• Qeveria grabit pronën e banorëve në Jalë, pa asnjë paralajmërim
  • Policia dhunoi dhe shoqëroi familjarë, bashkë me ta edhe një 14 vjeçare
  • Deputetët Shehaj dhe Meçorapaj: Shteti sulmon qytetarët thjeshtë e jo bandat e krimin, koha të bashkohemi!

Deputetët e qarkut të Vlorës Agron Shehaj dhe Nada Meçorapaj, ishin në Jalë pranë banorëve, shtëpitë dhe pronat e të cilëve u shkatërruan nga IKMT pa asnjë dokument zyrtar. Ata theksuan se këto prona kërkohet të përvetësohen për afera klienteliste dhe korruptive pranë qeverisë.

Deklaratë e deputetit të Vlorës, Agron Shehaj

Këtu në jalë ka ndërtime pa fund pa leje, por laku gjithmonë bie mbi shpinën e fukarenjve.

E vërteta është që Edi Rama dhe oligarkët e tij e duan bregdetin për vete. Këtë bregdet që ju shihni këtu, me një potencial të jashtëzakonshëm turistik, nuk duan ta ndajnë me asnjë, e duan vetëm për vete.

E vetmja mundësi që kanë shqiptarët është që të bashkohen dhe të mbështesim njëri-tjetrin.

Sepse mund të vijë dita për secilin prej nesh që të bëhemi viktimë e këtij regjimi dhe e këtij grupi.

 

Deklaratë e deputetes së Vlorës, Nada Meçorapaj

Jemi këtu në mbështetje të banorëve të cilët sot janë zgjuar në një terror të jashtëzakonshëm dhe vazhdon akoma. Siç e shikoni në sfond, janë akoma duke u prishur. Zhurmat e fadromave dhe të mjeteve të rënda të cilat janë duke shkatërruar të gjitha objektet që janë këtu. Sipas banorëve ata nuk kanë pasur informacion që ditën e sotme në 5 të mëngjesit do të zhvillohej ky aksion. Po sipas tyre konfirmohet se nuk ka projekt të justifikojë këto lloj prishjesh. Kjo ka mbrapa aktin korruptiv e cila po shkakton një katastrofë për të gjithë banorët e kësaj zone. Ka të bëjë me të gjithë ata ndërtues që janë mbrapa firmës së kryeministrit Rama. Ka të bëjë me oreksin e madh të tyre për gjithçka, për atraksionin turistik, për këtë vend të mrekullueshëm që është Jala. Me a duket Jala po bëhet një zonë e ndaluar për të gjithë ata që janë autoktonë, pasi kanë tokën e tyre të trashëguar brez pas brezi ne këtë vend, por po bëhet i oligarkëve dhe i qeverisë. Jemi në mbështetje të banorëve. Është e paprecedentë që të arrestohen banorët dhe një familje e tërë dhe një vajzë 14 vjeç e cila është marrë zvarrë prej leckash, sepse kërkon të mbrojë pronë  dhe tokën e tyre. Janë të lindur këtu. Janë autoktonë. Kjo pronë nuk është e asnjë qeveritari, nuk është e asnjë pushtetari. Është atyre që kanë lindur dhe meritojnë ta gëzojnë.

 

Agron Shehaj: Shteti është i kapur nga banditë. Në një kohë që kërcënon deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, duke më thënë “Do e mbash mend se kush jam”, imagjinoni se çfarë mund të bëjë me këta njerëz këtu. Mesazhi është e duhet të bashkohemi të gjithë bashkë, është e vetmja mundësi. Sot në mëngjes janë paraqitur rreth 300 forca policie për të nxjerrë nga shtëpia 30 familjarë.