Përshëndetje zonja e zotërinj, të rinj e të reja, qytetarë të Korçës. i dashur Aldo, kryetar i Partisë Demokratike të Korçës, i dashur zoti Ristani, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike, e nderuar profesoreshë Duka, të nderuar zoti Ervin Salianji, zoti Klevis Balliu, zoti Hekuran Hoxhalli, deputetë të Qarkut të Korçës, të nderuar deputetë dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar që më shoqëroni në këtë takim, zonja Tabaku, zoti Bylykbashi, zoti Mima, zoti Bardhi, këshilltar ligjor dhe ish-ministër i Drejtësisë.

Së pari më lejoni t’u falenderoj nga zemra për këtë 24-orësh të mrekullueshëm që dini ta ofroni si rrallëkush me mikpritjen tuaj, me qytetarinë tuaj me vlerat më të larta të civilizimit që janë mbrujtur këtu në Korçë, që janë ruajtur këtu në Korçë dhe që rrezatojnë po aq fort sa sot dielli në këtë ditë të bukur që duket si një ditë pranverore.

Ky falenderim është për të gjithë qytetarët e Korçës. Me shumicën prej jush, jemi takuar shpesh, në këtë sallë, por edhe jashtë kësaj salle. Kemi diskutuar, kemi debatuar për gjendjen e vendit, për sfidat e mëdha, por edhe për problemet që për fat të keq kanë ardhur duke u rënduar.

Ta themi shkurt dhe qartë, pa lajle-lule, pa i rënë rretheqark. Kjo qeveri ka shkatërruar themelin e demokracisë, ka shkatërruar votën e lirë. Ka dorëzuar qeverisjen tek krimi dhe tek oligarkët, ka dorëzuar pasuritë publike, taksat e shqiptarëve, të cilat i ndan me skemat më të ndyra të korrupsionit në 30 vite, me një grusht njerëzish që përfitojnë në kurriz të qytetarëve më të varfër të Evropës.

Sot jam këtu jo për t’u treguar se ç’kemi thënë deri sot për gjendjen e rëndë ku ndodhet vendi, sepse faktet flasin vetë: lidhjet politike të Edi Ramës me kriminelët dhe banditët janë shfaqur jo thjesht dhe vetëm në denoncimet e opozitës.

Edhe në Raportet e OSBE/ODIHR-it, në raportet e vetë qeverisë teknike, por tashmë edhe në përgjimet e prokurorisë, nga lidhjet e Bajrajve me Ditmir Bushatin, të Çelajve në Elbasan me Taulant Ballën, të Avdylajve, Lul Berishës, Plarent Dervishit, Indrit Taullait dhe bandave të tjera të Durrësit me Vangjush Dakon e Blendi Klosin, të Rragamit dhe banditëve të tij me Niko Peleshin…e kështu anembanë vendit. Natyrisht duke kulmuar me lidhjen e vetë kapobandës së organizatës kriminale të “Rilindjes” Edi Ramën, pa të cilin kjo skemë nuk do të ishte vënë në funksion.

Përqendrimin e parave në një grusht njerëzish, parave publike, tenderave, koncesioneve po kështu e kemi denoncuar nga kjo sallë dhe ju e dini fare mirë, se për çdo projekt që ka investuar para qeveria këtu, gjysma apo më shumë e parave këtu janë futur direkt në xhepat e pushtetarëve dhe kontraktorëve, sepse preventivët kanë qenë të fryrë 2-3 fish.

Natyrisht këto janë paratë e qytetarëve korçarë, nuk janë paratë e Edi Ramës, as të Niko Peleshit. Projektet janë realizuar me 2 deri në 3 herë vlerën e tyre dhe kontraktorët janë përdorur thjesht dhe vetëm për t’i zhvatur këto para dhe për t’i futur në xhepat e tyre dhe në xhepat e politikanëve që u kanë bërë të mundur të fitojnë këto tendera, jashtë gjithë ligjeve dhe rregullave të prokurimit public.

Është fakt se në pjesën tjetër të vendit për 5 vite nuk ka patur asnjë investim domethënës, që të përmirësojë infrastrukturën, shëndetësinë, shkollat, nuk ka patur rritje rrogash e pensionesh, madje janë ulur, në raport me inflacionin. Është fakt se nuk ka një investitor të huaj në 5 vite, nuk ka një investim serioz perëndimor që të jetë kryer në këtë vend, është fakt që në Korçë e në të gjithë Shqipërinë, numri total i bizneseve që mbyllin qepenat për shkak të situatës së rëndë ekonomike, rënies së fuqisë blerëse, taksave të rritura, futjes abuzive në skemën e tvsh-së, sjelljes prej gangsterësh të administratës fiskale, ka arritur shifrën dramatike prej 45 biznesesh në ditë.

45 biznese në ditë i bie mesatarisht që në kohën kur zhvillojmë këtë aktivitet në këtë sallë, kur të dalim jashtë të kemi 2 apo 3 biznese që kanë mbyllur qepenat. 2 apo 3 familje, apo më shumë, që kanë humbur të ardhurat e tyre, që kanë humbur bukën e gojës.

Është fakt, se përtej premtimeve fasadë, çmimet janë rritur, taksat janë rritur, faturat janë rritur, nga ajo e energjisë, deri tek ajo e naftës, që është fatura më kriminale, çmimi më i lartë i naftës për popullin më të varfër të Evropës. Është fakt se 49 përqind e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe të ujit, ndërsa 39 përqind e shqiptarëve nuk ngrohin dot shtëpitë e tyre.

Është fakt se afro 70 përqind e afro 500 mijë qytetarëve që kanë lënë vendin në 5 vitet e qeverisjes nga organizata kriminale e “Rilindjes” përbëhen nga grupmosha 19-34 vjeç, lulja e rinisë, shpresa e kombit, shpresa e vendit.

Por sot nuk jam për tu zgjatur këtu duke gërvishtur këtë plagë që mbetet e freskët dhe e hapur, këtu në Korçë dhe anembanë Shqipërisë. Sot jemi këtu për të prezantuar themelet e programit tonë për zgjidhjen e këtij problem. Ne kemi paraqitur 3 platforma, që kanë lidhje me situatën e vendit dhe me daljen nga kjo situatë dhe që përbëjnë themelin e programit tonë politik: Ndarjen e politikës nga krimi, pastrimin e politikës nga politikanët e lidhur me kriminelët; Dekriminalizimin e zgjedhjeve;

Luftën kundër korrupsionit dhe oligarkisë, për të çliruar ekonominë, nga zgjedha e rëndë e oligarkisë dhe e korrupsionit qeveritar.

Sot kam nderin dhe kënaqësinë që këto platforma që kemi shpalosur në nivelin kombëtar, të fillojmë t’i shpalosim edhe para qytetarisë. Nuk ka vend më të mirë dhe qytet më të mirë për ta nisur këtë sesa Korça, e natyrisht do ta vazhdojmë këtë anembanë vendit.

Këto platforma, të cilat do të pasurohen nga debate dhe bashkëbisedimi me qytetarët janë baza e veprimit, dhe të vëna në jetë, ato do të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë situatën në Shqipëri, do të ndikojnë në hapjen e rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian, zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha në kthimin e qeverisjes në duart e qeveritarëve dhe jo në duart e një grushti kriminelësh, banditësh e oligarkësh.

Prandaj besoj se sa më shumë e sa më shpejt qytetarët të bashkohen rreth vizionit tonë, aq më shpejt nuk do të jenë thjesht dhe vetëm platforma, por do t’i kthejmë së bashku në realitet.

Shumica e shqiptarëve i kanë mirëpritur dhe i kanë mbështetur këto propozime.

Ndarja e politikës nga krimi

Është e qartë për të gjithë shqiptarët, dhe për faktorin ndërkombëtar, se sa thellë i ka futur rrënjët krimi i organizuar në qeverisjen e vendit, se si Edi Rama i përdori bandat dhe brutalitetin e tyre për të marrë dhe për të mbajtur pushtetinh.

E kemi denoncuar që vitin e parë të qeverisjes së tij, futjen e personave me rekorde kriminale, njerëz që nuk i lidhte asgjë me politikën, as me Partinë Socialiste, por që u katapultuan si deputetë dhe si kryebashkiakë, drejtpërdrejt nga burgjet e Evropës, ku vuanin dënime për vepra të tmerrshme kriminale; tgrafiqe, vrasje, përdhunime e kështu me radhë.

Ne denoncuam se si këta banditë, përdhunues dhe trafikantë, jo vetëm i promovoi në pushtet, por Edi Rama i mbrojti me thonj, deri në çastin e fundit. Bëri gjithçka për të penguar dhe zvarritur për dy vite me radhë Ligjin e Dekriminalizimit, por vendosmëria jonë, e opozitës dhe e qytetarëve që na mbështetën, bëri që ky ligj të vihej në zbatim dhe si rezultat sot kemi 350 zyrtarë, politikanë, deputetë dhe krybashkiakë, që Ligji i Dekriminalizimit i nxori nga zyrat dhe ua bëri të pamundur futjen përsëri në këto zyra.

Megjithatë, siç jemi të gjithë dëshmitarë, kjo është e pamjaftueshme, pasi marrëdhënia midis politikës dhe krimit është transformuar. Edi Rama ka gjetur menyra të tjera për t’i bërë bisht Ligjit të Dekriminalizimit. E ka kthyer krimin e organizuar në një partner të drejtpërdrejtë të politikanëve të karrierës. Ne denoncuam lidhjen e Tahirit me Habilajt, shndërrimin e Ministrisë së Brendshme dhe kupolës së policisë në një aksesor të mafias së drogës.

Sot është fakt, ai vazhdon të jetë nën hetim, megjithë përpjekjet titanike që po bëhen që ta shpëtojnë, dhe gjysma e kupolës së policisë në kërkim. Ne denoncuam trafikantin Agron (Geron) Xhafaj, vëllain e ministrit të Brendshëm, tashmë ish-ministrit të Brendshëm.

E paimagjinueshme në një vend demokratik dhe e paprecedentë në Evropë të kemi ministër të brendshëm vëllain e një trafikanti droge. Por, falë qëndresës, betejës tonë, sot ai është i shkarkuar dhe i larguar me turp dhe i delegjitimuar nga detyra e tij, që në fakt nuk e kreu për asnjë ditë, sepse preokupimi i tij i vetëm ishte që si e si të mbulonte aferat e të vëllait, edhe duke përdorur policinë dhe prokurorinë, për të sulmuar ata që denoncuan këtë aferë.

Ne denoncuam lidhjet e Taulant Ballës me kriminelë që marrin tendera publikë në kundërshtim me ligjin. Presionet e tij ndaj Prokurorisë për të liruar të tjerë kriminelë të cilët ndihmuan në vjedhjen e votës në Elbasan. E para është faktuar përtej çdo dyshimi dhe pret ndjekjen penale nga një prokurori që duhet dhe do të çlirohet nga kapja politike dhe kriminale.

E dyta është faktuar përmes dëshmive e oficerëve të policisë në azil, oficerit Emiljano Nuhu, dhe pret që dosja të dalë nga kasaforta e Prokurorisë së Elbasanit dhe Taulant Balla të vihet përpara përgjegjësisë penale.

Por problem kryesor është që ligji nuk funskionon njësoj për këtë vend. Ligji funksionon me dy standarde. Ndryshe për qytetarët që nuk paguajnë dot faturën e dritave, ndryshe për politikanët socialist të lidhur me krimin dhe të afërmit e tyre.

Dhe nuk ka shëmbull më tronditës se sa shembulli i deputetit kriminel të Krujës Rrahman Rraja dhe djalit të tij të cilët pasi dhunuan, torturuan një qytetare, një vajzë jetime, angazhuan të gjithë shtetin me ndihmën e Edi Ramës dhe Taulant Ballës e Policisë nën thundrën e banditëve të veshur me uniformë, jo vetëm për të mbyllur çështjen por për ta kthyer këtë çështje tronditëse për çdo qytetar e në veçanti për gratë dhe vajzat shqiptare, por edhe për baballarët, për prindërit e vajzave dhe grave anembanë vendit, nga një viktimë në një person të manipuluar, të marrë peng e cila përqafon dhunuesit dhe sulmon denoncuesit.

Pyetja shtron çdo shqiptar i ndershëm dhe pa komplekse është se a ka Partia Socialiste njerëz të ndershëm të cilëve mund tu besohen detyra shtetërore?! Pse duhet që kriteri më i rëndësishëm në biografinë e atyre që emërohen në detyra shtetërore janë rekordet kriminale?! Përgjigja është e thjeshtë.

Kundërshtari ynë historik Partia Socialiste sot është rrezik shpërbërje për shkak të asaj që quhet organizata kriminale e rilindjes. Një grup që nuk ka asnjë lidhje me programin politik, me vizionin politik me interesin publik dhe madje as me interesin e socialistëve. Por që ndodhet në pushtet për shkak të krimit, qeveris me krimin dhe për krimin.

Shqiptarët marrin borxh për të arsimuar fëmijët e tyre dhe janë krenarë. E bëjnë këtë me krenari dhe jo me keqardhje. Mjaftojnë që tu sigurojnë arsimin e duhur fëmijëve të tyre. E ku më mirë e dimë këtë se sa këtu në qytetin e Mësonjtores. Pse është e pamundur që këta fëmijë të mirëarsimuar me sakrifica ti marrin vendet njerëz me diploma false.

Kriminelë të regjur në burgjet e Europës dhe hajdutë me damkë. Kjo duhet të marrë fund prandaj kemi propozuar vetingun në politikë, pastrimin e politikës nga krimi, kthimin e politikës në shërbim të njerëzve dhe jo në shërbim të kriminelëve.

Njësoj si me dekriminalizimin Edi Rama po bën gjithçka për ta ndalur njësoj. Por si me dekriminalizimin nuk do ia dalë dot. Jam i bindur se nuk ka shqiptar të ndershëm, të djathtë apo të majtë që nuk e do pastrimin e politikës nga krimi.

Objektivi i vetëm i organizatës kriminale të rilindjes, qëllimi i vetëm i Edi Ramës është pushteti dhe paraja. Prandaj i duhen bandat, i duhen oligarkët, i duhen kriminelët.

Kriminelët dhe paratë iu deshën Edi Ramës që në vitin 2013 për të ardhur në pushtet. Kriminelët dhe paratë i përdori përsëri në vitin 2017 për të mbajtur pushtetin dhe i duhen akoma për të mbajtur pushtetin.

E keni parë dhe dëgjuar me vepra dhe prova se si është përfshirë krimi në zgjedhje për të blerë vota, për të angazhuar votues. Eskponentët e PS janë kapur në përgjime zyrtare të Prokurorisë duke bërë pazare me disa kriminelë me damkë.

E keni parë po kështu se ka qënë fushëbeteja e parë e shitblerjes së votave në zgjedhjet vendore të pjeshme të vitit 2013 këtu në Korçë. E mbani mend apo jo. Por më flagrant është fakti se të gjitha këto nuk janë vetëm të verifikuara apo të raportuara në raporte zyrtare por janë prova ligjore dhe penale në dosjet e prokurorisë.

Vangjush Dako, kryetari i bashkisë së Durrësit është kapur në përgjigje zyrtare duke konsumuar veprat penale, krimin elektoral të shitblerjes së votave me bandat kriminale të Durrësit dhe Shijakut. Dhe ndërkohë që në burgje kemi kryefamiljarë për vepra penale shumë më të lehta, kryebashkiaku i Durrësit vazhdon të mbetet i lirë.

Kjo është drejtësia me dy standarde. Ky është ligji me dy standarde. Ky është turpi i të ashtëquajturës reformë në drejtësi e cila pas dy vjetësh ka arritur në këtë pikë sa nuk arrin dot të imponojë të njëjtin standard të ligjit si për kryebashkiakun e korruptuar të Durrësit dhe eskponentë të tjerë të PS të kapur në vjedhjen e votave ashtu edhe për qytetarët e tjerë të zakonshëm.

Prandaj kemi paraqitur platformën tonë për dekriminalizimin e zgjedhjeve, vetingun e politikës, pastrimin e policisë ndaj lidhjes me krimin, sistemin e masave kundër shitblerjes së votës, financimin e fushatës së partive, dhe përdorimin e teknologjive në votim të cilat do të prezantohen në detaje nga z Bylykbashi.

Marrëdhënia mes politikës dhe krimit nuk është mjaftuar me shkatërrimin e demokracisë , me kapjen dhe prishjen e zgjedhjeve, me kapjen e drejtësisë dhe shkatërrimin e reformës në drejtësi, por ka avancuar si një kancer në një fushë tjetër jetike për Shqipërinë, ekonominë shqiptare.

Forma e e evoluimit mes krimit dhe politikës në ekonomi tashmë janë të qarta dhe transparente për opinionin publik. Nga check-up tek inicereratorët, nga sterilizimi tek Durrës-Kukës dhe tek PP-të e tjera në infrastrukturë, e deri tek qershia në tortën e helmuar të PPP-ve, afera e Teatrit Kombëtar Rama-Fusha, janë prova se si Edi Rama ia ka dalë ta shkatërrojë tërësisht themelin e ekonomisë; konkurencën e ndershme. Qoftë kjo për tendera publikë apo në tregun e lirë e ta zëvëndësojë atë me një klientelë kapitaliste i cili nuk rinovon, nuk punëson por vetëm thith si shushunjë fonde publike, merr dhe shkatërron pasuritë e shqiptarëve dhe i vë ato në funksion të një grushti njerëzish.

Për këtë vit buxheti i cili është vënë në diskutim apo ka filluar diskutimi formal ka planifikuar 9 milionë dollarë vetëm për check up-in ndonëse për 7 muajt e parë me letra janë bërë vetëm 58 % e statistikave e njerëzve që gjoja kanë bërë check-upin.

Ndërkohë për iniceneratorët vitin e ardhshëm planifikohen 22 milionë dollarë subvencione nga shteti. Të gjitha në dorën  një njeriu, vartësit të ministrit të Financave. Përfaqësojnë simbjozën mes krimit të organizuar dhe ekonomisë së kapur.

Planifikohet të shkatërrohet Teatri Kombëtar për të ndërtuar 7 kulla me një shumë marramendëse e cila nuk mund të vijë nga anjë burim tjetër përveçse nga pastrimi i parave të pista të drogës.

100 milionë dollarë në total janë planifikuar për PPP-të dhe asnjë nuk e përmbledh dhe simbolizon më mirë këtë se sa afetar 1 miliardë dollarë e PPP-ve, pastrimit të parave të pista. Një aferë e cila përkëthehet në korrupsion gjigand, grabitje e xhepave të qytetarëve më të varfër të Europës për të pasuruar një grush njerëzish të cilët janë njerëzit që janë pasuruar më shpejt në historinë e 10 viteve të fundit të Europës, edhe këta një grusht shqiptarësh pasurohen në kurriz të gjithë shqiptarëve.

Platforma jonë kundër korrupsionit dhe oligarkisë si pjesë e ligjit antimafia synon të krijojë një mjedis të barabartë për konkurencën dhe biznesin. Ky përfituesit e tenderave dhe koncensioneve të jenë ata që ofrojnë zbatimin e projekteve për leverdi të shqiptarëve me çmimin dhe koston më të ulët të projekteve dhe jo më të lartat.

Barazia në tendera dhe koncensione dhe përdorimi sa më efikas i parave të shqiptarëve në shërbim të qytetarëve është synimi ynë të materializohet në këtë platformë. Thelbi i propozimit, ajo që quhet mekanizmi antimafia, është që përmes ligjit dhe institucioneve shtetërore të garantojmë që gjithçka që i është marrë shqiptarëve nga buxheti i shtetit dhe pasuritë publike t’ju konfiskohen e t’ju kthehen shqiptarëve përmes mekanizmit të ligjit antimafia dhe kjo do të shpjegohet në detaje nga zonja Jorida Tabaku.

Zonja dhe zotërinj, përtej denoncimeve, përtej dhënies zë të dëshpërimit, zhgënjimit dhe zemërimit popullor sot Partia Demokratike po paraqet rrugët e daljes nga kjo krizë jo thjeshtë vetëm me slogane, jo thjeshtë vetëm me parrulla apo fjalë po me platforma konkrete. Ne presim që këto platforma të jenë produkt jo thjeshtë dhe vetëm i eskpertëve tanë, i ekipit tonë më i mirin ë Shqipëri, jo vetëm sepse është i ndershëm, me integritet dhe i përkushtuar ndaj fatit të qytetarëve por edhe për shkak të eskpertizës tonë, por të pasurohet po kështu duke i dhënë dimesionin e plotë të debatit, diskutimit dhe shkëmbimit të mendimit me qytetarët.

Ndaj ju ftoj pa humbur kohë të ndjekim 3 prezantime të shkurtra nga z Bylykbashi, z Bardhi dhe znj Tabaku për të nisur së bashku më pas diskutimin dhe debatin për këto 3 cështje por edhe për të tjera çështje të aktualitetit për Korçën dhe mbarë Shqipërinë.

Faleminderit.