- Ministria e Arsimit fsheh numrin e shkollave të mbyllura dhe numrin e nxënësve të cilët nuk nisën ditën e parë mësimore.
- PD evidenton se brenda një dite janë mbyllur 150 shkolla, mes tyre shkollat në vendlindje të Fishtës dhe Asdren-it, në katër vjet 130 mijë nxënës kanë braktisur mësimin.
- Ministria e Arsimit shkeli Ligjin, mbylli shkollat pa konsultim me komunitetin. Gjendja në arsim është katastrofike si rrjedhojë e politikanëve antisociale të Edi Ramës dhe politikave të dështuara Rama-Nikolla në arsim.
- Partia Demokratike do të ketë arsimin prioritet në programin e saj, financim në nivelin 5% për arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë.
DEKLARATË E KRYETARES SË KOMISIONIT TË EDUKIMIT, ALBANA VOKSHI
Sot është dita e parë e shkollës së vitit shkollor 2018-2019. Qindra mijëra fëmijë e kanë sot një ditë shumë të rëndësishme, e kanë një ditë të mbushur plot emocione dhe emocionet shkojnë jo vetëm për fëmijët por edhe për prindërit, fëmijët e të cilëve sot e kanë ditën e parë të shkollës.
Ndaj unë gjej rastin që nga përpara Ministrisë së Arsimit t’i uroj të gjithë fëmijëve, në të gjithë Republikën e Shqipërisë, po ashtu edhe 34 mijë mësuesve një vit sa më të mbarë dhe sa më të suksesshëm!
Por aryseja përse unë sot jam para jush është se jo të gjithë fëmijët e kanë pasur një ditë me emocione, një ditë të lumtur. Janë me mijëra fëmijë në të gjithë Republikën e Shqipërisë, por kryesisht në zonat rurale të cilët ose nuk kanë patur mundësi që të shkojnë në një shkollë, pasi shkollat e tyre janë mbyllur, ose janë detyruar të udhëtojnë me kilometra të tëra edhe më këmbë për të shkuar në shkollën më të afërt.
Sot që është dita e parë e shkollës nuk kemi as edhe një informacion nga Ministria e Arsimit për numrin e mbylljes së shkollave; sa është numri total dhe ku janë shkollat që janë mbyllur? Sa është numri i nxënësve që duhen të shpërngulen nga njëra shkollë e mbyllur në shkollat e tjera? Sa është numri total i mësuesve të cilët kanë ngelur në ditën e parë të shkollës, të cilët janë edhe me shumë përvojë dhe eksperiencë, të cilët sot gjenden në rrugë?
Partia Demokratike duke mos pritur informacione nga Ministria e Arsimit, sot ka pasur në terren të gjithë deputetët e saj të cilët kanë vizituar të gjitha shkollat e mbyllura në të gjitha fshatrat. Në fakt gjendja është shumë e rëndë, është tronditëse, pasi janë rreth 150 shkolla të mbyllura.
Në oborret e shkollave nuk ka fëmijë të qeshur e të lumtur, por fëmijët janë zëvendësuar me qen ose me gjela, ose me pula, ose me shkurre. Por, faktin që unë dua të përmend sot janë edhe më të rënda, pasi jo vetëm ka dhjetëra shkolla të mbyllura në të gjitha qarqet e vendit, janë rreth 9 shkolla në Lezhë, 10 shkolla në Bulqizë, 10 shkolla në Mat, 6 shkolla në Klos, 8 shkolla në Pogradec, 3 shkolla në Devoll, 18 shkolla në Elbasan, 18 shkolla në Gjirokastër, 8 shkolla në Tiranë, 3 shkolla në Berat, janë disa shkolla në Vlorë, është një shkollë në Shkodër, janë rreth 150 shkolla të mbyllura sot. Gjendja në arsim është katastrofike dhe e gjitha kjo ka ardhur si rrjedhojë e politikanëve antisociale të Edi Ramës, si pasojë e politikave të dështuara Rama-Nikolla në arsim, si pasojë e braktisjes së arsimit, si pasojë e braktisjes së shkollave, sepse qytetarët duke qenë kaq të varfër, duke mos pasur asnjë mundësi jetese në qytet dhe në fshat, janë detyruar të azilojnë, janë detyruar që të braktisin shkollën.
Nuk janë mbyllur vetëm klasa kolektive ashtu sikurse Ministrja e Arsimit pretendon, por janë mbyllur edhe shkolla mëmë, dhe një pjesë prej tyre shkolla që kanë vlera shumë të rëndësishme historike, janë mbyllur sot dhe e kemi denoncuar nga deputetët e Partisë Demokratike, është mbyllur shkolla në vendlindjen e Fishtës.
Është mbyllur sot shkolla në vendlindjen e Asdren-it, janë mbyllur shkolla të cilat janë hapur që në 1920 dhe 1926, me para të emigrantëve shqiptarë në Amerikë dhe sot Rilindja e Ramës i mbyll. Dhe mbyllja e shkollave është bërë në mënyrë antiligjore.
Është bërë në mënyrë antiligjore, pasi Ministrja e Arsimit ka shkelur nenin 41 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar.
Për mbylljen e një shkolle, duhet të dalë një urdhër i Ministres së Arsimit, por duke pasur paraprakisht konsultim me komunitetin dhe duke pasur gjithashtu një propozim me shkrim të përbashkët nga Bashkia, njësia vendore, së bashku me drejtoritë arsimore lokale.
Përderisa Ministria nuk i ka bërë publike këto, atëherë ka shkelur urdhërin në mënyrë flagrante pasi asnjë pikë e nenit 41 nuk është përmbyshur.
Dua të denoncoj në emër të Partisë Demokratike, keqqeverisjen, mungesën e investimeve, mungesën e fondeve, për sa i përket sektorit që është më jetik për të gjithë qytetarët shqiptarë që është arsimi.
Arsimi sot është në ditën më të zezë, arsimi në fonde është në ditën e tij më të ulët, ndaj unë jam këtu për të premtuar se Partia Demokratike do ta ketë prioritet i prioriteteve në programin e saj. Financimi për arsimin do të jetë në nivelin 5%, duke siguruar një arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë, si në qytet edhe në fshat.