• Deputetja e Ramës dhe zv/Ministri i Arsimit vjedhin punimin shkencor, por ministria hesht!
  • Vjedhja e punës intelektuale bëhet një vepër shumë e rëndë, kur mendon se hajdutët janë eksponentë të lartë të qeverisjes së Edi Ramës në arsim

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI LUÇIANO BOÇI

 

Jam sot këtu për të denoncuar një skandal, në të cilin janë përfshirë një deputet i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, si dhë një zëvendësministër i i arsimit të qeverisë së Edi Ramës.

Një skandal që po synohet të mbulohet me heshtje.

Prej disa ditësh, është bërë i njohur denoncimi publik dhe me fakte i një studiuesi të njohur dhe kërkuesi shkencor, mjekut Taulant Muka, lidhur me një botim-plagjiaturë që mban nënshkrimet e deputetes socialiste Blerina Gjylameti dhe të zëvendësministrit të Arsimit Ervin Demo.

Nga faktet publike, artikulli shkencor me titull “Universitetet dhe transferimi i teknologjisë”, botuar në vitin 2011, rezulton se në të vërtetë nuk është punë origjinale e tyre.  Ata kanë përvetësuar idetë dhe punën e të tjerëve, pa cituar burimin origjinal, duke shkelur të drejtat e autorëve dhe produktet e tyre intelektuale.

Ministria e Arsimit, e cila është ftuar publikisht të deklarohet lidhur me denoncimin, ka heshtur, duke refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve publike të vetë studiuesit Muka, por edhe interesimit të mediave dhe opinionit publik intelektual.

Deputetja Blerina Gjylameti, e cila sot mban detyrën e koordinatores së Edi Ramës për bashkëqeverisjen as nuk skuqet e as nuk zverdhet për kapjen në flagrancë në vjedhjen e punimit intelektual të tjetrit, por vijon të japë leksione se si qeveriset e bashkëqeveriset. Madje ajo në ditën e parë të vitit akademik merr përsipër edhe të urojë studentët.

Vjedhja e punës intelektuale bëhet një vepër shumë e rëndë, kur mendon se hajdutët janë eksponentë të lartë të qeverisjes së Edi Ramës në arsim.

Heshtja tregon se në ç ‘derexhe ka rënë arsimi në Shqipëri.

Në Evropë janë me dhjetëra raste që zbulimi i plagjiaturave ka shkatërruar karriera politike të ministrave apo deputetëve deri edhe tek kryeministra e presidentë.

Një shembull tipik është ai i Presidentit gjerman Kristian Wulff, i cili dha dorëheqjen kur u gjet fajtor në një vepër të tillë plagjiature në vitin 2012. Ndërkohë Annette Schavan, ministrja gjermane e Arsimit, dha po ashtu dorëheqjen, sepse Universiteti i Dusseldorfit i kishte zbuluar plagjaturën në punimin e doktoraturës.

Kjo është norma evropiane, por që s’funksionon në Shqipërinë e Edi Ramës. Në Shqipërinë e tij, hajdutët e punimeve shkencore merren me arsim, kurse kriminelët e trafikantët ngarkohen me ruajtjen e rendit dhe të nomenklaturës.

Në Shqipërinë e Edi Ramës, Blerina Gjylameti u jep leksione universitarëve, kurse Ervin Demo ngarkohet të kryejë reformën e arsimit të lartë.

Këta dy kopjacë dhe hajdutë intelektualë, synojnë ta kalojnë me heshtje vjedhjen prej xhepistësh që kanë kryer në artikullin e tyre shkencor, sipas shembullit të narkotrafikantëve, që vijojnë punën e tyre, sa kohë interesi i tyre, është edhe interesi i Edi Ramës.