ERVIN SALIANJI, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE
Bandat kriminale qeverisin në çdo cep të Republikës, duke sfiduar plotësisht autoritetin e shtetit.
Pas ngjarjeve të rënda kriminale në Shkodër, Vlorë dhe Elbasan, krimi ka treguar se bën ligjin edhe në Lezhë.
Partia Demokatike po denoncon një rast skandaloz, që tregon se policia është e tradhëtuar nga drejtuesit politikë të saj në Ministrinë e brendshme.
Dy ditë më parë, të enjtën qytetarët kanë telefonuar në sallën operative të Policisë së Shtetit për të denoncuar një shkëmbim zjarri tek zona e njohur si Rana e Hedhun. Patrulla policore ka bërë ndalimin e personave me inicialet E.S. nga Lezha, F.F. nga Shkodra dhe I.S. nga Kopliku. Pas kontrollit atyre iu gjetën armë zjarri, një foto prej të cilave Partia Demokratike e disponon.
Njësoj si në rastin e Shkodrës, ku për 6 vrasje dhe 2 rrëmbime nuk ka autor, edhe për shkëmbimin e zjarrit në Lezhë, krimi ka dalë mbi forcën e ligjit.
Pavarësisht se policët e thjeshtë, ata që po i nënshtrohen vettingut, kanë kryer të gjitha veprimet proceduriale, kriminelët janë liruar pas një telefonate nga Ministria që drejton Fatmir Xhafaj, i cili refuzon t’i nënshtrohet vettingut njësoj si policët.
Pas kësaj telefonate nga të pushtetshmit që nuk e duan vettingun në politikë, armët e zjarrit janë kthyer në lodra dhe kriminelët në qytetarë të respektuar.
Kjo është situata me të cilën përballën çdo ditë ata policë që luftojnë krimin.
Kjo është tradhtia që u bëhet policëve që janë të rrethuar jo vetëm nga krimi, por dhe nga aleatët e tij në qeveri.
Prandaj, është jetike miratimi sa më shpejt i fazës së dytë të dekriminalizmit, që do të pastrojë qeverisjen nga krimi.
Partia Demokratike është e vendosur të luftojë në çdo kohë të gjithë politikanët e lidhur me krimin, duke i larguar ata nga politika dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë.