- Kuvendi po zhvillon seancë dëgjimore formale për të bllokuar dhe shtyrë sa më shumë vendimmarrjen për vetingun në politikë.
- Politika e lidhur me krimin ka marrë peng procesin e zgjedhjeve, emërimeve dhe dhënien e titujve në universitete.
- Vetingun në politikë e mbështet shumica e shqiptarëve. Para se të bëjmë moral për drejtësinë dhe korrupsionin, duhet ta nisim vetingun nga vetja pa vonesë.
LUÇIANO BOÇI, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike kërkoi ndërprerjen e seancave dëgjimore fasadë, që Kuvendi po i përdor për të shtyrë sa më shumë kohën e vendimmarrjes për propozimin e opozitës për vetingun në politikë. Në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, ku ishte parashikuar një seancë dëgjimore me botën akademike, përfaqësuesi i opozitës, Luçiano Boçi, vuri në dukje farssën e organizuar nga Kuvendi, ku, me seleksionim paraprak, ishin thirrur vetëm 7 nga 66 institucione arsimore të larta.
“Për procedurë kërkoj që këto seanca të mos zgjaten, sepse kanë karakter krejtësisht formal dhe kanë një qëllim të mbrapshtë. Çfarë vlere ka kjo seancë kur kemi 66 institucione të arsimit të lartë dhe këtu janë vetëm 7 institucione të arsimit të lartë. Pra, ka neglizhencë sepse është e paragjykuar, sepse vendimi është marrë, se kryeministri e ka shprehur, prandaj unë bëj thirrje: Stop këtyre seancave formale. Janë krejtësisht formale.”- tha Boçi.
Luçiano Boçi, që ka hyrë në politikë nga bota akademike, theksoi se gjatë qeverisjes së Edi Ramës bota akademike është ajo që e ka ndjerë drejtpërsëdrejti lidhjen e politikës me krimin.
“Të gjithë e dimë shumë mirë që krimi i veshur me veladonin e politikës a politika e pasur me agresivitetin e krimit, ka kapërcyer kangjellat e universiteteve, ka shpërthyer portat e universiteteve dhe ka marrë peng jo vetëm procesin e zgjedhjeve në Universitete, por edhe procesin e emërimeve në universitete. Ka kapur dhënien e doktoraturave, dhënien e titujve, me një formalizëm që të gjithë e pranojmë këtë dhunë politike dhe kriminale, madje dhe nuk bëzajnë.”- u shpreh Boçi.
Deputeti Boçi tha se nisma e opozitës, e cila shppreh vullnetin e shumicës së shqiptarëve, është e qartë, e thjeshtë dhe pa ekuivok: ndryshime kushtetuese për të bërë atë që shoqëria kërkon – Vettingun e politikës.
Përfaqësuesi i opozitës bëri të qartë nga pastrimi i politikës nga krimi varet e ardhmja demokratike e Shqipërisë, varen zgjedhjet e lira.
“Pa të drejtën e votës nuk mund të kemi ne pushtetet e tjera, që duam s’duam ne, burojnë nga politika, dhe në qoftë se burimi është i ndotur, nëqoftëse burimi është i kriminalizuar, atëhere çfarë produkti do të dalë? Ku e kemi sot ekzekutivin? Me fakte, është i kriminalizuar. Ku e kemi sot parlamentin? Me fakte, i kriminalizuar. Dhe ne do të duhet të besojmë se sistemi i drejtësisë që do të dalë, nuk do të jetë i kapur nga kjo politikë e kriminalizuar? Është iluzion! Prandaj, kërkesa jonë është e thjeshtë: Së bashku të bëjmë atë që kërkon gjithë publiku, të bëjmë vettingun në politikë, që është gjëja më e thjeshtë, është detyra jonë. Ne që bëjmë teorira të ndryshme, për drejtësinë, për korrupsionin, për gjëra të ndryshme, tani ta nisim nga vetja. Ky është propozimi ynë, i sinqertë dhe i vërtetë, prandaj kërkojmë që t’u hapet rrugë ndryshimeve kushtetuese, nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa kaq.”- u shpreh Luçiano Boçi.