Mirëdita të nderuara gazetarë, gazetare, punonjës të medias,

Të dashur bashkëqytetarë,

Në qendër të bashkëbisedimit të sotëm është çështja kryesore i aktualitetit politik, propozimi kushtetues i PD dhe aleatëve tanë për vettingun e politikanëve.

Kjo është java e fundit, ku sipas Rregullores së Kuvendit duhet të nisë shqyrtimi i nismës kushtetuese të deputetëve të opozitës për të amenduar Kushtetutën me qëllim që, njësoj si gjyqtarët, si prokurorët, madje njësoj edhe si policët dhe gardistët e thjeshtë, edhe politikanët e vendit t’i nënshtrohen procesit të vettingut.

Kjo nismë kushtetuese vjen në një kontekst dramatik sa i përket depërtimit të krimit në nivelet më të larta të qeverisjes, sa i përket bashkëqeverisjes me krimin, që do të thotë as më shumë dhe as më pak: vënien e kabinetit të Edi Ramës dhe Kuvendit, të kontrolluar nga ai, në funksion të aferave korruptive dhe kriminale. Nga njëra anë, kriminelët që duhet të jenë në burg, lirohen apo nuk ndiqen penalisht, nga ana tjetër, gjithë tenderat, licencat, lejet e ndërtimit, jepen në kundërshtim me ligjet e vendit tek një dorë banditësh, të cilët sot kanë depërtuar në ekonominë publike të vendit dhe në ekonominë private.

Kanë depërtuar që nga shtrimi i rrugëve në Tiranë, i autostradave dhe projekteve të tjera anembanë vendit, tek marrja e licencave minerale, lejet e ndërtimit dhe lojrave të fatit. Pra, krimi, pasi ka kapur politikën, ka kapur edhe ekonominë e shqiptarëve.

Jemi në kushtet, kur kemi Jurgis Çyrbjen, të provuar si anëtar të bandës kriminale të Emiliano Shullazit, që është përfshirë, mes të tjerave, në grabitjen dhe tjetërsimin e pronave, në aktivitete kriminale dhe ky (Çyrbja) nuk pëson asgjë, qëndron i patrazuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Kemi Fatmir Xhafën, të vërtetuar si njeriun që ndihmoi vëllanë e dënuar t’i fshihej drejtësisë italiane derisa e denoncoi opozita. Po kështu, e ndihmoi të vazhdonte aktivitetin e tij kriminal të trafikut të drogës, siç e denoncoi kolegu juaj përmes investigimit gazetaresk. Po kështu ndihmoi ortakët e tij, vëllezërit Murataj që, së bashku, me Agron Xhafën, të shtinin në dorë pothuajse 1/3-ën e lojrave të fatit të Shqipërisë për të pastruar paratë e pista të drogës.

Fatmir Xhafaj vazhdon të mbetet Ministër i Brendshëm, i vetmi Ministër i Brendshëm në Europë dhe në historinë e Europës me vëllain trafikant droge, i vetmi Ministër i Brendshëm në Europë dhe në historinë e Europës që, si kryetar i Komisionit të Ligjeve, ndryshoi Kodin e Procedurës Penale për të ndihmuar vëllain e tij t’i shpëtojë dënimit për trafik droge. Si kryetar i Komisionit të Ligjeve zvarriti ligjin e lojrave të fatit në favor të bandave të vëllait dhe bandave të tjera që kanë shtënë në dorë industrinë e lojërave të fatit, siç është denoncuar nga opozita me emra dhe mbiemra, me fakte konkrete, siç është bërë një shqetësim i madh publik i denoncuar, po kështu, edhe nga mediat të tjera, siç është Zëri i Amerikës. I vetëvritet edhe shoferi me dy plumba, me 17 mijë euro orë në dorë. Çështja mbyllet.

Në aferën e Fatmir Xhafës duhej të ishte marrë i pandehur Edi Rama, i cili ka shpallur para 4 muajsh ekspertizën e videopërgjimit dhe pas kësaj e ka fshehur. E ka fshehur për një arsye të thjeshtë: Edi Rama ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe pengimit të drejtësisë. Dhe sot e kësaj dite nuk i thotë shqiptarëve ku e bëri ekspertizën, nëqoftëse nuk e bëri në Surrel.

Por natyrisht të gjitha këto ndodhin, sepse ne jemi në kushtet e një grushti shteti, ku Rama kontrollon prokurorinë, gjykatat.

Gjykata Kushtetuese ka pushuar së ekzistuar; Gjykata e Lartë ka pushuar së ekzistuari; Policia që, shoqëron banditët si eskortë në vend që t’i shoqërojë në komisariate, struket para krimit që po bën kërdinë nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona.

Kemi Taulant Ballën, “Toyota Yaris”-in. Edhe këtu Prokuroria nuk vepron. Madje vepron për dekonspirim në vend që të veprojë me arrestimin e Taulant Ballës. Silleni, këtu kërkesën që të deponoj unë për dekonspirim e ta merrni vesh se çfarë do të thotë mosbindje civile! Prokurori e korruptuar, e shantazhuar, e blerë dhe e shitur. Duhej të kishte hapur hetimet prej kohësh, i ka të gjitha faktet e përfshirjes së Taulant Ballës dhe jo vetëm atij me Bacën e “Toyota Yaris”.

Prokurori e korruptuar, e shantazhuar, e blerë, shërbëtore e mjerë e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, i cili po kështu ka pranuar miqësinë me një të dënuar të bandës më famëkeqe të Shqipërisë, bandës së Lushnjes, i cili falë kësaj miqësie ka përfituar tendera në kundërshtim me ligjin, falë kësaj miqësie ka përfituar leje dhe licenca në zonën e Taulant Ballës dhe asgjë nuk i ndodh.

Taulant Balla del edhe na flet për ligjin për vettingun në politikë, na jep edhe mend sesi duhet të bëhet ligji për vettingun në politikë.

Alket Hyseni ka rrëmbyer prona në jug. Asgjë nuk i ka ndodhur. Edhe ky bën leksione nga brenda dhe jashtë Parlamentit.

Arben Ahmetaj, ortak në bizneset e inceneratorëve me njerëz të dënuar për krime në vendet europiane. Ministër dhe deputet i Edi Ramës.

Damian Gjiknuri, i regjistruar duke bërë pazare me kriminelë për vota nuk i ndodh asgjë, Ministër dhe deputet.

Vangjush Dakos, i mbylli hetimet dje apo pardje kamikazja e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kamikazja e  Fatmir Xhafës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Po dje në orët e vona u lirua edhe Ermal Hoxha për sjellje të mirë, sigurisht. Për sjellje të mirë sepse nuk nxori emrin e Olsi Ramës, që është garantuesi në emër të Edi Ramës i fabrikës së kokainës.

Ndaj ka problemin e lepurit dhe të kapelës Edi Rama. Nuk i shpëtuan kot ato fjalë. Nuk ka mizë nën kësulë, nuk ka mizë nën kapele. Në fakt, edhe lepurin nuk e ka në kapele, e ka në bark, por do t’ia nxjerrin shqiptarët. Dje nxori Ermal Hoxhën nga burgu. Saimir Tahiri që u vërtetua që, me jaht personal nën shoqërinë e 5 të tjerëve ka hyrë dhe ka dalë nga Mali i Zi në Itali, i jep mbrojtje politike, Fatmir Xhafës po kështu.

Pse?

Sepse është vetë i përfshirë në aferën kriminale të trafikut të drogës, jo thjesht si arkitekti i shndërrimit të Shqipërisë në prodhuesin dhe eksportuesin më të madh të drogës në Europë, por edhe në aferën e kokainës në Xibrakë, dhe të tjera kapituj kokaine, përmes vëllait të tij.

Fatmir Xhafa dhe Saimir Tahiri kanë provat të përfshirjes së Olsi Ramës në fabrikën e kokainës në Xibrakë.

Kjo është dosja me të cilën mbahet peng Edi Rama. E mbajnë peng ish-ministri i Brendshëm. E mbajnë peng bandat kryesore të vendit të cilat sot bëjnë ligjin nga Shkodra në Vlorë.

Dhe për të përfunduar pastaj tek Alfred Peza, që nga gazetar u bë deputet, nga deputet shkoi për hetim për 1 milionë dollarë, tani u mbyll çështja. Dhe, me siguri, do të bëhet përsëri analist nëpër studio, megjithëse Edi Rama sapo e promovoi si sekretar dixhital apo çfarë e bëri.

Këto pra janë, kjo është gjendja në të cilën ndodhet vendi – pa gjykata, prokurori të kapur nga Edi Rama, polici të nënshtruar nga krimi, me politikanë të lidhur drejtpërdrejtë me krimin në Kuvend, në qeveri dhe kudo.

Kjo situatë ka vënë në pikëpyetje stabilitetin e vendit. Zona të tëra të Shqipërisë janë jashtë kontrollit të policisë, e cila shkon atje si “nuse” për 12 orë dhe tërhiqet përsëri duke lënë territorin në duart e bandave dhe banditëve.

Natyrisht, opozita nuk ka as kapacitetetin dhe as rolin të përballet drejtpërdrejt me banditët. Ky është roli i shtetit. Kjo është detyrë e shtetit dhe e policisë. Por kjo nuk do të ndodhë sa kohë që policia dhe shteti drejtohen nga qeveritarë dhe kuvendarë të lidhur drejtpërdrejtë me krimin.

Ja pra, pse përtej prioriteteve të tjera absolute; ekonomike, shoqërore, shëndetësisë, arsimit, dramave të mëdha që vuajnë shqiptarët, prioritet mbi prioritet mbetet çlirimi i shoqërisë nga krimi, çlirimi i Shqipërisë nga bashkëqeverisja me krimin. Sa kohë që kjo nuk ka për të ndodhur, asnjë përparim domethënës, asnjë zgjidhje nuk do të kenë shqiptarët, as për shkollat dhe shkollimin e fëmijëve të tyre, as për shëndetësinë.

Edi Rama ia ka dorëzuar qeverisjen banditëve dhe vete merret nga mëngjesi deri në darkë me propagandë dhe me udhëtime luksi. Qeverisje nuk ka më.

Për këtë arsye, sot Gramoz Ruçit i është drejtuar formalisht kërkesa që të skedulojë ditën e premte në orën 13.00, në përputhje me rregulloren e Kuvendit, fiks dy javë pas depozitimit të amendamenteve kushtetuese, kërkesa që të mbledhë Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve, për të nisur menjëherë, procesin kushtetues të shqyrtimit dhe miratimit të amendamenteve kushtetuese për vettingun e politikanëve.

Si do të bëhet ky vetting? Për 10 ditë Edi Rama dhe zëdhënësit e tij kanë këputur gënjeshtra dhe broçkulla. Çfarë thonin në mëngjes, nuk e thoshin në darkë. Dhe vetë Rama, brenda dy orëve, çfarë tha në fillim, nuk tha në fund. Tha ta fillojmë me Vilën në Surrel, pastaj tha “jo jo, ta çojmë në Venecia”.

Prandaj është e vendit, të rikthej edhe njëherë në vëmendje piketat kryesore të vettingut për politikanët.

E para, propozimi është fare i thjeshtë. Është i njëjti formulim ligjor, si për gjyqtarët, prokurorët, policët dhe gardistët. Trajtim special për politikanët nuk do të ketë më. Në këtë vend do të marrë fund praktika ku çfarë vlen për policin e thjeshtë, nuk vlen për ministrin e brendshëm, çfarë vlen për qytetarin e thjeshtë nuk vlen për deputetin, çfarë vlen për njeriun e thjeshtë, nuk vlen për ministrin, nuk vlen për politikanin. Parimi i Europës ku duam të shkojmë është “të gjithë të barabartë para ligjit”.

Ajo që kemi propozuar është sanksionimi i vettingut politik me të njëjtat norma, të njëjtat parime, si vettingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve. Siç jeni njoftuar dje, edhe përmes përfaqësuesve të Partisë Demokratike nëpër studio televizive, edhe përmes materialit filmik që botova në faqen time të facebook-ut, ky do të jetë një proces i cili do të kalojë përmes 5 rregullave kryesore.

  • E para, do të jetë një proces i pavarur dhe i palidhur me vettingun në drejtësi.
  • E dyta, do të jetë një model i thjeshtë, i qartë, njësoj si modeli i dekriminalizimit, i cili nxori 333 zyrtarë nga parlamenti dhe nga zyrat e larta të shtetit.
  • E treta, do të kryhet nga një strukturë profesionistësh të pavarur nga politika.
  • E katërta, nuk do të jetë kurrë dhe kurrsesi një strukturë parlamentare, aq më pak një strukturë e përbërë nga përfaqësues partiakë, sepse do të ishte tallëse dhe absurde që politikanët që janë subjekt i vettingut të jenë po kështu zbatues të vettingut.
  • E pesta, padyshim do të ketë mbikqyrje ndërkombëtare.

Përcaktimin se çfarë është vettingu, çfarë është lidhja e politikanëve me krimin e kemi në kushtetutë dhe tek ligji i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. I njëjti definicion.  Vetëm zëvendësoni fjalën prokuror dhe gjyqtar me fjalën politikan, sipas kategorive që kemi thënë aty; deputetë, ministra, kryetarë bashkish dhe krerë të institucioneve të larta të vendit.

Procedurën si do të arrihet të verifikohet kjo, si do të identifikohen faktet dhe si do të arrihet në konkluzionin është apo s’është i lidhur ky politikan me krimin, i keni po kështu në kushtetutë, në Ligjin e Vettingut. Modelin e keni të ngjashëm me modelin e Ligjit të Dekriminalizimit, modeli më i qartë, më transparent, që ka dhënë rezultatet e veta, derisa Edi Rama e transformoi marrëdhënien midis krimit dhe politikës, duke mos kandiduar më personat me rekorde kriminale që ua ndalon ligji i Dekriminalizimit, por duke futur këta të tjerët, miqtë e kriminelëve, dhe duke bërë qarkun e shkurtër midis politikanëve të korruptuar dhe grupeve kriminale.

Pra, modeli do të jetë i ngjashëm me modelin e Ligjit të Dekriminalizimit, detyrë që u ngarkohet disa institucioneve, që në përmbushje të roleve të tyre të caktuara me ligj, plotësojnë dhe kontrollojnë njëra-tjetrën.

Vettingu i politikanëve as nuk e pengon, as nuk e ngadalëson, s’ka asnjë lidhje me vettingun e drejtësisë, as me reformën e drejtësisë, as me hetimet që do të bëhen nga Byroja Kombëtare e Hetimit apo SPAK-u. S’ka asnjë lidhje, s’kanë asgjë të përbashkët.

Çdo gjë që dëgjohet apo thuhet në këtë drejtim është mashtrim dhe propagandë nga Edi Rama dhe zëdhënësit e tij.

SPAK-u dhe Byroja e Hetimit kanë tjetër mandat. Nuk kanë mandat vettingun, kanë mandat hetimin e politikanëve të korruptuar, hetimin e krimit të organizuar dhe dërgimin e tyre para drejtësisë. Janë dy gjëra të ndryshme. Vettingu i nxjerr nga institucionet, SPAK-u dhe BKH-ja i çojnë në burg.

Në rastin e vettingut, barrën e provës e ka politikani, të provojë që nuk është i lidhur me krimin dhe të justifikojë burimin e pasurisë dhe ligjshmërinë e saj. Në rastin e hetimeve penale, natyrisht, sipas të gjitha normave evropiane, barra e provës është e organeve të akuzës, që të provojnë para organeve të drejtësisë akuzën që ngrenë.

Në rastin e vettingut, mund edhe të mos provohet përfshirje e drejtpërdrejtë e politikanit në aktivitet kriminal, por përsa kohë që provohet afërsia e tij me kriminelë – siç përdora citimin e Paolo Borselinos – atëhere ai përjashtohet nga institucionet politike, qofshin këto të zgjedhura apo të emëruara. Këtë s’e bën dot SPAK-u, as BKH-ja.

SPAK-u dhe BKH-ja po nuk gjetën një qytetar në shkelje të ligjeve të vendit ndaj Kodit Penal, nuk ndërmarrin dot asnjë masë ndaj tij apo saj. Ndërsa vettingu i largon nga vendimmarrja politike, i largon nga institucionet e vendit politikanët e lidhur me krimin.

Këto janë pra piketat kryesore me të cilat do të ecet përpara.

Të premten, sipas rregullores së Kuvendit, Gramoz Ruçi duhet të mbledhë Komisionin e Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit për të nisur pa vonesë procedurën kushtetuese të amendimeve kushtetuese.

 

Opozita ka përcaktuar të njëjtat definicione si në rastet për gjyqtarët dhe prokurorët, alibia se ka nevojë për negociata ka rënë, i njëjti ligj është votuar për gjyqtarët dhe prokurorët nga Rama, Xhafa, Balla me shokë, të njëjtin ligj, të njëjtat amendamente duhet t’i votojnë, për veten e tyre dhe për të gjithë politikanët, javët e ardhshme.

 

Një gjë është e sigurt, situatë ku ne të pranojmë të vazhdojmë procese fasadë, pseudoreforma, pseudoligje, me politikanë të lidhur me krimin në Kuvend, kjo nuk do të ndodhë.

 

Opozita nuk do të jetë fasadë e një qeverie që bashkëqeveris me krimin.

 

Prandaj është emergjente që të nisë një orë e më parë procedura, është emergjencë për të ndarë krimin nga qeverisja, është emergjencë jo thjesht dhe vetëm politike, por është emergjencë për ata qytetarë nga Dobraçi në Konispol, nga Velipoja në Bilisht, e në Kënetë, e në Shijak, që do të mbeten nën tutelën e krimit sa kohë krimi ka nën tutelë qeverisjen dhe kryeministrin e vendit.

 

Tani jam i hapur për pyetjet tuaja në lidhje me këtë temë, dhe për çdo temë tjetër – absolutisht çdo temë tjetër – do t’u jap shumë shpejt, brenda javës, rastin të diskutojmë lirisht.

 

Pyetje: Zoti Basha, sa i besueshëm është procesi i vettingut në politikë, jo vetëm për publikun, por edhe për vetë Partinë Demokratike, në kushtet kur opozita i ka atakuar dhe nuk i njeh institucionet kryesore që ngarkohen me ligj për të dhënë informacion për politikanët, si DSIK-në, ILDKP-në, Prokurorinë e Përgjithshme, SHISH-in. Të gjitha institucionet e rëndësishme janë të atakuara nga Partia Demokratike.

 

Përgjigje: Qëllimi i vettingut është që DSIK-ja, Prokuroria e Përgjithshme, Kryeministria, Ministria e Brendshme të mos kontrollohen nga krimi.

Dhe vetë procesi i vettingut politik do të mundësojë që përmes nxjerrjes jashtë institucioneve politike të politikanëve të lidhur me krimin, këtyre institucioneve t’u kthehet profesionalizmi dhe besueshmëria për t’ju shërbyer njerëzve dhe për të zbatuar ligjin, jo për t’i shërbyer Edi Ramës, as Saimir Tahirit, as Fatmir Xhafës, duke shtrembëruar ligjin. Pra është fare e thjeshtë, procesi i vettingut është një process që ndihmon në dhënien fund të kësaj gjendjeje grushti shteti, ku nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë, ku prokuroria kontrollohet politikisht, ku policia është nën tutelën e krimit, dhe ku institucionet kryesore të ligjzbatimit, përfshirë ato të informimit, siç është SHISH-i dhe DSiK-ja, janë ditë e natë në shërbim të Edi Ramës dhe politikanëve të tjerë të lidhur me krimin.

 

Pyetje: Është DSIK-ja dhe ILDKP-ja që do të japin informacione për kryeministrin. Në këto kushte, kush e kontrollon kontrollin e informacionit, sepse institucionet kryesore ju po i atakoni. Në këto kushte, sa i besueshëm do të jetë informacioni që do të jepet për deputetë, për politikanët?

 

Përgjigje: Asnjë institucion, performanca e të cilit vihet në dyshim për shkak të lidhjeve kriminale apo trysnisë politike, nuk do të ketë rol vendimmarrjeje. Ky nuk do të jetë një proces-fasadë. Nuk do të ketë në këtë proces hapësirë nga institucione të kapura që t’i ofrojnë alibinë Edi Ramës.

Nuk do ta bëjnë vartësit e Edi Ramës procesin e vettingut. Natyrisht, as vartësit e opozitës nuk do ta bëjnë. Që të jetë një proces i suksesshëm, duhet të jetë i besueshëm.

Që të të jetë i besueshëm, duhet të kryhet në mënyrë të tillë dhe nga instanca dhe faktorë të tillë që gëzojnë besueshmërinë e plotë dhe janë përtej çdo dyshimi sa i përket integritetit të tyre. Kush janë këto instanca, do ta merrni vesh në kohën e duhur, or dyshim të mos kini që ne do t’ua dorëzojmë vettingun e politikanëve instancave dhe hallkave të korruptuara apo të kapura politikisht.

 

Që të kthehemi prapë tek rasti i Dvoranit. Siç shpëtoi Dvorani, siç shpëtoi Saimir Tahiri, të shpëtojë edhe Fatmir Xhafa me shokë. Kjo nuk ka për të ndodhur!

Ndaj ju them se janë dy raste komplet të ndryshme. Vettingu në drejtësi ka treguar problematiken e vet të kapjes së sistemit, ndërsa procesi i vettingut në politikë do të jetë i tillë që duke mësuar nga gabimet dhe pësimet e reformës në drejtësi, të mos lërë asnjë shteg, asnjë, për politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët që nuk justifikojnë dot pasurinë.

 

Pyetje: Zoti Basha ju po kaq ishit optimist edhe për çështjen e vettingut në drejtësi dhe kjo sipas opozitës ka dështuar. Çfarë e bën që ju të besoni se do të ketë një proces të vërtetë të vettingut në politikë?

 

Basha: Në fakt, krahasimi duhet bërë me dekriminalizimin.

Unë kam insistuar, siѯ e dini, për katër muaj me rradhë sëbashku me grupin tonë parlamentar, bojkotuam Parlamentin deri sa u bind I madh dhe I vogël, brenda dhe jashtë Shqipërisë, se rrugë tjetër përveçse dekriminalizimit nuk mund të kishte. Natyrisht mori kohë, Edi Rama e zvarriti procesin me të njëjtit argumenta siç përpiqet ta zvarrisë dhe sot, me të njëjtat argumenta, por, në fund procesi çoi në largimin nga Kuvendi, nga bashkitë, nga zyrat e shtetit të 333 pushtetarëve. Ajo që ka ndodhur pas kësaj, është se Edi Rama e ka transformuar marrëdhënien e tij me krimin. Duke qënë se ligji për dekriminalizimin përbën një pengesë për të sjellë persona me rekorde kriminale, ka sjellë në Kuvend dhe në qeveri, dy kategori të tjera të lidhjeve kriminale: Përfaqësues të drejtëpërdrejtë të grupeve kriminale, rasti tipik i Çyrbjes, ushtar I bandës së Emiljano Shullazit. Kategoria e dytë, politikanë karriere të Partisë Socialiste janë vënë drejtpërdrejt në shërbim të bandave kriminale si Saimir Tahiri, Taulant Balla, Fatmir Xhafaj dhe vetë Edi Rama, kryepengu i fabrikës së kokainës së Xibrakës. Pra është fare e qartë dhe fare e thjeshtë. Ligji për vettingun e politikanëve, bazohet në të njëjtin instrument të ligjit të dekriminalizimit, përdor të njëjtat norma dhe parime si ligji I vettingut. Por ndryshe nga ligji i vettingut, I cili u kalua pa votat e opozitës dhe që çoi së pari në kapjen e komisionerëve të vettingut, dy prej të cilëve, të paktën, janë demaskuar publikisht. Njëra e lidhur me krimin e organizuar dhe vartëse politike e Edi Ramës dhe Ëngjëll Agaçit dhe tjetri falsifikator diplomash. Dhe sigurisht, kur kap komisionerët e vettingut, vetë komisioni I vettingut çon në rezultate të tilla si Ardian Dvorani apo Dritan Hallunaj, për të marrë dy shembuj tipikë të korruptimit të vettingut. Prandaj, bazuar në këto mësime dhe pësime, ligji për vettingun e politikanëve nuk do të lejojë asnjë hapësirë për kapje politike të procesit që do të çonte në daljen e peshqve të mëdhenj nga rrjeta, për të përdorur metaforën e dashur me të cilën na janë bërë veshët daulle për dy vite me radhë.

Pyetje: Zoti Basha të ndalemi edhe njëherë tek mekanizmat që do të bëjnë vettingun. Kush është mekanizmi që do të bëjë vettingun e politikanëve? Ju thoni se nuk do e bëjë politika, po kush do e bëjë? Ju thoni që do të ketë mbikqyrje ndërkombëtare, por ne ende nuk e dimë se kush janë këta ndërkombëtarë? Dhe duam të dimë se kush janë strukturat e pavarura?

 

Basha: Partia Demokratike dhe opozita ka një plan të detajuar për të përmbushur pesë kushtet që ju parashtrova këtu, pesë rregullat mbi të cilat do të kryhet vetting. Ju e mbani mend fare mirë Reformën në drejtësi. E mbani mend që njëherë pati ndryshime kushtetuese dhe pastaj u kalua në ligj. E para dhe kryesorja për vettungun në politikë është shprehja e vullnetit politik përmes ndryshimeve kushtetuese.

Kjo është ora kur palët duhet të shprehen qartë para institucioneve, pra në Kuvend, dhe para shqiptarëve: Janë pro apo kundër vettingut në politikë?! Nëse janë pro vettingut në politikë, atëherë duhet të votojnë amendamentet kushtetuese që janë fjalë për fjalë të njëjta me vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është diskutimi sot dhe çdo përhumbje në detajet sesi do të zbatohen pesë parimet e qarta kristal, nuk bëjnë asgjë tjetër vecse i jep alibi Edi Ramës për të vazhduar të bëjë atë që bëri për dekriminalizimin. Për ta zvarritur, për ta vonuar, për ta turbulluar, me qëllim që ti shpëtojnë vettingut në politikë. Ne nuk do ta lejojmë këtë.

Në respekt të kësaj, unë nuk do të lejoj që asnjë lloj diskutimi, as sa kam unë në dorë, të kapet dhe të merret peng nga diskutime teknike, të cilat natyrisht do të bëhen pasi të jetë shprehur vullneti politik. Rrugën e kemi përcaktuar qartë.

Përcaktimin e vettingut e keni në Kushtetutë.

Procedurën se si identifikohen faktet dhe si arrihet në konkluzion e keni në kushtetutë dhe në ligjin e vettingut.

Modelin e keni në ligjin e dekriminalizimit.

Pra, këto janë parimet dhe për gjithçka tjetër që ka të bëjë me zbatimin e plotë të vettingut në politikë ne do të paraqesim detajet dhe do ti çojmë ato për votim në Kuvend, por jo para se Edi Rama dhe të tijtë, të shprehet qartë para shqiptarëve, jo më me fjalë, jo më me batuta apo me përralla, por me votë.

Janë pro apo kundër vettingut në politikë!

Ditën e premte duhet të mblidhet seanca e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve. Brenda një periudhe kohore deri tre javë nga ai moment, java e ardhëshme është ajo e përgatitjes, dhe tre javë nga ai moment propozimi duhet të jetë në sallën e Kuvendit.

Momentin që kemi një votë pro, një konsensus politik për vettingun politik atëherë do të procedojmë hap pas hapi siç është proceduar në rastet e mëparëshme, siç thashë duke mësuar nga gabimet dhe pësimet dhe duke siguruar që rrjeta e vettingut politik të mos lërë as peshq e as balena ti shpëtojnë kësaj rrjete.

 

Pyetje: Nëse kjo nuk ndodh, a do ta dëgjoni këshillën e ish-kryeministrit, zotit Berisha, për të mos hyrë në zgjedhje. Dmth hyrja e opozitës në zgjedhje është asgjësim me kryeministër Edi Ramën?

 

Basha: Siç ju thashë sot do të mbetemi tek çeshtja e vettingut dhe një gjë është e sigurtë: Kjo do të ndodhë. Në një mënyrë apo në një tjetër, kjo do të ndodhë. Një gjë është e sigurtë: Shqipëria nuk mund të qeveriset në Parlament nga Ballët e Çyrbet me shokë. Nuk mund të qeveriset nga Xhafët, Tahirët dhe nga një kryeministër I lidhur me krimin. Kjo nuk mund të ndodhë.

Ne kemi paraqitur këtë propozim politik që është detyra e opozitës, këtë alternativë që është detyra jonë. I kemi dhënë formën ligjore të amendamenteve Kushtetuese.

Tani është radha të pyesni Edi Ramën: Do ta votojë? Nëqoftëse jo, pse nuk do ta votojë?

Pastaj është radha jonë tu tregojmë se çfarë opsionesh kemi dhe çfarë rruge do të ndjekim, por një gjë është e sigurt: Shqipëria do të çlirohet nga bashkëqeverisja me krimin.

Detyra jonë është ta bëjmë sa më shpejt e më një faturë sa më të vogël për qytetarët shqiptarë. Por çdo orë që kalon, kjo faturë rritet dhe opsionet për ta arritur këtë ngushtohen. Sot po flasim për opsionin Kushtetues. Ndaj duke qenë të qartë për qëndrimin tonë sot, detyra juaj që ju e dini më mirë se tjua them unë, është të kuptoni se çfarë do të ndodhë me ata që e kanë në dorë ta bllokojnë.

Do ta bllokojnë vettingun politik apo do ta votojnë vettingun politik i cili është fjalë për fjalë, i njëjti instrument që është parashikuar në Kushtetutë për vettingun e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

 

Pyetje: Zoti Rama ka lajmëruar se do ti drejtohet Komisionit të Venecias. Pse nuk prisni Komisionin e Venecias dhe përgjigjen e tyre siç ka propozuar dhe kryeministri?

 

Basha: Pyetje shumë e mirë! Jam i bindur se secili prej jush e ka përgjigjen. E dini ju përgjigjen se pse nuk presim dhe se ky është një tjetër mashtrim. Ky tekst ka shkuar në Venecia dhe Venecia e ka aprovuar për gjyqtarët dhe prokurorët. Pastaj pa pyetur fare Venecian e kanë bërë për policët dhe gardistët. Tani që vjen puna të politikanët, tani duhet ta çojnë prapë në Venecia?!

Pra e gjithë kjo është një alibi për të zvarritur procesin. Hapini arkivat e 2014-2015 dhe do të shikoni se të njëjtën gjë bënë me dekriminalizimin. Të njëjtën gjë. Hapeni arkivin e para dy muajve, ligjin special Rama-Fusha, që e kaluan me procedurë të përshpejtuar. E mbani mend që tha dikush ta çojmë në Venecia dhe u çua “Toyota Yaris”dhe tha: Ta kalojmë njëherë e pastaj ta çojmë në Venecia! Habiti edhe Gramoz Ruçin, ministrin e fundit të brendshëm të komunizmit. E habiti edhe atë. Edhe parimet e Gramoz Ruçit u shokuan nga ideja që ta kalojmë me shpejtësi ligjin Rama-Fusha dhe pasi ta kalojmë ta çojmë në Venecia, ndërsa ligjin për vettingun e politikanëve ta çojmë në Venecia.

Jo. Jo. Ky ligj ka qenë në Venecia. Ka qënë për gjyqtarët dhe prokurorët dhe norma është pranuar për gjyqtarët dhe prokurorët. Norma është zbatuar për policët dhe gardistët dhe e njëjta normë do të zbatohet edhe për politikanët.

Ne nuk pranojmë të tërhiqemi zvarrë. Prandaj po ju them se ne jemi në rolin tonë politik. Kemi propozuar një zgjidhje e cila do të bëjë të mundur largimin e politikanëve të lidhur me krimin nga institucionet. Nëqoftëse pala tjetër e bllokon këtë iniciativë, padyshim që ne nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë situatë, nuk do ta pranojmë këtë gjendje dhe do të hedhim hapa të tjerë. Se cilat do të jenë këto hapa, padyshim që të parët që do ti merrni vesh jeni ju dhe përmes jush do ta marrin vesh edhe qytetarët.

Sot nuk është dita të diskutojmë këtë. Sot është dita ti ktheni kamerat dhe mikrofonat nga ata që po e bllokojnë dhe ti pyesni: Do ta bllokoni apo do ta votoni vettingun politik?

Dhe të siguroni transparencë publike për hapat që duhen hedhur nga e premtja ora 13.00 që është afati sipas rregullores për të mbledhur Komisionin e Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit në një mbledhje të përbashkët.

 

Pyetje: Z. Basha ju deklaruat që vettingu i politikanëve do të ketë të njëjtin standard si vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Neni 33 i ligjit të vettingut, standardi i kontrollit të figurës, pika 4 a: Subjekti i rivlerësimit është fotografuar ose kur një dëshmitar mund të përshkruhet në një takim me një person të përfshirë me krimin e organizuar.Kjo pikë mund të vlejë për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk vlen për politikanin, i cili për shkak të specifikës së profesionit, takon shumë njerëz. Ju kërkoni që Ligji të jetë kaq i ashpër apo ne kur të kemi një përkufizim për kontaktin e papërshtatshëm për politikanin, do ta kemi më specifik?

 

Basha: Përcaktimi kushtetues do të jetë i njëjti. Përcaktimet ligjore kanë për qëllim jo të ndërtojnë mekanizma të pazbatueshëm, as të bëjnë sho# dhe shfaqje, por të garantojnë që në Parlament apo në Qeveri, të mos kemi politikanë të cilët bashkëqeverisin me bandat.

Rasti i Sajmir Tahirit, rasti i Fatmir Xhafës, vetë rasti i Edi Ramës, tregojnë qartë se këta njerëz jo thjeshtë fotografohen me kriminelë nëpër dasma e nëpër gostira, këta bashkëqeverisin me krimin.

Sajmir Tahiri bashkëqeverisi me Habilajt, Fatmir Xhafaj bashkëqeverisi me bandën e Agron Xhafës dhe ortakëve të tij, Edi Rama nuk qeveris sot, dhe ia ka dorëzuar qeverisjen bandave sepse e mbajnë peng bandat për shkak të përfshirjes së tij dhe të vëllait të tij në fabrikën e kokainës.

Këto nuk janë fotografi dasmash, këto janë probleme, reale, të vërteta, që kanë çuar në paralizën e institucioneve, kapjen e institucioneve.

Kanë çuar në qeverisjen e lagjeve dhe të qyteteve nga bandat kriminale, kanë çuar në shkatërrimin total të moralit dhe funksionimit të policisë së shtetit, kanë çuar në kapjen e ekonomisë, që pastron paratë e pista të drogës e të krimit, me lojëra fati, me ndërtime, me PPP, me koncesione.

Korrupsioni në drejtësi, është zgjatim dhe prodhim i korrupsionit politik. Është korrupsion i politikanëve të lartë, që lindin nevojën për një drejtësi të korruptuar që i mbronte ata dhe nuk i ndëshkonte para ligjit.

Prandaj, të mos ketë askush asnjë fije dyshimi.

Vettingu dhe standardi i vettingut të politikanëve, ka një qëllim.

Të flakim, për të përdorur fjalët e Paolo Borselinos, “estramettere”, të flakim, “estramettere”, t’i flakim nga institucionet politikanët që bashkëpunojnë me krimin dhe shoqërohen me krimin.

 

Pyetje: Po Komisioni i Venecias çfarë thotë?

 

Basha: Sepse Venecia është shprehur një herë për këtë dhe nuk kanë kohë banorët e Dobraçit të presin Venecian, që të shprehet prapë për diçka për të cilën është shprehur. Besoj se kjo është e qartë. Shqiptarët nuk kanë kohë të presin që Venecia të shprehet për diçka për të cilën është shprehur, katër herë. Nuk ka shqiptar të bindet se duhet të shkojë prapë Edi Rama në Venencia për t’i pyetur gjyqtarët dakord, prokurorët dakord, policët dakord, a mund të bëjmë vetting edhe për politikanët? Se kjo nuk është asgjë tjetër përveçse të blejmë kohë për bandat dhe krimin e organizuar. Në rrafshin praktik kjo do të thotë të kesh më shumë banditë që t’i bien me automatik shtëpive të kolegëve tuaj. Dhe ne nuk kemi kohë të presim për këtë. Prandaj, ose do të zgjidhet kështu në këto parametra, ose ndryshe opozitës së qytetarëve i lind detyra të përpunojnë opsione të tjera.

 

Pyetje: Do ta kushtëzojë vettingu në politikë praninë tuaj në Parlament?

 

Basha: Ne do të bëjmë detyrat tona përsa i përket këtij procesi. Ajo që ka rëndësi nuk është se çfarë do të bëjmë dhe si do ta bëjmë në Parlament, rëndësi ka: do të votohet apo jo vettingu për politikanët nga Edi Rama dhe deputetët e tij? Nëse do të votohet, kjo hap një mundësi për të institucionalizuar objektivin tonë kryesor që është ndarja e politikës me krimin. Nëse jo, atëherë ne nuk kemi përse të gënjejmë as veten tonë, as shqiptarët dhe as miqtë tanë ndërkombëtarë dhe as të pranojmë që të gënjehen ata dhe pastaj, pasi të gënjehen, të gënjejnë edhe ata para kamerave e të na flasin për vazhdimësinë e reformave, por do t’u themi: ky është një vend që ka një grusht shteti kushtetues, pa gjykata, pa prokurori, pa polici dhe ku kontrolli i territorit dhe i ekonomisë është në duart e krimit. Dhe ku ata që ia kanë dhënë nën kontroll krimit, refuzojnë që, në mënyrë ligjore dhe kushtetuese, me të njëjtat standarde që bëhet vettingu për gjyqtarët dhe prokurorët, t’i nënshtrohet vettingut për veten e tyre.

Kjo është rruga në të cilën do të ecim. Nuk ka asnjë dilemë, nuk ka asnjë paqartësi. Ndërsa padurimit për të kaluar tek hapat e tjerë, do t’i përgjigjem me një kërkesë dhe një lutje që, pasi të keni marrë të plotë dhe të qartë qëndrimin tonë, mos ta lini në pikëpyetje qëndrimin e palës tjetër. Qëndrimi i palës tjetër për vettingun në politikë,do të jetë edhe shkaku apo arsyetimi i hapave të tjerë, të cilat opozita është e detyruar të hedhë.

 

 

Pyetje: Z. Basha, Përse nuk i ndihmuat dje qytetarët kuksianë të mobilizohen në protestë kundër tarifës së “Rrugës së Kombit”, në një kohë që jemi koshientë që policia ka ushtruar presion. Kështu ka deklaruar opozita dhe këshilltarët e Bashkisë së Kukësit. Policia ka ushtruar presion për të ndaluar çdo tentativë për protestë. Në një kohë që ju dhe qytetarët jeni për tarifë zero.

 

Basha: Qëndrimi im politik është i qartë. E përsërita dy ditë më parë..

 

Ndërhyrje e gazetares pa mikrofon

 

Basha: Do të bëjmë debat apo do më bëni pyetje? Se nëse do të bëni debat, atëherë jo në raport me ju, por në raport me televizionin që përfaqësoni, kam shumë për të thënë. Është televizion tërësisht në shërbim të qeverisë. Jeni Top Channel apo jo?

 

Gazetarja: Jo, jam gazeta Shekulli.

 

Basha: Ah Shekulli, mirë. Keni një të përbashkët me Top  Channel sa i përket drejtimit dhe pronësisë. Jeni të dy në kaçurrelat e Edi Ramës.

Nuk është e vërtetë kjo që thatë ju. Ne kemi një qëndrim të qartë dhe qytetarët kanë marrë një përgjigje të qartë nga PD.  Ne nuk e njohim atë koncesion dhe do ta anulojmë me ardhjen tonë në pushtet. Ne do ta hetojmë atë plotësisht.

Ne i bëjmë thirrje qytetarëve të ngihen dhe të rezistojnë me të gjitha format dhe mënyrat. Dje, sot, nesër, pasnesër dhe natyrisht jemi për t’i mbështetur siç i mbështetëm edhe herën e parë. Por opozita nuk ka as reparte ushtarake, as kamionë ushtarakë, opozita ka mesazhin, ka të vërtetën, ka alternativën, dhe këto të treja i ka shpalosur në mënyrë të qartë gjatë gjithë këtyre kohëve sa i përket koncesionit korruptiv të “Rrugës së Kombit”, sa i përket koncesioneve të tjera korruptive dhe gjithçkaje tjetër. Dhe në vijim të qëndrimeve tona siç ju kam njofttuar në gusht, shumë shpejt do të publikojmë platformën tonë për vettingun e koncesioneve dhe PPP-ve ku do të përfshihet, enti publik dhe enti privat që është i përfshirë në marrjen dhe zhvatjen e pasurive publike. Pra nuk ka asnjë paqartësi këtu, përveç atyre që duan të jenë të paqartë. Atyre u them të qartësohen.

 

Pyetje: Një pyetje kam për diskutimin që do të bëhet ditën e sotme në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese të Ligjit për Teatrin. A do të jetë opozita në Komision dhe në seancë plenare ditën e enjte?

 

Basha: Do të kemi një mbledhje grupi për të vendosur për këtë çështje dhe do të njoftoheni shumë shpejt.

 

Pyetje: A keni një koment për shembjen e shtëpive në Jalë?

 

Basha: Siç ju thashë, ne sot do ta mbajmë tek çështja e vettingut. Unë ju respektoj shumë, por duhet të respektoni fokusin, që kemi vendosur sot. Në Jalë ndodhen dy deputetët tanë, Agron Shehaj dhe Nada Meçorapaj, të cilët po mbledhin informacion mbi dhunën e ushtruar atje. Ne do të mbledhim informacionin e plotë dhe do të hedhim të gjitha hapat që na takojnë në mbështetje të qytetarëve dhe kundër dhunës barbare të Edi Ramës, ku sipas informacioneve paraprake bëhet për qëllime korruptive, për t’i hapur rrugë ndërtimeve korruptive.

 

Pyetje: Z. Basha, do të përfshijë vettingu lidhjen e politikanëve me biznesmenët?

 

Basha: Politikanët e lidhur me krimin dhe justifikimi i ligjshmërisë së pasurisë së tyre, sipas kritereve të përcaktuara qartë edhe në parimet e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, janë dy piketat kryesore të vettingut për politiikanët. Ju ftoj dhe ju nxis të lexoni dokumentet që ju kemi shqpërndarë, që të jeni fare të qartë, të mos keni asnjë paqartësi.

 

Pyetje: Tek mekanizmi që do të bëjë vettingu në politikë. Ju keni përkrahë ligjvënës mjaft të mirë të Partisë Demokratike, që shpeshherë përdorin një shprehje që mund t’jua citoj : Djalli fshihet pas detajeve. Kush është djalli që fshihet pas detajit të propozimit të Partisë Demokratike. Përse po e mbani sekret, ku me tone gati kërcënuese ju i kujtoni z. Kryeparlamentar rregulloren e Kuvendit që ka një javë kohë për të diskutuar nismën e PD.

 

Basha: Djalli nuk fshihet në detaje, djalli është në Kuvend, djalli është në Qeveri, djalli është në Dobraç, djalli është para shtëpisë së koleges suaj, ku i ranë me automatik, djalli po u merr jetën shqiptarëve nga mëngjesi deri në darkë, dhe kjo për arsye se Edi Rama ka bërë pakt me krimin. Edi Rama duhet të thotë do ta votojë apo jo vettingun në politikë. Nëqoftëse nuk e voton vettingun në politikë, atëherë le ta dinë të gjithë shqiptarët dhe bota mbarë që nuk ka më asnjë rekurs institucional, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’u përballur me krimin në mënyrë politike dhe institucionale. Dhe pasojat do t’i diskutojmë pastaj bashkë me shqiptarët për t’i dhënë përgjigjen përfundimtare.