• Edi Rama nuk ka dhënë asnjë shpërblim për fundin e vitit për 34 mijë mësues në arsimin parauniversitar, ndërkohë paguan 105 milionë euro për koncesionet e oligarkëve.
  • Qeveria shkel kontratën kolektive të firmosur mes Ministrisë Arsimit dhe Sindikatave.

LUÇIANO BOÇI, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE

Qeveria e Edi Ramës ka vendosur një rekord të ri në keqtrajtimin, përçmimin dhe denigrimin e mësuesve gjatë këtyre 5 viteve të fundit.

Që kur ka ardhur në pushtet e deri më sot, Edi Rama nuk ka dhënë asnjë shpërblim për fundin e vitit për 34 mijë mësues në arsimin parauniversitar.

Edhe këtë vit, qeveria që paguan 105 milionë euro për koncesionet e oligarkëve, nuk ka asnjë qindarkë për të shpërblyer mësuesit e Shqipërisë.

Duke mos u dhënë shpërblimin e fundvitit 34 mijë mësuesve, qeveria shkel kontratën kolektive të firmosur mes Ministrisë Arsimit dhe Sindikatave.

Në nenin 10 të kontratës thuhet se “punëdhënësi, që në këtë rast është qeveria, u njeh sindikatave të drejtën për shpërblimin vjetor të mësuesve në sistemin publik parauniversitar.”

Mburrja e Edi Ramës se po bën shtet vlen vetëm për mashtrimin e shqiptarëve nëpërmjet makinerisë së tij të propagandës. Në të vërtetë, kryeministri po u mohon 34 mijë mësuesve të Shqipërisë një të drejtë të fituar me ligj.

Mungesa e shpërblimit për mësuesit është reflektim i braktisjes së arsimit nga qeveria. Edi Rama nuk e ka prioritet arsimin dhe këtë e faktoi në çdo drejtim protesta e studentëve.

Është fakt se buxheti për arsimin në Shqipëri është në nivelin më të ulët të investimeve në Europë.

Është fakt se kjo qeveri nuk ka asnjë përpjekje për të rikthyer në shkollë 134 mijë fëmijë, të rinj dhe studentë që kanë braktisur arsimin. Këtë vit u mbyllën 228 shkolla të sistemit parauniversitar.

Mësuesit e Shqipërisë dhe sistemi arsimor kanë vetëm një alternativë të besueshme, Partinë Demokratike.

Ne jemi të qartë për vizionin tonë: Mbështetje financiare për arsimin, shpërblimin dhe rritjen e pagave për mësuesit, investim për infrastrukturë moderne, subvencionim për tarifat e studentëve, stazh të paguar për 10 mijë studentë çdo vit.

Partia Demokratike ka të gjithë vullnetin për ta nxjerrë sistemin arsimor nga kriza dhe për të shkuar me vendosmëri drejt zhvillimit.