Përshëndetje të nderuar deputetë!

Zonja deputete, zotërinj deputetë të opozitës!

Nisim me një falënderim për mikpritësit tanë të sotëm këtu në qytetin e Elbasanit ku zhvillojmë mbledhjen e dytë  të këtij sesioni parlamentar, mbledhjen e grupeve parlamentare të opozitës, të opozitës të bashkuar për të diskutuar, për të vendosur dhe marrë vendime të rëndësishme për situatën e rëndë që po kalon vendi.

 

Ne ndodhemi në qytetin simbol të bashkëqeverisjes të Edi Ramës me krimin. Një ditë para mbërritjes të opozitës parlamentare për këtë takim, jo pak gazetarë dhe analistë e quajtën Elbasanin kryeqytetin e krimit. Një epitet thellësisht i pamerituar për këtë qytet dhe për këta qytetarë, të cilët kam patur fatin dhe privilegjin ti njoh nga afër, pasardhës të një kulture rrezatuese, me vlera të patjetërsueshme, të pazëvendësueshme për historinë kombëtare të arsimit, kulturës, atdhedashurisë, të progresit dhe të shkencës.

Elbasani i shkencëtarëve, i artistëve, i normales, i patriotëve ka tash 5 vite që vuan nga bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin, modeli i së cilës në Elbasan konkretizohet me tre emra Qazim Sejdini, Taulant Balla dhe bandat e krimit të organizuar nga Çelët, tek Sanxhaktarët me shokë. Të cilët vitin e kaluar treguan grafikisht se kush sundon në këtë qytet, kush sundon në këtë vend, kur goditën Policinë e Shtetit pa asnjë pasojë ligjore.

 

Ditë pas kësaj ngjarje poshtëruese për shtetin shqiptar që tregoi një vit me parë se marrëdhënia e Edi Ramës me kriminelët ka evoluar aty ku tashmë nuk është ai që dikton, por janë kriminelët që diktojnë. Pra, kemi një kryeministër fallso, kukull në duart e krimit.

 

Edhe këtu në Elbasan pas denoncimit të opozitës zbarkuan forca policore më në krye vëllain e Agron Xhafës, ministrin e Brendshëm të vetëm në Europë që preokupim kryesor ka të mbyllë aferat e vëllait të dënuar për drogë.

 

Njësoj si disa orë pas mesazheve tona nga Shkodra ditën e hënë, kanë zbarkuar atje forcat policore, forcat lëvizëse operacionale siç ua kërkuam apo siç i instruktuam qeveritarët e falimentuar dhe të dorëzuar para krimit. Por rezultati është zero. E gjitha është një shfaqje propagadistike. Kështu ishte në Elbasan para një viti. Asnjë nga banditët që goditën policinë, shefat e Policisë nuk është arrestuar, asnjë prej tyre nuk është ndjekur penalisht, asnjëri prej tyre nuk është në burg. Të njëjtin fat do të ketë edhe operacion propagandistik i Shkodrës.

 

Pasi kanë mbushur lajmet, faqet e portaleve dhe ekranet e proqeveritare me tituj bombastikë, “sekuestruam kaq makina të blinduara”, “shoqëruam kaq persona”, si e si për të treguar që u vunë në lëvizje pikërisht pasi opozita denoncoi praninë e makinave të blinduara e të shoqëruara nga furgonat e policisë familjeve kriminale të Shkodrës.

 

Do presin skandalin e radhës dhe do t’i lënë të qetë familjet kriminale të Shkodrës, siç i lanë të qetë familjet kriminale të Elbasanit.

 

Kjo është shkalla e bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Sot kjo peshore është vendosur tërësisht në anën e krimit. Është krimi që dikton. Kjo është arsye përse Shqipëria po destabilizohet. Edi Rama në bashkëqeverisjen e tij me krimin, me dorëzimin e territorit krimit po destabilizon vendin. Dëshmi tronditëse të kësaj kemi nga mëngjesi deri në darkë.

Në më pak se 24 orë, dy të rinj, 27 dhe 14 vjeç kanë humbur jetën në një nga qytetet më të vogla të Shqipërisë, në Mamurras. Në vetëm 24 orë, në më pak se 24 orë, dy familje do të ndahen nga dy fëmijë të cilët kanë humbur jetën në akte të rënda kriminale.

Shqipëria po destabilizohet nga krimi, sepse krimi po sundon Shqipërinë. Dhe kështu do të ndodhë sa kohë do të kemi një kryeministër në letër që ia ka dorëzuar kontrollin e territorit, por edhe kontrollin e institucioneve, duke nisur nga Ministria e Brendshme dhe grupi i tij parlamentar, kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të krimit, nga Fatmir Xhafa, tek Taulant Balla, tek Jurgis Çyrbja me shokë.

Elbasani ka edhe një simbolikë tjetër, ka një simbolikë, sepse këtu në Elbasan është edhe gjeneza e bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Xibraka, fabrika e kokainës, e çmontuar vetëm pas ndërhyrjes së fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë, është çengeli kriminal që mban varur Edi Ramën, përmes asaj që dihet botërisht, pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit, në një ndërmarrje kriminale, të shtrirë nga Kolumbia në Shqipëri, për përpunimin e qindra milionë eurove kokainë.

Faktet e përfshirjes së vëllait të Edi Ramës në këtë aferë kriminale të përmasave evropiane, janë fshehur në një mënyrë po kaq kriminale nga Saimir Tahiri dhe kupola e lartë e Policisë së Shtetit. Ato vazhdojnë të mbeten të fshehura për shkak të Fatmir Xhafës dhe shokut të Agron Xhafës në krye të policisë, Ard Veliut. Dhe kjo është arsyeja pse sabotohet veprimtaria e komisionit hetimor, kjo është arsyeja pse ministria e brendshme e Fatmir Xhafës dhe policia e Ard Veliut, nuk kanë çuar një document të vetëm, në kundërshtim flagrant me ligjin, sepse faktet tronditëse që do të dalin nga një hetim i plotë parlamentar do të provojnë katërcipërisht se këtu në Elbasan, në Xibrakë, bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin, përmes vëllait të tij në aferën e kokainës, ngriti çengelin nga ku varet tash 5 vjet Edi Rama. Çengelin e krimit të organizuar që ka marrë peng qeverisjen e vendit dhe Shqipërinë.

Nuk ka qytet më të përshtatshëm për t’ju shpjeguar të gjithë shqiptarëve, edhe pseudo të shqetësuarve nga fokusi i opozitës tek krimi, sepse pa u çliruar nga krimi nuk do të ketë asnjë përparim domethënës dhe e keqja do të vazhdojë të kaplojë shtëpitë, familjet dhe fatin e shqiptarëve. Krimi i organizuar nuk është thjesht dhe vetëm çështje sigurie, rendi, siguria kombëtare është edhe çështje ekonomie.

Pak më shumë se 5 vjet më parë, u inaugurua një vepër madhore infrastrukturore, Tuneli i Krrabës, si pjesë e investimit të Rrugës Tiranë-Elbasan, Korridorit 8, nga qeverisja e Partisë Demokratike. 5 vjet më vonë kjo rrugë nuk ka përfunduar. Kjo rrugë nuk ka përfunduar, ndërkohë që ka gëlltitur për shumë pak kilometra të papërfunduara, shumë më shumë para sesa pjesa tjetër e rrugës që u ndërtua. Pse? Sepse nënkontraktori i kësaj rruge është Edmond Bego, miku familjar i Taulant Ballës, i cili në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik ka marrë plot 10 milionë euro për të ndërtuar – në fakt për të mos ndërtuar – këtë rrugë.

Marrëdhënia e Taulant Ballës me Edmond Begon, anëtarin e bandës së Lushnjes, nuk është pra thjesht dhe vetëm një çështje abstrakte, politike a morale, por është një hesap që rëndon në xhepin e çdo qytetari të Elbasanit, dhe të gjithë shqiptarëve që përfitojnë nga aksi i Korridorit Viii, sepse falë marrëdhënies kriminale Balla-Bego, janë zhdukur miliona euro dhe nuk përfundon Rruga e Elbasanit.

Çfarë na pengon ne si shqiptarë që të kemi një zhvillim të qendrueshëm, jo me hope, por në vazhdimësi, Që të ruajmë progresin e bërë dhe ta çojmë përpara? Jo vetëm kjo nuk ndodh por bëhet e kundërta. Progresi prishet dhe zhbëhet dhe vendi bëhet më keq. Kur ne drejtuam vendin, ndërtuam autostrada, hoqëm kufijtë evropianë për shqiptarët, futëm në vend investime të huaja, nga të cilat përfitonin direkt qytetarët shqiptarë. Bëmë edhe gabime, për të cilat u ndëshkuam me votë dhe dolëm në opozitë. Që të përgatitemi më mirë, më shumë dhe të bëhemi më të gatshëm për ta çuar vendin përpara.

Ky është realiteti i demokracisë deri këtu. Vjen një grup në pushtet dhe jo vetëm nuk vazhdon projektet që u nisën, por bën edhe më keq. 5 vjet autostrada e Elbasanit nuk mbaron dot, kur tuneli u bë në më pak se 2 vjet. By-passi i Fierit nuk bëhet, sepse nuk dalin hesapet e vjedhjes midis Edi Ramës, Agaçit dhe hajdutëve të tjerë në ministri. Shtrati i hapur i rrugës Kardhiq-Delvinë ka nisur të prishet nga reshjet, njësoj si rruga e Shteblevës.

Ka 5 vjet që nuk vepron njeri. Duhet të reflektojmë pse ndodh kjo? Dhe ky është një reflektim që i takon të gjithë qytetarëve, jo thjesht opozitës. Pse ndodh kjo? Pse vjen një bandë në pushtet dhe bën vetëm keq, duke zhdukur gjithë mekanizmin e kontrollit ndaj saj, votën e lirë. Në këtë mënyrë investimet e huaja nuk vijnë, përfunduan ato që ishin.

Kemi 5 vjet që harxhojmë energjitë tona si opozitë për të hequr kriminelët , vrasësit, drogaxhinjtë, përdhunuesit, nga zyrat e shtetit, ku i ka futur Edi Rama., në vend që këtë energji ta përdorim për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe të fëmijëve të tyre, për ta bërë atë më të zhvilluar, më evropiane. Nuk ka tregues më të qartë të dështimit total të bashkëqeverisjes së Tiranës me krimin sesa verdikti për të mos hapur negociatat, verdict i cili do të përsëritet dhimbshëm qershorin e vitit të ardhshëm, nëqoftëse nuk kemi një ndryshim themelor në Shqipëri.

Në funksion të këtij objektivi kombëtar, për të çliruar vendin nga krimi, për të çliruar qeverisjen nga krimi, për t’i dhënë fund bashkëqeverisjes me kriminelët, që është e vetmja bashkëqeverisje e Edi Ramës, opozita e bashkuar po përpunon sipas vendimit

Opozita e Bashkuar sipas vendimit të marrë në Shkodër, po përpunon platformën e saj e cila do të nisë të bëhet publike menjëherë.

Vendimi ynë ka qënë dhe është të merremi me njerëzit. Ai është me krimin, ne jemi me njerëzit!

Vendimi ynë është ti japim fund një elite politike të lidhur me krimin dhe të çojmë politikanët e lidhur me krimin, në rradhë të parë jashtë institucioneve, dhe pastaj para një drejtësie të reformuar dhe jo para një drejtësie të kapur.

Në këtë mënyrë u kthejmë qytetarëve, mundësinë për të vendosur për fatin e tyre, mundësinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme duke ju ofruar një platform dhe një plan pune që çliron ekonominë nga oligarkët, nga monopolet, nga tenderat korruptivë, nga lejet abusive. Nga shtypja e të drejtit, e të voglit, të zakonshmit dhe favorizimi I të mëdhenjëve që nuk ngopen kurrë nga privilegjet, zhvatja dhe grabitja që bëjnë duke nisur nga paradhoma e Edi Ramës.

Dekriminalizimi i plotë përmes vettingut të politikanëve të lidhur me krimin.

Çlirimi I drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin

Zgjedhje të lira të ndershme, demokratike ku qytetarët të jenë ata që vendosin

Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve

Këto janë katër objektivat kryesore të platformës tone, object I dikustimit të gjerë në këtë mbledhje të zgjeruar këtu në Elbasan.

Duke ju falenderuar edhe njëherë, mediat, për përcjelljen live që I bëjnë nisjes së mbledhjes tonë në Elbasan, duke dënuar mungesën totale të vëmendjes e të pranisë së institucioneve të rendit public këtu në Elbasan, njësoj si në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë dhe duke deklaruar mospajtimin tonë me fasadën parlamentare të një Kuvendit të kriminalizuar, të një foleje kriminelësh dhe shokësh të kriminelëve, le ti japim sot nga Elbasani formë kësaj platforme, këtyre prioriteteve dhe të nisim menjëherë punën për shpërndarjen, diskutimin, konsultimin dhe mobilizimin qytetarë, për ta kthyer këtë platforme në një alternativë, të cilën përmes aksionit politik dhe qytetar do ta parashtrojmë rrugëdaljen nga katastrofa në të cilën e ka sjellë Shqipërinë bashkëqeverisja e Edi ramës me krimin.

Faleminderit mediave!