- Buxheti për arsimin në Shqipëri, në nivelin më të ulët të investimeve në Europë.
- Nuk ka asnjë përpjekje për të rikthyer në shkollë 134 mijë fëmijë dhe të rinj që kanë braktisur arsimin. Këtë vit u mbyllën rreth 228 shkolla të sistemit parauniversitar.
- Partia Demokratike e qartë në vizionin e saj: Mbështetje financimi për arsimin, infrastrukturën moderne, vit të paguar stazhi për studentët
LUÇIANO BOÇI, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE
Arsimi në mënyrë të përsëritur për 6 vite rresht mbetet sektori më i përçmuar, më i denigruar dhe më i lënë pas dore në qeverisjen e Edi Ramës.
Buxheti për arsimin i këtij viti konfirmon se Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për investimet në arsim.
Ai zë vetëm 2.23% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që është dhe niveli më i ulët historik i financimit të arsimit që nga viti 2005. Premtimi i bujshëm i rritjes në 5% të këtij buxheti në raport me prodhimin e brendshëm bruto është hedhur në koshin e plehrave si shumë premtime të tjera të Edi Ramës.
Ky nivel mizerabël financimi nuk siguron as arsim cilësor dhe as arsimim për të gjithë fëmijët e të rinjtë shqiptarë, duke i detyruar ata të paguajnë shumë para shtesë nga xhepat e tyre dhe buxhetet familjare.
Buxheti 2019 nuk lehtëson problemet e shumta që lidhen me pozitën e mësuesit, me pagat dhe mbështetjen e tyre. Nuk zgjidh as problemet e nxënësve, të shkollave, të laboratorëve, të bibliotekave, të mjeteve didaktike, të klasave kolektive dhe të transportit.
Në Buxhetin 2019 nuk ka asnjë perpjekje për të kthyer në shkollë 134 mijë fëmijët dhe të rinjtë që e kanë braktisur atë vitet e fundit. Sipas statistikave zyrtare, sivjet rezultojnë se janë mbyllur rreth 228 shkolla të sistemit parauniversitar.
Për arsimin e lartë dhe shkencën buxheti parashikon vetëm 70 milionë dollarë. Kjo përfaqëson vetëm 0,46 % PBB, ose më saktë rreth 1 dollar ne dite, për rreth 6 mije pedagoge dhe rreth 135 mije studente.
Një shumë qesharake dhe diskriminuese. Për më tepër s’parashikohen asnjë zgjidhje financuese për të mundësuar aplikimin e kredisë studentore.
Akoma më skandaloze është pjesa që i dedikohet rinisë dhe sportit. 5 milionë dollarë gjithsej jep qeveria jonë, për pasurinë më të madhe njerëzore të një vendi, rininë.
Pra thjesht 0.03% e PBB, të cilat jo vetëm nuk arrijnë të ndalin eksodin masiv të të rinjve, 79% e të cilëve kërkojnë të largohen nga sytë këmbët nga ky vend, por nuk mjaftojnë as për mbajtjen në këmbë të agjencive rinore e jo më të ezaurojnë meritën shpërblyese për sportistët elitarë.
Përkundrejt kësaj gjendje katastrofike Partia Demokratike është e qartë në vizionin e saj:
Mbështetje totale financuese për arsimin.
Ndërtim të një infrastrukture moderne dhe instalimi i një procesi mësimor tërësisht evropian. Libra falas për të gjithë fëmijët e ciklit parauniversitar, mbështetje për fëmijët e familjeve në nevojë, shërbim psiko-social të standardizuar, siguri dhe jetë normale shkollore.
Financim të universiteteve publike, tarifa të përballueshme për çdo student dhe vit të paguar stazhi për një pjesë të madhe të tyre.