• E vërteta mbi milionat e trafikuara nga Taulant Balla me Toyota Yaris, do të dalë
  • Çështja “Xhafa” – Kryeprokuror dhe prokuror Edi Rama i cili përcakton që në mëngjes rezultatin e hetimit

Avokati i Kryetarit të Partisë Demokratike, Ivi Kaso, dhe përfaqësuesi ligjor Gazment Bardhi theksuan përpara Gjykatës së Tiranës se e vërteta mbi trafikimin e miliona eurove nga Taulant Balla me Toyota Yaris, do të dalë. I pyetur për çështjen “Xhafa”, z. Bardhi tha se kryeprokuror dhe prokuror për këtë çështje është Edi Rama, që përcakton gjithmonë rezultatin e hetimit.

DEKLARATA E PLOTË E PËRFAQËSUESIT LIGJOR, GAZMENT BARDHI 

Duke e ditur se z.Basha përfaqësohej nëpërmjet avokatëve të tij për shkak se është në 24 orë në 24 në shërbim të halleve dhe problemeve të njerëzve, ndërsa z.Balla, siç e shikoni, shëtit për hallet e veta nga një derë gjykate në një derë prokurorie, do e shikoni shumë shpejt në gjykata dhe prokurori të tjera.

Procesi sot ishte një seancë e thjeshtë pajtimi, ku ne shprehëm qëndrimin tone, se u qëndrojmë të gjitha deklaratave, dhe që nuk kemi asgjë për t’u pajtuar me viktimën. Viktima, Taulant Balla, në radhë të parë do të duhet të pajtohet me veten e tij.

Pyetje: Do të marrë pjesë zoti Basha në proces?

Gazment Bardhi: Zoti Basha është në proces nëpërmjet avokatëve të tij. Personalisht zoti Balla ka hallin e tij dhe vjen në gjykatë, zoti Basha nuk ka asnjë hall në këtë proces dhe është tërësisht i përfaqësuar dhe ndjehet tërësisht i përfaqësuar.

E përsëris, zoti Basha u qëndron të gjitha deklarimeve të bëra në publik, mbi këtë çështje.

Pyetje: E keni fjalën për deklarimet që i ka bërë nga foltorja e parlamentit?

Gazment Bardhi: Jo, nuk i ka bërë vetëm nga foltorja e parlamentit. Nuk ka rëndësi fare se nga janë bërë deklaratat. E përsëris, zoti Basha u qëndron deklaratave publike të tij mbi këtë çështje. Ky është një proces ligjor dhe do të ndjekim çdo hap në mbrojtje të interesave ligjore të zotit Basha, të cilin ne e përfaqësojmë.

Pyetje: Sipas jush, çfarë e lidh zotin Basha me paratë e Toyota Yaris-it?

Gazment Bardhi: Nuk do ta bëjmë gjykimin sot. Ishim në një seancë të thjeshtë. Se çfarë e lidh, do ta shikoni në seancat e tjera gjyqësore.

Pyetje: Z. Bardhi, një pyetje lidhur me emisionin “Opinion” mbrëmë. Kolegu juaj dhe deputeti i PD, Salianji publikoi një video ku shfaqet Fredi Alizoti duke folur dhe duke implikuar z. Balla dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu. Në fakt ky person është i akuzuari kryesor dhe ndodhet prapa hekurave për çështjen e konsideruar si “Babalja 1”. A mund të na thoni diçka më tepër, ku është realizuar ky përgjim, dhe a ja ka dorëzuar materialin Partia Demokratike dhe Zoti Salianji Prokurorisë së Krimeve të Rënda?

Gazment Bardhi: Në dijeninë time, Prokuroria e krimeve të Rënda e ka marrë atë material mbrëmë gjatë emisionit “Opinion”. Sigurisht që është detyrë e Prokurorisë dhe e godinës përballë dhe në gjykimin tim ata kanë dijeni se kush është Alfred Alizoti, dinë rrethanat se si ky dëshmitar i është paraqitur prokurorit – siç dëshmon ai vetë – në atë material filmik, natën, një prokurori nga Kruja, rreth të 40-ave e me radhë. Sigurisht që detaje mbi këtë video unë nuk disponoj dhe nuk kam ndonjë informacion shtesë tej atyre që ka bërë publike në emisionin “Opinion” zoti Salianji. Do të shikoni se kjo çështje sigurisht do të zgjidhet dhe e vërteta mbi këtë çështje do të dalë, pa asnjë diskutim, pavarësisht se kryeprokuror dhe prokuror në këtë çështje nuk janë as prokurorët e krimeve të rënda, as hetues të tjerë apo punonjës policie që ndihmojnë prokurorinë në hetim, por kryeprokuror dhe prokuror për këtë çështje është Edi Rama, që përcakton rezultatin e hetimit në mëngjes dhe prokurorët dhe shërbëtorët e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në shërbim të tij dhe të krimit të organizuar veprojnë në darkë.

Ky është qëndrimi im mbi këtë çështje.

Faleminderit!