• Prokuroria hesht prej 3 javësh në mbrojtje të krimit elektoral të Vangjush Dakos, për të cilin është faktuar se ka blerë vota me bandat dhe i ka shpërblyer ato për fuqizimin ekonomik të tyre.
  • Prokuroria duhet t’u thotë shqiptarëve pse nuk po e heton Vangjush Dakon dhe kush ka bllokuar arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit.
  • Vangjush Dako duhet të arrestohet për krimin elektoral të blerjes së votave bashkë me bandat për llogari të pushtetit ilegjitim të Edi Ramës! Faktet janë në dosjen 339!

 

DHURATA ÇUPI, DEPUTETE E PARTISË DEMOKRATIKE

 

Po bëhen tre javë që shqiptarët kanë parë provat e përfshirjes së Vangjush Dakos në krimin e blerjes së votave bashkë me bandat, por nga prokuroria ka vetëm heshtje.

Nën urdhrat politikë të Edi Ramës, Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk po e heton Vangjush Dakon, megjithëse është provuar publikisht se ai ka gënjyer për miqësinë dhe shkëmbimin e favoreve me bandën e Avdylajve.

Vangjush Dako ka qindra faqe përgjime me bandat në Durrës, të cilat prokuroria i disponon, por i fsheh, që të mos bëhen publike pazaret e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit për blerjen e votave, në këmbim të favoreve, lejeve, punësimeve, tenderave, pasurive publike të Durrësit.

3 përgjimet e bëra publike me miqtë trafikantë ndërkombëtarë droge që blejnë vota për Partinë Socialiste dhe që marrin falenderimin e Vangjush Dakos pas zgjedhjeve, janë vetëm fillimi.

  • Ndryshe nga sa ka pohuar Dako, përgjimet faktojnë se Kryebashkiaku i Durrësit ka komunikim me bandën e Avdylajve shumë kohë para zgjedhjeve. Biseda e shkurtit 2017 me Altin Avdylaj, me nofkën Niçja, të cilit i premton një favor, e provon këtë.
  • Dosja 339 fakton se Kryetari i Bashkisë së Durrësit, pasi ka blerë vota, bashkë me trafikantët ndërkombëtarë të drogës, komunikon sërish me Niçen për të falenderuar kreun e bandës, Astrit Avdylaj, dy ditë pas zgjedhjeve.
  • Nga përgjimet shqiptarët kanë parë sesi banda e Avdylajve, një pjesë e të cilës është në burg për trafik ndërkombëtar droge, i kërkon Dakos të ndërhyjë për të larguar forcat speciale.

Pavarësisht këtyre fakteve dhe mashtrimeve publike të Kryebashkiakut të Durrësit, Prokuroria nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje Vangjush Dakon.

Shërbëtoret e Edi Ramës në Prokurori duhet t’u thonë shqiptarëve:

  • Kush po e mbron Vangjush Dakon nga Forca e Ligjit.
  • Kush ka bllokuar arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit?

Vangjush Dako sot duhet të ishte në burg! Ai duhet të arrestohet për krimin elektoral të blerjes së votave bashkë me bandat për llogari të pushtetit ilegjitim të Edi Ramës! Faktet janë në dosjen 339!

Në Shqipëri nuk ka për të patur asnjë process normal politik derisa të ndëshkohet krimi elektoral, që blen pushtetin me paratë e krimit dhe korrupsionit dhe më pas sundon vendin bashkë me bandat kundër interesave të shumicës së shqiptarëve.