• Me pohimin se ka prova dhe fakte për audiopërgjimin e të vëllait trafikant droge dhe me mosdërgimin e tyre në prokurori, Fatmir Xhafaj, njësoj si Edi Rama, ka kryer veprën penale të pengimit të drejtësisë. 

FLAMUR NOKA, DEPUTET PD

Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama janë drejtpërdrejtë të përfshirë në një komplot shtetëror për të mbyllur me metoda mafioze skandalin e vëllait trafikant droge të Ministrit të Brendshëm.

Njësoj si Edi Rama, edhe Fatmir Xhafaj deklaroi se përgjimi i të vëllait trafikant droge është i sajuar dhe se ai ka prova për këtë.

Le të ndjekim pohimin kriminal të Fatmir Xhafës bërë mbrëmë në një studio televizive.

“Është tjetër gjë të provosh është apo s’është (i vërtetë përgjimi) dhe tjetër gjë të provosh kush dhe përse e ka bërë këtë gjë. Dhe unë kam provat e mia. Kam faktet e mia, padyshim”

Është e qartë se deklarata të tilla janë pjesë e skenarit mafioz për t’i imponuar prokurorisë një rezultat hetimor të paracaktuar. Me veprime të tilla kriminale Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë kryer veprën penale të pengimit të drejtësisë dhe manipulimit të së vërtetës.

Nëse ka prova, Ministri i Brendshëm duhet t’i kishte çuar në Prokurori.

Njëlloj duhet të kishte vepruar edhe Edi Rama, kur deklaroi se dispononte përgjigjet e një laboratori imagjinar shkencor për vërtetësinë e audiopërgjimit të vëllait trafikant droge të Ministrit të Brendshëm.

 

Në një shtet normal ku mbrohet interes publik dhe jo interesi i pushtetit të lidhur me krimin, prokuroria duhet ta kishte hetuar Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën, më së paku, për fshehje të provave dhe pengim të drejtësisë.

Fatmir Xhafaj duhet të ishte nën hetim edhe për faktin se:

  • Si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj falsifikoi Kodin e Procedurës Penale për të pamundësuar ekstradimin në Itali të të vëllait.
  • Si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, bllokoi për 8 muaj ligjin e lojrave të fatit për interesat financiare të bandës së vellait te tij Agron Xhafaj.
  • Si Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj vuri në dispozicion Policinë për të mbështetur aktivitetin kriminal të të vëllait në trafikun e drogës.
  • Si Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj pengoi zbatimin e Ligjit Antimafia për sekuestrimin e pasurive të familjes së tij.

Propozimi i Partisë Demokratike për vettingun e politikanëve është zgjidhja më e mirë për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin.