfër në Europë, nga njerëz që janë betuar se do t’i shërbenin popullit të vetë dhe në fakt i shërbyen vetvetes dhe një grupi oligarkësh.

Pasi denoncuam me forcë  që partneriteti publik privat dhe koncesionet janë skema korruptive, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, me gjuhë diplomatike, i quajti vjedhje.

Me paturpësinë me te madhe Ministri Ahmetaj iu përgjigj kësaj akuze të Departamentit Amerikan të Shtetit që PPP-të nuk i ka shpikur ai, si të thotë një hajdut i kapur në flagrancë që thesin nuk e shpiku ai.

Mese e vërtet, as Check-up-in nuk e shpiku Rama, ai thjesht e përdori për të vjedhur, as inceneritoret nuk i shpiku Ahmetaj , as teatrin, as aeroportin e Vlorës , as kompaninë ajrore, nuk janë shpikje të kësaj qeverie, janë nevoja te domosdoshme të shoqërisë në disa raste, por kjo qeveri i përdor për të vjedhur.

Kjo qeveri nuk përdor tenderat për të ndërtuar infrastrukturën, si këshillojnë të gjitha institucionet ndërkombëtare, por partneritetet sepse ne kete menyre  thela bëhet me e majme, vidhet me shume dhe për një kohë të gjatë.

Mjafton një fakt, nga mbi 200 partneritete që qeveria Rama ka bërë, pothuajse asnjë prej atyre me vlerë të rëndësishme nuk është bërë me një kompani perëndimore.

Sepse Rama partneritetet i bën vetëm me disa  oligarkë shqiptare, vetëm ata që pranojnë të bëhen partner biznesi me Ramën mund të fitojnë një koncesion. Sepse vetëm ata i kthejnë Ramës një pjesë së parave që Ramës i duhen për të konsoliduar pushtetin e tij absolut.

Çfarë marrëveshje partneriteti ka Rama me Vilma Nushi ? Nga 100 milionë euro sa  i kthen qeverisë? Po për sa i takon inceneritoreve, nga 200 milionë euro sa merr Zoto dha sa Ahmetaj? Po nga 400 milionë euro të Rrugës së Kombit?… Sa do marrin?

Projekti 1 miliardë është shumë i mire për Ramën dhe partnerët e tij por jo për shqiptarët.

Nëse me tender rrugët ndërtoheshin me 1 milionë  euro për çdo km , me partnerët e Ramës ato do kushtojnë 10 milion euro për km.

Nuk bëhet Shqipëria me ministra dhe politikanë të pandershëm, të etur për pushtet dhe që mendojnë vetëm për vete.

Anulimi i të gjitha koncesioneve korruptive do të jetë Akti i parë që partia demokratike do bej kur të marrë votëbesimin e shqiptareve.

Pak rëndësi ka se në cilën zyrë avokatie perëndimore janë bërë, nuk mundet që një popull dhe një shtet të mbahet peng nga një grup politikanesh kusarë dhe oligarkë të përlyer.

Do jetë detyra jonë parësore që të ndalojmë këtë vjedhje dhe ato para t’ja kthejmë qytetarëve shqiptare, jo vetëm nëpërmjet shërbimeve publike, por edhe nëpërmjet pagesa direkte familjeve në nevojë.

Askush nuk duhet të mendoj se mund te vjedhë shqiptaret përfundimisht sepse kontrata e PPP nuk prishet dot. Mos Anulimi i PPP-ve korruptive do forconte këtë bindje dhe do krijonte një precedent të rrezikshëm për politikanet qe synojnë pushtetin për te vjedhur.

Shteti i ka të gjitha instrumentet e nevojshme të mbrojë interesat e qytetarëve, mjafton vullneti, dhe ne e kemi vullnetin dhe vendosmërinë e duhur që paratë e PPP-ve korruptive t’ia marrim Nushit, Zotos, Ramës, Ahmetaj,Gjiknurin etj, dhe t’jua kthejmë qytetarëve.

DEKLARATA E PLOTË E DREJTUESES SË DEPARTAMENTIT ANTIKORRUPSION NË PD, LEALBA PELINKU

Në raportin e fundit KLSH evidentoi se qeverisë i mungojnë kapacitetet për të mbikëqyrur kontratat konçesionare. Në fakt, ne jemi të bindur se nuk është çështje mungese kapacitetesh, por mungesë vullneti nga ana e qeverisë. Kjo sepse koncesionet më korruptive dhe me vlera më të larta, ose janë të ministrave të saj, ose të oligarkëve pranë saj. Rasti më flagrant është ai i tre konçesionarëve të inceneratorëve të Arben Ahmetajt.

Partia Demokratike gjatë vitit të fundit ka denoncuar aferën e inceneratorëve, ku Arben Ahmetaj me emrin e nëpunësit të tij të mëparshëm Klodian Zoto, pa asnjë përvojë propozoi dhënien me koncesion te incenerimit te mbejtjeve dhe, pa asnje gare, lidhi kontratën me shtetin shqiptar për tre djegës mbetjesh për 178 milionë euro. Lista e shkeljeve te ligjit për të tre procedurat koncesionare është e gjatë, mungesa e garës, tenderit ndërkombëtar, mungesa e pervojes, shitja e kuotave të shoqërisë koncesionare dikujt pa asnjë përvojë të ketë fushe me vetëm 20 000 lekë, pagesat e kryera që deri me sot shkojnë 32 mld lekë, ndërkohë që inceneratori i Fierit ende nuk dihet kur dhe ku do të vihet në punë.

Por duket se kjo aferë nuk ishte thjesht shoqëri, nëpërmjet adminsitratores Stela Gugallja, si ortak i vetëm dhe Loran Dusha si administrator, i cili nga ana tjetër eshte administrator tek shoqëria koncesionare e Zotos per inceneratorin e Fierit, krijon nje shoqeri dhe pa asnjë dite përvojë, pas disa muajsh, aplikon dhe  i jepet leje me afat 25 vjeçar për gërmimin e kuarcit ne Pervalle te Librazhdit. 10.000 ton/vit per 25 vite. Jo vetëm kaq, por aplikon per tregtimin e gazit natyror, disa muaj pasi e vendos ne objektin e veprimtarisë e licenca i jepet. Kjo është shoqëria e radhës e Klodian Zotos, “C.G.C” shpk, edhe kjo me seli tek Sky Toëer, kati 13, zyra 13/2. Leje minerare dhe licencë gazi. Kur bizneset shqiptare janë në faliment, kjo kompani deri më tani merr 5 koncesione e licenca ekskluzive, pa asnjë ditë eksperiencë në asnjë nga fushat përkatëse.

Po kështu, koncesionarja e Fierit qe e ka te ndaluar nga kontrata koncesionare te operoje në sektorë të tjerë, ka shtuar objektin e veprimtarisë edhe ne fushën minerare.

Pra, shtrirje ne çdo sektor te mundshem, duke kapërcyer rregullat e garës e duke asgjësuar konkurrencën. Praktikisht sot në ekonomi nuk ka më garë tha departamenti i shtetit dhe ky është shembulli më konkret. Sot të gjithë sektorët e ekonomisë janë 5 oligarkë që marrin tenderat e koncesionet ndërkohë që 45 biznese në ditë janë mbyllur gjatë gjysmës së parë të vitit. Duket se çdo biznes është në vështirësi, përveç atyre që zotërohen nga Rama e Ahmetaj. Ndërkohë që investitorët e huaj largohen nga Shqipëria, vetëm Klodian Zoto përfiton si dhurate, pa asnjë merite a kapacitet, 178 mln euro dhe 2 licenca ekskluzive.

Pikërisht kjo ishte çfarë DASH evidentoi kur u shpreh se kompani qe kanë lidhje me politiken, pengojnë konkurrencën, apo gjykata europiane e auditit kur tha se një në tre tendera jepen pa garë. Ne fakt, kur behet fjale për Klodian Zoton, asnjëherë nuk ka pasur gare, as tek kontratat koncesionare, as tek lejet minerare e as ne tenderat publike të përfituara nga ai.

Partia Demorkatike beson se një ekonomi e lirë tregu, ku të gjithë garojnë të barabartë, me taksa të ulura e pa burokraci do çlirojë kapitalin e do rrisë investimet në ekonomi. Partia Demokratike do të nisë një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit jo vetëm si pengesë në procesin e integrimit, por dhe si arsyeja e vetme se pse sot të rinjtë janë pa punë, se pse rrogat e pensionet nuk rriten se pse nuk ka investime në rrugë, shkolla e spitale.

Rishikim i ligjit të koncesoneve e prokurimeve për të siguruar konkurrencë të lirë, do të jetë prioritare së bashku me Ligjin Antimafia që do të kthejë çdo qindarkat të vjedhur nga qeveria nëpërmjet krimit e korrupsionit të shqiptarët.