Partia Demokratike do të ndjekë modelin konservator britanik në përzgjedhjen e kandidatëve të saj. Për këtë arsye, Kryetari i Bordit të Vlerësimit të Kandidaturave të Partisë Konservatore, David Jones, erdhi në Tiranë për të dhënë përvojën e konservatorëve në pushtet për mënyrën sesi përzgjidhen kandidaturat përpara se ato të bëhen zyrtare.
“Ne jemi këtu për të ndarë eksperiencën dhe punën tonë në Partinë Konservatore duke ofruar një sistem të hapur, demokratik dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatëve për në Parlament. Ne jemi të lumtur t’i ofrojmë këto eksperienca dhe jemi të kënaqur me mikpritjen që na është dhënë dhe në veçanti për interesin që është treguar nga partia simotër këtu në Shqipëri.”- u shpreh David Jones për gazetarët.
Modeli konservator britanik është përshtatur në statutin e Partisë Demokratike me Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve, i cili do të menaxhojë një proces që kalon vendimmarrjen tek anëtarësia e Partisë Demokratike. Basha e vlerësoi si më të mirën në Europë dhe në botë përvojën britanike të seleksionimit të kandidaturave para se ato t’i dërgohen për vlerësim dhe gjykim anëtarësisë.
“Qëllimi është i qartë, demokratët shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë do të kenë tek Partia Demokratike kandidatë për deputetë dhe kandidatë për pushtetin vendor që do të përfaqësojnë në radhë të parë dhe mbi të gjitha interesin publik, interesin e qytetarëve shqiptarë dhe natyrisht vlerat dhe parimet për të cilat qëndron kjo parti. Ky takim është një shenjë e qartë e besimit të madh që partitë tona simotra kanë tek Partia Demokratike, e shpresës që përmes europianizimit të standardeve të zgjedhjeve të deputetëve dhe të përfaqësuesve të pushtetit vendor, Partia Demokratike tashmë të imponojë në skenën politike një standard europian, një standard i cili t’i shërbejë interesit të qytetarëve shqiptarë.” – u shpreh Basha.
Për të vënë në dukje krizën e thellë ku ndodhet demokracia në Shqipëri, Kryetari Basha iu referua njerëzve që ka çuar në Parlament organizata e Rilindjes, përfaqësues që nuk kanë lidhje me PS, por me bandat, krimin e organizuar, biznesmenë me kredenciale të dyshimta. “Ky është një problem shkatërrimtar për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë. Kjo duhet të marrë fund”– u shpreh Basha, i cii shpjegoi kontributin e Partisë Demokratike në këtë drejtim.
“Së pari, në procesin e dekriminalizimit, faza e parë e të cilit ka larguar mbi 350 deputetë, kryetarë bashkie, anëtarë të këshillave bashkiakë dhe zyrtarë të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar për shkak të rekordeve të tyre kriminale.
Së dyti përmes propozimit tonë për vetingun e politikanëve, për largimin e politikanëve të lidhur me krimin e organizuar dhe të përfshirë në afera korruptive.
Së treti përmes reformës së politikës, reformës zgjedhore dhe reformës së partive politike. Reformë e cila duhet të synojë që partitë politike të shprehin dhe të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.” – u shpreh Kryetari i PD, Lulzim Basha.