• Sot u realizua skenari që u ndodh vendeve që sundohen nga krimi: një gazetare që zbulon lidhjet e mafias me pushtetin është sulmuar me armë 
  • Sulmi me armë ndaj gazetares, që denoncoi lidhjet e ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit 
  • Kam një mesazh për Edi Ramën: Do të mbash ti përgjegjësi, i vetëm, nëse gazetares Klodiana Lala, familjes së saj, çdo gazetari që nuk ha bukën tënde, i preket qoftë edhe një fije floku 
  • Sa kohë kryeministri qeveris me krimin, Shqipëria do jetë në mëshirën e bandave. Koha të përballemi me të 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Të dashur bashkëqytetarë!

Të dashur dhe të nderuar gazetarë, operatorë dhe punonjës të medias!

Në vendin tonë të vogël të stërmunduar nga varfëria, krimi dhe korrupsioni, sot u realizua edhe ajo pjesë e skenarit që u ndodh vendeve që sundohen nga krimi: një gazetar që zbulon lidhjet e mafias me pushtetin është sulmuar me armë.

Familja e gazetares Klodiana Lala është sulmuar sot herët në mëngjes me breshëri automatiku dhe plumbat kanë goditur dhomën ku flenë vajzat e saj në shtëpinë e gjyshes së tyre.

Mesazhi mafioz për gazetaren është i qartë: se kush del nga rreshti, kush nuk i bindet urdhrave, kush shqetëson qeverinë, kush nuk i bindet sundimit të krimit, e ka fundin e shpejtë.

Dua të shpreh vendosmërisht mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike për Klodiana Lalën, familjarët e saj dhe çdo gazetar të papërkulur nga krimi, të pablerë nga kjo qeveri që, prej 5 vjetësh, nuk u shërben qytetarëve, por bashkëqeveris me krimin.

Dua t’u them atyre, familjeve të tyre dhe çdo shqiptari që refuzon të qeveriset nga krimi, se kemi vetëm një rrugë për ta fituar betejën: duhet të qëndrojmë! Duhet të luftojmë! Duhet të përballemi!

Sa herë media hesht, krimi triumfon!

Sa herë shoqëria hesht, krimi na qeveris!

Ne ia kemi dalë të largojmë nga parlamenti dhe nga disa bashkitë e vendit disa dhjetëra kriminelë, me të cilët Edi Rama erdhi në pushtet, por fitorja nuk është akoma në anën e shoqërisë.

Edi Rama i ka zëvendësuar kriminelët që dekriminalizimi i nxori jashtë Parlamentit, me të emëruarit e kriminelëve.

Sulmi me armë ndaj gazetares Klodiana Lala, e cila së fundmi denoncoi dhe nxori në dritë lidhjet e ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit, janë tregues se me Edi Ramën, krimi ndjehet i paprekshëm!

Kjo është e vërteta e hidhur! Prej 5 vjetësh krimi po triumfon, sepse krimi bashkëqeveris me Edi Ramën!

Falë bashkëqeverisjes me Edi Ramën, krimi kontrollon kupolën e policisë dhe Ministrinë e Brendshme.

Prej bashkëqeverisjes  së Edi Ramës, me krimin, sot Shqipëria nuk ka polici, nuk ka prokurori, nuk ka gjykata.

Prandaj shantazhohen gjyqtarë, qëllohen me armë gazetarë, qëllohen me armë biznesmenë, dhunohen, përdhunohen e grabiten qytetarë nga shtëpitë e tyre.

Edi Rama të lërë lotët e krokodilit dhe të gjejë autorët e sulmit mafioz me armë kundër gazetares Klodiana Lala!

E ka fare të thjeshtë!

Le të thërrasë banditët e vet brenda dhe jashtë burgut, le të flasë me horrat e vet brenda dhe jashtë parlamentit dhe të gjejë mafiozët që, nën mbrojtjen e qeverisë së tij, guxojnë të përdorin armë kundër gazetarëve që zbulojnë lidhjet e krimit me Edi Ramën dhe qeverinë e tij.

Sot, kam edhe një mesazh për Edi Ramën: do të mbahesh ti përgjegjësi i vetëm, nëse gazetares Klodiana Lala, familjes së saj, çdo gazetari që nuk ha bukën tënde apo çdo opozitari me qeverinë tënde, i preket qoftë edhe një fije floku nga horrat dhe krimi që ke nën urdhra!

Mesazhi im për çdo qytetar është i thjeshtë dhe i kuptueshëm për ata që duan ta kuptojnë!

Sa kohë kryeministri i vendit është i lidhur me krimin, Shqipëria do jetë në mëshirën e bandave.  Me të mirat dhe të këqijat tona, duhet të qëndrojmë të bashkuar, të qëndrojmë dhe të çlirohemi nga krimi që qeveris vendin.

Faleminderit!