Të rinjtë e Partisë Demokratike u inkurajuan nga politikanë të lartë gjermanë që të ngrenë zërin dhe të marrin në dorë fatin e tyre për të ndryshuar Shqipërinë. Në Akademinë Politike 2018 me pjesëmarrjen e 120 studentëve nga i gjithë vendi, anëtari i Bundestagut, Andreas Lammel, e konsideroi Partinë Demokratike si alternativën që i duhet Shqipërisë për përparimin e saj.

 

“Qeveria zgjidhet që të zhvillojë vendin, ta çojë atë përpara dhe në shërbim të qytetarëve, por qeveria e tanishme nuk e ka kuptuar këtë. Nëse doni të merrni fatin në dorë, punoni për të mundësuar që ju të qeverisni, sepse kohët janë të mira për opozitën. Për fat të keq, PD është akoma në opozitë, por vitin tjetër kjo mund të ndryshojë me zgjedhjet lokale” – tha deputeti gjerman i CDU-së, Andreas Lammel në Akademinë Politike 2018 të FRPD.

 

Christian Kremmer, përfaqësues i Partisë Popullore Europiane, ishte shumë konkret, kur renditi problemet reale me të cilat përballet rinia në Shqipëri.

 

“Ne e dimë se situata është keq dhe akoma më keq për të rinjtë.  1/3 nuk gjejnë punë në Shqipëri, shume të tjerë largohen nga vendi. Të dashur miq, po luhet me të ardhmen tuaj! Mos lejoni që ky vend të trajtohet si pronë private e disa pakicave!” – tha zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i PPE.

 

Christian Kremmer vuri në dukje nevojën urgjente të Shipërisë për vetingun në politikë, për një alternativë të re politike, për ndarjen reale të pushteteve dhe për një drejtësi funksionale.

 

“Me lejoni të them qartë: pa ndarjen e pushteteve dhe drejtësi të pavarur nuk ka liri dhe demokraci funksionale. Korrupsioni dhe lidhjet midis krimit të organizuar dhe politikës janë vjedhje ndaj qytetarëve. Korrupsioni pengon investimet dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Prandaj, në rastin e Shqipërisë është logjike që vettingu të bëhet jo vetëm në drejtësi, por edhe për personat përgjegjës në politikë. “- u shpreh Christian Kremmer i PPE.

 

Akademia Politike 2018 u organizua nga FRPD me mbështetjen e fondacionit Konrad Adenauer dhe të PD. Përveç politikanëve gjermanë, me të rinjtë demokratë biseduan Kryetari i PD, Lulzim Basha, ish Kryeministri Sali Berisha. Çështjet kryesore të trajtuara në Akademimë Politike 2018 kishin të bënin me ekonominë, zgjedhjet, mediat, diplomacinë dhe rëndësinë e një elite të re politike të pakorruptuar dhe të painkriminuar. Për studentët pjesëmarrës u shpërndanë çertifikata nga drejtori i fondacionit Konrad Adenauer për Shqiperinë, Walter Glos dhe Kryetari i FRPD Belind Këlliçi.