BUXHETI 2019

  • Buxheti 2019 më katastrofiku i 28 viteve viteve. Legjitimon zhvatjen dhe vjedhjen me ligj të shqiptarëve dhe pasuron një grusht oligarkësh dhe qeveritarësh.
  • Llogaritë tregojnë se 97% e shqiptarëve, me rritjen e taksave, çmimit të naftës, të energjisë, paguajnë më shumë sesa para 5 vitesh.
  • Janë 1.9 miliardë euro më shumë të nxjerra nga xhepat e shqiptarëve, jo për shkak të formalizimit. Këta vjelin më pak se qeveria e PD.
  • Buxheti 2019 thyen rekordin e borxhit që, bashkë më PPP, e kalon kufirin ogurzi të 80%.
  • Projekti “1 miliard” me PPP, që po shkon 3 miliard euro, është projekti më korruptiv në Ballkan. Favorizon disa oligarkë duke lënë mbi shqiptarët një faturë të tmerrshme.
  • Buxheti 2019 nuk ndal boshatisjen e vendit. 1 në 6 shqiptarë është larguar gjatë qeverisë së Edi Ramës.
  • Buxheti 2019 nuk nxjerr nga varfëria ekstreme asnjë nga 150 mijë familjet. Buxheti për ta është sa për 2.2 km tek Unaza e Re.

ALTERNATIVA PD

  • Alternativa e PD nuk është një tufë premtimesh, por një plan solid për të rindezur motorrët e fikur të ekonomisë, të rikthejë besimin e investitorëve vendas e të huaj.
  • 9% taksë e sheshtë, e domosdoshme si taksë konkururese në Ballkan për të thithur investime që krijojnë vende pune.
  • Për biznesin e vogël ngritja e kufirit të xhiros në 120 milionë lekë në vit dhe vedosja e pullës fiskale në mjediset e jashtme të biznesit. Vendosja e kufirit me ligj për taksat e pushtetit vendor. Në Tiranë janë 7 fishuar.
  • Eliminim të menjëhershëm të taksës së qarkullimit + taksës së karbonit = 314 lekë.litër më lirë.
  • Rikthim i fashave mbrojtëse të energjisë për shtresat në nëvojë dhe për prodhuesit. Energjia është një nga piramidat më kriminale të ekonomisë.
  • Në qeverinë e PD të ardhurat nga taksat e shqiptarëve nuk do të shkojnë për koncesione korruptive. Secili prej tyre do të anullohet sipas ligjit Antimafia.
  • Nuk ka për të falimentuar Shqipëria për të paguar 15 kontrata korruptive. Qeveria e PD nuk do të paguajë asnjë qindarkë për to. Këto para do të shkojnë për prioritetet tona të zhvillimit.
  • Në bujqësi 100 milionë euro subvencione për fermerët, 50 milionë euro për investime në infrastrukturë.
  • Për të realizuar alternativën e PD, duhet të realizohen 3 synimet kryesore të opozitës: vetingu i politikanëve, platforma antimafia, dekriminalizimi i zgjedhjeve.
  • Ftoj qytetarët t’i bashkohen alternativës sonë për rrugëdalje nga kriza, për të rikthyer legjitimitetin qeverisjes. Është beteja ekzistenciale për një Shqipëri të mundësive për të gjithë.

 

FJALA E HAPJES E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA

Përshëndetje dhe mirëse keni ardhur të nderuar përfaqësues të partive parlamentare të opozitës, aleatë opozitarë.

Të dashur të pranishëm, miq të ftuar,

Përfaqësues të sipërmarrjes,

Shoqatave të biznezit të vogël, Konfindustrisë,

Shoqatave të prodhimit, të transportit, të fermerëve, të pensionistëve, grupeve të interesit e shtresave në nevojë, Përfaqësues të ish-përndjekurve politikë dhe pronarëve.

E sotmja është një ditë ku opozita, së bashku me ju, do të bëjë transparencën e munguar për atë që është buxheti më katastrofik në 28 vite të Shqipërisë pluraliste. Buxhet i cili legjitimon zhvatjen dhe vjedhjen me ligj të shqiptarëve, të taksave të tyre, të burimeve të tyre natyrore dhe rëndon mbi ta një shifër borxhi rekord, e cila, e agreguar me borxhin e fshehur të projektit korruptiv të PPP-ve thyen për herë të parë tavanin ogurzi të 80 përqindëshit.

Kjo, falë projektit më korruptiv të Ballkanit, projektit të ashtuquajtur 1 miliardë, i cili tashmë po i afrohet shifrës 3 miliardë. Pra, dhënies së 15 apo 20 koncesioneve, 10 apo 15 oligarkëve të vendit, me një vlerë të barabartë sa gjithë buxheti vjetor i Shqipërisë. Rritja e borxhit, koncesionet dhe favoret fiskale për një grusht njerëzish, kanë sjellë një faturë të tmerrshme për të gjithë sektorët e ekonomisë, që nga ambienti tmerrësisht negativ për investimet dhe biznesin, ambienti fiskal, tek shpenzimet sociale, për pensionistët, shtresat në nevojë, për shëndetësinë, për arsimin, për të rinjtë, për studentët.

Dhe kjo në një kohë kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një buxhet realist, që të ndalë dramën e madhe të boshatisjes së vendit, ku 1 në 6 shqiptarë është larguar në kohën e qeverisjes së “Rilindjes” së Edi Ramës.

Shqipëria ka nevojë për një buxhet i cili të adresojë nevojat akute të mbi 150 mijë familjeve, në nevojë ekstreme ekonomike, për të cilat Edi Rama ka rezervuar në këtë buxhet një shumë të barabartë me atë që planifikon të hedhë në Unazën e Re. Pra, ai i ka rezervuar mesatarisht çdo familjeje një gjysëm milimetri asfalt të Unazës së re, duke i detyruar të ndërmarrin veprime ekstreme, siç janë largimi nga vendi, dhe duke e çuar edhe njëherë Shqipërinë në parametra afrikanë, ku sipas Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), 290 mijë shqiptarë nuk hanë dot më shumë se një herë në ditë.

Vendi është në emergjencë dhe emergjenca, përtej konstatimit dhe denoncimit, ka nevojë për alternativë dhe veprim.

Por sot, teksa kjo qeverisje e falimentuar përpiqet ta kalojë dokumentin më të rëndësishëm të shtetit, buxhetin e shtetit, në mungesë totale transparence dhe me një propagandë groteske, është detyra jonë si opozitë të bëjmë transparencë të plotë para qytetarëve. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë transparencë, jo thjesht me njëri-tjetrin, jo thjesht nga një foltore, por në praninë e përfaqësuesve të grupeve të interesit, të të gjitha shtresave të shoqërisë, që gjenden sot të përfaqësuara në këtë sallë.

Edhe njëherë ju falenderoj për pjesëmarrjen.

 

FJALIMI PËRMBYLLËS I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA

Faleminderit zoti Neranxi, jam i sigurtë që koha këtu gjithmonë do të jetë e pakët për trajtimin shterues të problematikave të ekonomisë e në veçanti kur diskutohet buxheti. Por dua të konkludoj me dy parashtrime të shkurtra.

Ne erdhëm këtu së pari për të bërë transparencën e vërtetë se ç’është ky buxhet. Një buxhet që vjedh njerëzit dhe pasuron një grusht oligarkësh.

Ky është modeli që ka ndërtuar dhe organizuar organizata e Rilindjes në 5 vite. Është një model thellësisht klientelist dhe i korruptuar. Është një model kriminal.

Nga njëra anë ka rritur taksat, ka rritur çmimin e naftës, ka rritur faturën e energjisë, ka rritur të gjitha tarifat pa përjashtim.

Llogaritë tregojnë se 97% e shqiptarëve paguajnë më shumë sesa para 5 vitesh dhe shifrat janë të frikshme, 1.9 miliardë euro më shumë të nxjerra nga xhepat e shqiptarëve, jo për shkak të formalizimit, sepse, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm, vjelin vetëm 27.5%, pra më pak sesa ç’vilte qeveria demokrate me taksën e sheshtë, por si rezultat i represionit, i cili ka çuar bizneset drejt mbylljes, pensionistët dhe shtresat në nevojë drejt konsumimit të një vakti në ditë, të rinjtë drejt emigracionit.

Alternativa jonë është e qartë dhe nuk përbëhet nga një tufë premtimesh, por nga një plan solid.  Si në anën e mbledhjes së të ardhurave, ashtu edhe në anën e shpenzimeve.

Politika jonë fiskale ka vetëm një synim: T’i ndezë motorrët e fikur të ekonomisë. Të rikthejë besimin e biznesit të vogël, sipërmarrjen në tërësi të investitorëve të huaj dhe të konsumatorëve tek burimet e pashtershme të ekonomisë shqiptare që sot kontrollohen nga një grusht njerëzish.

Platforma dhe plani ynë është solid, i kalkuluar që, nga njëra anë, të japë këtë nxitje maksimale dh,e nga ana tjetër, të krijojë mjaftueshëm të ardhura për t’iu përgjigjur si sfidave sociale, ashtu edhe planit tonë ambicioz të investimeve.

Po i qëndrojmë 9% taksës së sheshtë, e domosdoshme si taksë konkurruese në Ballkan. Një vend që e ka taksën 6% më të lartë se Maqedonia dhe Mali i Zi, edhe sikur t’i ketë në rregull gjërat e tjera, nuk do të jetë në gjendje që të thithë investime të huaja që të krijojnë vende pune.

Dy investimet e fundit që krijojnë vende pune, TAP-i dhe Devolli po shkojnë drejt mbylljes. Dhjetëra-mijëra njerëz do të humbin vendet e tyre të punës.

Një investim të huaj nuk kemi parë këto 5 vite. Asnjë!

Pyetja që ia kam parashtruar shpesh herë kreut të kësaj organizate, kryeministrit aktual: “Na thoni një investim serioz perëndimor mbi 3 milion euro që i ke sjellë këto 5 vite?” Nuk ka asnjë të vetëm! Përkundrazi ka një listë të gjatë investimesh që janë larguar.

Pra alternativa jonë është 9% taksë e sheshtë. Padyshim.

Për biznesin e vogël:

  • ngritja e kufirit në 120 milionë lekë të vjetra,
  • vendosja e pullës fiskale në ambientet e jashtme të biznesit,
  • vendosja e kufirit me ligj për taksat e pushtetit vendor, të cilat vetëm këtu në kryeqytet janë shtatëfishuar.

Janë shtatëfishuar paratë që paguan biznesi, sipërmarrja e vogël (e gjithë sipërmarrja, por sipërmarrja e vogël e ndjen akoma më shumë) për pushtetin vendor. Pra vendosja e një kufiri me ligj dhe thjeshtimi i të gjitha procedurave të ndërveprimit me të gjitha agjencitë shtetërore, prania e të cilave në biznese nuk mund të shkojë për terror siç shkon sot. Por duhet të shkojë për të ndihmuar klimën e biznesit.

  • Një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në komoditetet që kanë të bëjnë me strukturën e ekonomisë, naftën. Eleminimi i menjëhershëm i akcizës apo taksës së qarkullimit, plus taksës së karbonit 314 lekë të vjetra për litër, para që merren në mënyrë abusive. Paguajmë naftën më të shtrenjtë, shtrenjtojmë gjithçka në ekonomi, bëhemi jokonkurrues brenda dhe jashtë vendit, dhe ku shkojnë këto para?! Shkojnë për të bërë 20 milionë kilometrin në Unazë.
  • Rikthimi i fashave mbrojtëse të energjisë, për shtresat në nevojë dhe për prodhuesit. Çmimi i prodhimit të energjisë shqiptare nuk kalon një lekë. Shitet me 9-13 lekë. 1 mijë e 300% marzh fitimi. Një nga skemat më korruptive, një nga piramidat më kriminale të shtetit shqiptar është ajo e energjisë.

Ne besojmë se këto masa do të risjellin shpresë dhe besim tek, në radhë të parë tek sipërmarrja, në radhë të dytë tek konsumatori. Do të ndezin motorrët e ekonomisë, do të çlirojnë energji pozitive, do t’i vënë në lëvizje kapitalin dhe do të rrisin natyrisht bazën mbi të cilën do të mblidhen këto të ardhura. Por këto të ardhura nuk do të shkojnë për koncensionet korruptive të programit që nisi me 1 miliardë e ka shkuar 3 miliardë.

Dua ta përsëris qartë dhe prerë, secili prej këtyre koncensioneve do të anulohet nga i pari tek i fundit, asnjë prej këtyre oligarkëve apo bankave që po i mbështesin, të mos kenë iluzionin më të vogël do të anulohen nga i pari tek i fundit dhe do të shqyrtohen sipas dispozitave të ligjit Antimafia.

Nuk ka për të falimentuar Shqipëria për të paguar 15 kontrata korruptive. Nëse alternativa është të falimentojë Shqipëria apo të falimentojë këto kompani, nëse alternativa është të mos kemi lekë për të paguar pensionet, pronarët, të përndjekurit, shtresat në nevojë, rrogat e mësuesve, ngrohjen për vogëlushët apo të falimentojnë këto të 15-të dhe bankat që qëndrojnë pas tyre.

Paralajmërimi është i qartë dhe i prerë: Asnjë prej këtyre kontratave nuk do të vazhdojë, janë të gjitha abuzive, janë të gjitha korruptive. Pa konkurrencë, propozime të pakërkuara, me kompani offshore si ato të inceneratorëve të Arben Ahmetajt, kompani që janë krijuar të hënën për të fituar tenderin të premten. Të gjitha këto kontrata do të anulohen.

Asnjë cent nga këto 2.2 mld që po shkojnë 3 mld nuk do të paguhen më nga qeveria e ardhshme. Këto para do të shkojnë të gjitha për politikat tona fiskale, për uljen e taksave dhe prioritetet tona të zhvillimit.

Në fushën e bujqësisë 100 milionë euro subvencion euro për fermerët, 50 milionë euro mbështetje në investime në infrastrukturë.

Në fushën e zhvillimit dhe investimeve në energjitikë, teknologjinë e informacionit dhe turizmit do të adoptojmë përvojat më të mira rajonale, të cilat bëjnë të mundur thithjen e investimeve të huaja, që duan jo vetëm një klimë konkurruese taksash, por duan mirëqeverisje, por duan po kështu që qeverisja të jetë një partner, jo një partner në kuptimin e allishverisheve dhe të ryshfeteve të biznesit, por një partner me sipërmarrjen që krijon vende pune, me forma të cilat përdoren në rajon me sukses; që nga regjime fiskale të thjeshtuara dhe me zbutje për 5 deri në 10 vitet e para, deri tek skemat e bashkëfinancimit të sigurimeve shoqërore.

Pse?

Për të thithur investime që hapin vende pune dhe hapin vende pune me paga dinjitoze dhe, po kështu, për të mbështetur sektorët jetikë prioritarë të zhvillimit, të infrastrukturës rrugore, portuale, hekurudhore. Por jo me PPP që e kanë çuar çmimin nga 3-4-5 milionë euro çmimet maksimale të investimeve në infrastrukturë, në 20-25 milionë euro.

Shikoni çfarë ndodh: Një tender fillon me 250 milionë, mbaron me 360 milionë, një nga këto tenderat korruptivë. Të gjitha këto do të marrin fund. Mbështetje do të kenë sektorët e shëndetësisë. Mbështetje do të ketë sektori i arsimit. Kjo mbështetje nuk do të matet më me kilometrat e rrugës të tenderave të korruptuar.

Sot kemi bëri një përpjekje titanike për t’i ikur tallavasë që imponon një kryeministër i dështuar që nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të flasë nga foltorja e Parlamentit si llaxore. Prandaj nuk mund të jemi në atë parlament sepse ai sot nuk ka thënë asgjë as për hallet e njerëzve, as për problemet e njerëzve, as për zgjidhjet, është tallur nga fillimi deri në fund.

Përtej patologjisë psiqiatrike që është domeini i mjekëve në këtë sallë, dua të them që unë refuzoj si kryetar i opozitës ta zbres nivelin e debatit publik në nivelin prej halabaku me të cilin flet Edi Rama për të fshehur dështimin total të qeverisjes së tij.

Sot kemi folur me fakte, sot kemi folur me shifra, sot kemi dhënë alternativën e qartë për të dalë nga kjo krizë e thellë.

Natyrisht kjo alternativë mund të materializohet vetëm përmes procesit demokratik. Prandaj është e domosdoshme të realizojmë tre synimet kryesore të shpallura tashmë:

  1. Vetingu i politikanëve, pastrimin e asaj salle, qeverisë dhe qeverisjes nga politikanët e lidhur me krimin.
  2. Platformën antimafia për t’i shkëputur 2.2 mld euro dhjetë oligarkëve që po i marrin frymën ekonomisë dhe për t’ia kthyer pensionistëve, vogëlushëve, shëndetësisë, sipërmarrjes.
  3. Platformën e dekriminalizimit të zgjedhjeve për të mundësuar që shqiptarëve t’u kthehet një qeveri legjitime që përfaqëson votën dhe vullnetin e tyre dhe jo interesat e bandave kriminale dhe oligarkëve që kanë marrë peng vendin.

Ndaj, kërkoj mbështetjen tuaj. Na duhet ndihma juaj! Na duhet të artikulojmë së bashku jo thjesht problemet, por edhe rrugët e zgjidhjes.

Në qoftë se besoni në këto rrugë të zgjidhjes, siç i artikuluan disa prej jush sot, t’i themi me zë të lartë, t’i bashkohen jo thjesht një përpjekje të partive politike, por një rrugëdalje racionale dhe të zbatueshme si ajo që ne propozojmë dhe, mbi të gjitha, t’i bashkohemi betejës për të rikthyer legjitimitetin qeverisjes në vend, për t’i rikthyer legjitimitetin zgjedhjeve në vend, për t’i dhënë shqiptarëve as më shumë dhe as më pak se institucionet e pastruara nga krimi dhe politikanët e lidhur me krimin.

Këto janë prioritetet tona, këto nuk janë betejat tona, janë betejat e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj mirëpresim dhe ftojmë të gjithë qytetarët, grupet e interesit, sipërmarrjen e ndershme të jenë pjesë e kësaj beteje.

Nuk është vetëm beteja e Partisë Demokratike, nuk është beteja vetëm e opozitës, është beteja ekzistenciale për një Shqipëri të mundësive për të gjithë, të mundësive për konkurrencë të lirë në ekonomi, të mundësive për një jetë më të mirë për të gjithë, të mundësive dhe shanseve për një Shqipëri europiane.

Ju faleminderit!