• Protestat në të gjithë Shqipërinë janë pasojë e degjenerimit të qeverisjes. Për shqiptarët është bërë e rëndë pasha e keqqeverisjes, e cila është reduktuar vetëm në grabitje dhe vjedhje për llogari të Edi Ramës.
  • Po të mos ishte për mbështetjen që i dha opozita banorëve të Unazës, shtëpitë do të ishin shembur nga projekti korruptiv 40 milionë euro I komoanive fantazëm me dokumenta të fallcifikuar.
  • Në krye të projektit korruptiv është Edi Rama dhe drejtësia duhet të gjejë kaparin që i është dorëzuar atij përmes Afrim Qendros. Projekti nuk është për zhvillimin, por për pastrimin e parave. 
  • Të gjitha projektet e Ramës kushtojnë 2-3 herë më shumë sesa kostoja, sepse bëhen për të grabitur paratë e taksapaguesve shqiptarë. Pramdaj nuk ka para për pensionet, arsimin, shëndetësië. 
  • Vjedhja dhe grabitja është tipari i vetëm i qeverisë Rama. Bashkë më një grusht njerëzish, që janë sot sheikët e Ballkanit, sheiku i Surrelit, Rama, është sot ndër politikanët më të pasur të Evropës.
  • Degjenerimi i qeverisjes ka shkaktuar zemërimin e qytetarëve, çka shpjegon qëndresën e banorëve tek Unaza e re, qëndresën e studentëve, të biznesit të vogël, të fermerëve dhe qytetarëve në të gjithë vendin. 
  • Me një gjuhë të vjetër e të vjetëruar, Rama po sulmon studentët dhe këdo që sheh si rrezik për karrigen, tepsinë e tij dhe sistemin e kalbur ku bën pjesë me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh.
  • Studentët do t’ia dalin të rrëzojnë një sistem të degjenuar arsimor, por do të jenë edhe gjeneza e një sistemi të ri demokratik të qeverisjes së vendit me një qeverisje të hapur, të ndershme, transparente , që i shërben qytetarëve.
  • Qytetarët e kanë kuptuar se mënyra për t’u përballur me këtë degradim total të qeverisjes është të qendrojnë të bashkuar e të ngrihen të bashkuar.
  • PD do të vazhdojë mbështesë dhe të jetë në krah të protestuesve për të bërë jo vetëm denoncimin, por edhe për të dhënë alternativën e daljes nga kriza. 

 

INTERVISTA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA GJATË PJESËMARRJES NË PROTESTËN E BANORËVE TEK UNAZA E MADHE E TIRANËS.

 

Pyetje: Zoti Basha, përveç protestës tek Unaza e Re ka patur protesta në disa qytete të Shqipërisë. A keni ju një qendrim për këtë?

 

Basha: Kjo që po ndodh është pasojë e degjenerimit total të qeverisjes. Prej kohësh, shqiptarët nuk po e mbajnë më peshën e keqqeverisjes. Kosto e jetës është bërë e papërballueshme. Organizatat ndërkombëtare kanë thënë se 290 mijë shqiptarë hanë vetëm një vakt në ditë. 40 % e shqiptarëve nuk kanë para të ngrohin shtëpitë e tyre. Pensioni mesatar në qytet, pasi paguan faturën e energjisë dhe të ilaçeve, nuk mjafton as për të blerë bukë. Ndërkohë taksat janë rritur, shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të karburanteve në Europë, shëndetësia është në gjendje kolapsi total. Kjo sepse prej vitesh tashmë vendi nuk qeveriset. Nuk ka asnjë politikë ekonomike, gjithçka është reduktuar në tendera, grabitje, vjedhje. Asgjë nuk e ilustron këtë më qartë sesa afera e Unazës së Madhe. Në një segment ekzistues të Unazës së Madhe, pra që ishte plotësisht i ndërtuar segmenti i parë i Unazës së madhe, pa pritur e pa kujtuar, pa asnjë transparencë, pa asnjë paralajmërim, lind një projekt i dhuruar në thonjëza, sepse projekti kushton mbi 1 milionë dollarë, i cili çon në një tender korruptiv, ku janë të përfshirë kompani fantazëm, dhe kompani me letra fallso, me llogari sekrete bankare në parajsa fiskale, të cilat tashmë janë të provuara edhe nga autoritetet amerikane se nuk ekzistojnë, janë të falsifikuara.

 

Për të mundësuar këtë vjedhje rekord, vjedhje 40 milionë euro për 2 kilometër rrugë, pa futur tvsh-në,  janë turrur mbi banorët e kësaj zone dhe po të mos ishte për qëndresën e tyre, natyrisht edhe për transparencën që ka ofruar media, disa nga mediat, se disa media i kanë zhdukur fare nga ekranet, por dua të përgëzoj ato që kanë qenë këtu dhe vazhdojnë të jenë këtu përditë, pra, Do të ishin shembur për një arsye të vetme, jo për një projekt zhvillimi, por për një projekt vjedhjeje. Nuk mjaftohet me vjedhjen, por është edhe një projekt i pastrimit të parave të veprës penale të korrupsionit. Tenderi është bërë në shkelje të të gjitha rregullave, është bërë me pjesëmarrjen e një kompanie që nuk ka paraqitur ofertë në të treja lotet, një nga kompanitë është një kompani fantazëm me konto bankare secrete në shtetin e Delaëare-it, por me letra të falsifikuara që nuk plotësojnë kriteret e tenderimit, dhe siç e ka bërë të qartë media tashmë, instrumenti i manipulimit ka përfshirë të paktën 4 ministri dhe Bashkinë e Tiranës.

 

Edhe njëherë dua të shtroj para qytetarëve pyetjen: Kush ka fuqinë politike në këtë vend, që brenda një kohe fare të shkurtër, të organizojë një tender të tillë mbi një rrugë ekzistuese, të mobilizojë Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake për t’i përzënë këta banorë dhe për t’ju prishur ndërtesat, dhe pastaj, kur është hasur në rezistencën e parë, të lëshojë gojën e ndyrë, duke i quajtur shpellarë, duke i quajtur kadrinj, duke i quajtur milionerë, zaptues, dhe duke i kërcënuar me gangsterët natën dhe policinë ditën, duke i kërcënuar me të gjitha mënyrat. Kush e ka bërë këtë? E ka bërë njeriu, i cili e ka ideuar këtë aferë, kokë më kokë me këto tre kompani. Jua kam thënë para një muaji, që kjo aferë është bërë kokë më kokë mes Edi Ramës dhe këto tre kompani. Edi Rama ka marrë drejtpërdrejt përfitimet e kësaj afere. Përflitet një kapar prej 4 milionë eurosh si qendrim, i cili i është dorëzuar përmes Afrim Qendros Edi Ramës. Gjithsesi kjo ëshë një çështje që duhet ta hetojë deri në fund drejtësia.

 

Po ku është drejtësia? Sa netë kam që ju them: pyesni prokurorinë. Ja keni dalë të pyesni prokurorinë se çfarë po bën? A ia ka dalë të marrë në pyetje autoritetet e përfshira në këtë aferë? A ka marrë informacion se si është e mundur që katër agjenci shtetërore të pranojnë dokumente false, pa bërë asnjë veprim verifikimi? Cili i ka shtyrë të mbyllin jo një, por të dyja sytë, dhe t’i pranojnë këto dokumenta fallse, cili presion politik ka bërë të mundur që këtu të veprohet me një shpejtësi kaq të madhe, a thua se kishim të bënim me një emergjencë kombëtare, kur në fakt ishte dhe është një segment funksional i Unazës.

 

Ju bëj edhe njëherë ftesën dhe kërkesën, ëshë detyra e medias në demokraci të bëjë transparencën dhe të hetojë qeverinë, të hetojë kryeministrin, të hetojë Afrim Qendron. Kryeministri Edi Rama dhe drejtori i ARRSH-së Afrim Qendro janë dy aktorët kryesorë në këtë vjedhje 40 milionë euro, në këtë projekt i cili po kështu përfshin pastrimin e parave, sepse të marrësh para përmes një afere korruptive në Shqipëri, dhe t’i çosh ato në një konto bankare sekrete në Amerikë, është vepër penale e pastrimit të parave të pisëta.

 

Kjo është në fakt radiografia e mënyrës se si qeveris Edi Rama.

 

Në asnjë vend nuk ka projekte zhvillimi, të gjitha janë projekte që kushtojnë 2-3 herë më shumë sesa kostoja, dhe që bëhen për të grabitur paratë e taksapaguesve shqiptarë. Dhe kjo ka sjellë një gjendje ku nuk ka para për të rritur pensionet, nuk ka para për të rritur rrogat, nuk ka para për të ndrequr konviktet, – konviktet kanë mbetur në 3D – nuk ka para për të reduktuar tarifat e universiteteve, nuk ka para për të rritur cilësinë e mësimdhënies së universiteteve, nuk ka para për spitalet dhe sistemin shëndetësor, që është në kolaps total, sepse këto para vidhen dhe grabiten.

 

Vjedhja dhe grabitja është tipari i vetëm i qeverisë Rama.

 

Pra qeverisja ka degjeneruar dhe njerëzit e kanë kuptuar. Në 5 vite janë rritur taksat, është rritur çmimi i energjisë, është rritur çmimi i naftës, është rritur fatura që shqiptarët paguajnë për shëndetin e tyre, për bukën, për ujin, për dritën. Por gjithë këto para që i mbledh shteti i Edi Ramës, nuk shkojnë për investime, për shkolla, për universitet, por zhduken në një grusht njerëzish që janë sot sheikët e Ballkanit, duke filluar me Sheikun e Surrelit, që është sot ndër politikanët më të pasur të Evropës.

 

Prandaj kjo qeverisje, që ka degjeneruar në çdo aspekt, ka shkaktuar zemërimin e qytetarëve në çdo aspekt. Kjo e shpjegon se si kanë qendruar pavarësisht presioneve, qytetarët e Unazës së Re, kjo e shpjegon se pse vazhdojnë të qendrojnë fuqimisht studentët dhe nuk kanë besim tek propaganda dhe gënjeshtrat e Edi Ramës dhe kjo shpjegon edhe qendrimet e biznesit të vogël. Nuk është hera e parë që biznesi i vogël ngrihet. Ka patur grevë të përgjithshme kundër futjes në skemën e tvsh-së, sot është ngritur për të kërkuar anulimin e një tjetër skeme vjedhjeje, që është koncesioni i kasave fiskale. 15 milionë euro që do t’i marrë një tjetër kompani fantazëm, e përfolur për lidhje me familjarët e kryeministrit, në bashkëpunim me një kompani kroate, edhe aty përfliten lidhje klienteliste të diplomacisë së kanabisit që ka ndjekur Edi Rama këto vite, e keni parasysh për çfarë e kam fjalën, paratë e drogës janë përdorur për të blerë shumë faktorë, duke përfshirë edhe faktorët përfaqësues të disa institucioneve ndërkombëtare, dhe për këtë do të ndërrojnë qindra-mijëra kasa, duke e detyruar biznesin të paguajë përsëri. Janë ngritur kundër kësaj skeme, janë ngritur kundër skemës së futjes në tvsh, janë ngritur për reduktimin e çmimit të energjisë dhe çmimit të naftës, që janë më të lartat në rajon dhe ndër më të lartat në Evropë.

 

Pra, jemi përpara një situate ku i gjithë vendi është në kolaps, ekonomia është në kolaps, sepse ka degjeneruar qeverisja. Nuk ka qeverisje, nuk qeveriset më, por vetëm grabitet dhe zhvatet. Dhe ajo që e mbulon grabitjen dhe zhvatjen është propaganda e shfrenuar, e cila mundësohet po kështu përmes disa mediave dhe mercenarëve që paguhen me paratë që Edi Rama u grabit qytetarëve.

 

Ne si opozitë kemi 5 vite që bëjmë betejë keqqeverisjes, kundër krimit në qeverisje, kundër oligarkëve për të cilët bëhen ligje, VKM dhe grabiten pasuri. Jemi në krah të qytetarëve për të mbrojtur interesin e publikut, interesin e qytetarëve, interesin e tyre, për të mbrojtur paranë publike, por jemi këtu po kështu, që, së bashku me ta, të ndërtojmë një alternativë. Detyra jonë është të ndërtojmë një alternativë. Alternative nuk mund të jetë thjesht largimi i Edi Ramës, nuk është kjo punë ik ti e të vij unë. Nuk është çështje karrigeje, siç e shtron Edi Rama. Ne nuk jemi këtu për të kërkuar pushtet, sepse ndryshe nga Edi Rama, unë besoj se pushteti duhet të vijë përmes votës së lirë. As përmes manipulimit, as përmes blerjes së votës, as përmes aleancës me krimin, as duke shkelur mbi sakrificën e qytetarëve apo duke shkelur mbi kufoma. Duhet të vijë përmes votës së lirë, por ne jemi këtu për t’ju bërë krah qytetarëve që edhe dje janë dhunuar. Dje kanë sjellë fadromat, por i kanë zbrapsur.

 

Pyetje: Nesër do të jeni sërish në krah të tyre sepse është paralajmëruar prishja e banesave?

 

Basha: Çdo ditë do të jemi në krah të tyre. Por do të jemi këtu edhe për të paraqitur një alternativë e cila nuk mund të jetë thjesht ndryshimi i karriges. Edi Rama është i obsesuar me karrigen, sytë ia ka zënë karrigja. E patë se në çfarë gjendje ishte sot?! Njësoj si dje. I janë veshur sytë nga karrigja sepse po i ikën tepsia. Karrigja, tepsia, aty e ka mendjen. Dhe për këtë arsye, sulmon me një gjuhë të vjetër dhe bajate këdo që mendon se i rrezikon karrigen.

 

Studentët, banorët këtu, artistët që protestojnë natë për natë për 10 muaj në Teatrin Kombëtar, i sulmon, i etiketon, mundohet t’i përçajë dhe sot përdori gjuhë përçarëse ndaj studentëve dhe pedagogëve, pedagogëve shkencëtarë e ndaj shumë njerëzve të tjerë, sepse i vetmja që i ka mbetur është shpresa se duke i përçarë do të vazhdojë të mbajë me çdo kush karrigen dhe tepsinë.

 

Mendon se do t’i përdorë studentët për të kontrolluar universitetet njësoj siç përdori Emiljano Shullazin. E kuptoni se në çfarë niveli ka zbritur ?! Siç donte me Emiljano Shullazin të diktonte zgjedhjet në universitet, ashtu tani mendon se mund të kthejë lëvizjen studentore në një instrument për të kapur plotësisht universitetet por studentët dhe qytetarët e kanë kuptuar se ky sistem është i kalbur.

 

Është sistem i kalbur arsimor, i kalbur është sistemi që ka ngritur Edi Rama, i bashkimit të interesave të një grushti politikanësh të korruptuar, me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh. Shpëtimi do të vijë vetëm përmes asaj që i bashkon studentët e 2018 me studentët 1990, dëshirën për të pasur një Shqipëri si gjithë Europa.

 

Po çfarë do të thotë Shqipëri si gjithë Europa?

 

Disa prej jush e dini si edhe unë që kam studiuar në Europë. Do të thotë që në radhë të parë jo të gjitha pushtet në dorën e një njeriut, ndarje dhe kontrolli i pushteteve. Funksionon qe për interesin publik e kontrollon parlamenti. Në vend që të jetë një kukull e qeverisë. Të funksionojë drejtësia e cila hesht për një aferë të tillë kriminale. Sot duhet të ishin arrestuar zyrtarë të lartë të kësaj qeverie. Duhet të ishin në burg dhe jo protestuesit që kanë mbrojtur shtëpitë e tyre.

 

Së dyti në kuptim e arsimit do të thotë jo vetëm mbështetetje me më shumë fonde për arsimin, por që manaxhimi i arsimit t’u besohet trupave pedagogjike dhe studentëve dhe natyrisht me një kontroll të cilësisë së mësimdhënies dhe cilësisë së invetsimeve për të përmirësuar kushtet të studentëve dhe pedagogëve. Ju e dini fare mirë që në Europë nuk shkohet as duke vjedhur popullin, as duke mashtruar për të mbuluar vjedhjen. Nuk shkohet duke rrënuar arsimin me shpresën se një rini e zhytur në injorancë mund të grabitet më kollaj, dhe të mashtrohet më kollaj.

 

Në Europë shkohet vetëm përmes rrugës Europiane përmes një pushtet i cili me të vërtetë buron nga vota e qytetarëve, përmes institucioneve që e ushtrojnë këtë pushtet sipas kushtetutës dhe ligjit dhe këtu këto shkelen për të prishur këto shtëpi dhe vjedhur ato para dhe duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të këtyre njerëzve, të drejtën për jetën, për pronën, lirinë e shprehjes, mediat e lira.

 

Prandaj, mendoj se përtej shembjes së sistemit së kalbur arsimor kjo është edhe parathënia e një lëvizje për të shembur këtë sistem që ka ngritur Edi Rama, sistem polito- kriminal-oligarkik dhe për t’i dhënë shqiptarëve një vend ku funksionon drejtësia, ku parlamenti me të vërtetë përfaqëson qytetarët dhe jo interesat e krimit. Deputetët nuk kanë produkt i parave dhe i mbështetjes kriminale siç është sot dhe për të cilin kemi propozuar vetingun në politikë që e refuzojnë dhe ku ekonomia nuk është në duart e 5 njerëzve e aq më pak të 5 injorantëve të pashkollë që kanë grabitur gjithçka, tenderat, pasuritë publike, koncensionet, bregdetin, gjithçka. Sepse këto janë pasuritë e shqiptarëve. Nuk mund të jetë kurrë në tagrin e Edi Ramës dhe 5 injoratëve oligarkë për t’i grabitur.

 

Kjo është domethënia e protestës së Unazës së Re dhe kjo ishte domethënia e protestave që ndoqa nga këtu në Kavajë, Shkodër, Vaun e Dejës, Bulevardi i ri, në Shkozë, në Himarë, kudo që protestojnë qytetarët dhe mendoj se qytetarët e kanë kuptuar se mënyra për t’u përballur me këtë degradim total të qeverisjes është të qendrojnë të bashkuar e të ngrihen të bashkuar. Do të vazhdojnë të ketë mbështetjen tonë të plotë dhe do të jemi në krah të tyre për t’i mbështetur protestat e tyren e tyre dhe do të jemi në krah të tyre për të bërë detyrën tonë tjetër, përveç denoncimit, pa të cilat shumë prej këtyre aferave do të kishin kaluar siç kanë kaluar shumë të tjera, por që do të zbulohen, që është alternativë për të dalë nga kjo gjendje.

 

Pyetje: A ka afera të tjera për Unazën e re z Basha?

 

Basha: Afera e Unazës së re është shumë e thellë. Hap pas hapi po zbulohen fakte tronditëse fakti tronditës që ka dalë prej disa ditësh duhet të hetohet deri në fund. Por ajo që bie në sy është që përtej vjedhjes me punimet e unazës duke se ka edhe një vjedhje tjetër që pasi t’u prishin shtëpitë, faktorë të krimit të organizuar të lidhur me kupolën rilindase kanë në plan të ndërtojnë pallate shumëkatëshe me fitime marramendëse të cilat do të ndahen me kryebashkiakun dhe me kupolën qeverisë së Rilindjes. Këto janë pretendimet. Ka një erresirë totale nga Bashkia por ne po përpiqemi të shtyrtojmë dokumentat e planifikimit urban dhe dokumenta të tjera të cilat mund të faktojnë se bashkia e Tiranës dhe Erion Veliaj, Edi Rama dhe bashkë me faktorë të krimit të organizuar janë të përfshirë në një zhvendosje masive të planin urbanistic për të prishur shtëpitë e qytetarëve dhe për të favorizuar krimin e organizuar që të ndërtojë palate shumëkatëshe dhe të pastrojë këtu paratë e drogës.

 

Pyetje: z Basha, ju thatë se poprotestohet në disa qytetet, por pse vetëm në ato të djathta?

 

Basha: Kush ju tha?! Unë mendoj se protestat janë shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe protesta që zhvillohet për një arsye të drejtë siç është çmimi i naftës, siç është çmimi i energjisë elektrike, siç është protesta në qendër të Tiranës e cila kontrollohet me grusht të hekurt nga Edi Rama dhe nga Erion Veliaj në kuptimin e pushtetit, por nuk kontrollohet dot më për shkak të protestës së studentëve, tregojnë se këto protesta janë shenja të degradimit të qeverisë dhe jo e përçarjes dhe helmit të propagandës qeveritare e cila mundohet të përçajë këto protesta duke thënë se pas këtyre qendrojnë interesa pushteti.

 

Padyshim që qendrojnë interesa politike, sepse të krkosh përmirësimin e kushteve të jetës, të ulësh koston e jetës, të kërkosh që paratë që ti paguan si taksë të të kthehen ty dhe të mos përfitohen dhe vidhen, është një kërkesë politike në thelb. Por nuk është një kërkesë partiake. Ne padyshim që jemi në krah të protestave dhe do të vazhdojmë të jemi në krah të tyre kudo që ato ndodhen, ndërsa ndarjen se ku ndodhin këto protesta mund ta bëjë vetëm një mendje e sëmurë siç është ajo e Edi Ramës të cilën siç e patë sot e kishte kapur kaq shumë paniku sa mendonte se ashtu siç përdorte Shullazin për zgjedhjet, siç përdor bandat e Durrësit për të terrorizuar Universitetin e Durrësit, mund të kthente edhe protestën e studentëve në një instrument për të kapur universitetet.

Pyetje: Do të jeni të pranishëm edhe nesër në protestë?

 

Basha: Unë dhe gjithë opozita do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha protestat në mënyrat e mundshme dhe si ta kërkojnë dhe sit ë jetë e nevojshme.

 

Pyetje: z Basha, protestat janë shpërndarë në të gjithë vendin, a është koha që të mblidhen të gjithë në një protesët mbarë kombëtare?

 

Basha: Qytetarët po protestojnë dhe po e kuptojnë se të jesh i ndjeshëm ndaj fatit tënd do të thotë të ngrihesh të protestosh aty ku ka padrejtësi. Dhë në këtë vend qeverisja ka degjenuar në këtë masë vjedhjeve sa nuk mund të ketë më asnjë shpresë, shpëtim apo progres apo zhvillim me Edi Ramën. Prandaj kudo që do ndodhin do ketë mbështetjen tonë dhe ne do të vazhdojmë të jemi në krah të tyre kudo që ata të jenë.

 

Pyetje: Cila do të ishte zgjidhja e PD për zgjidhjen e problemit të Unazës së Re?

 

Basha: Anulimin e menjëhershme të kësaj afere korruptive, hetimin e saj të plotë, vënia e përgjegjësve para ligjit duke nisur me zyrtarët më të lartë pa të cilët nuk do të ishte i mundur ky lloj falsifikimi dhe ky lloj vjedhje. Dhe dëmshpërbimi i banorëve për gjithçka kanë hequr gjatë gjithë kësaj kohe. Projekti nuk mund të fillojë kurrsesi pa bërë një vlerësim të vërtetë nëse ku projekt ka një vlerë për qytetarët apo jo. Në bindjen time më të thellë paratë që mund të shpenzoheshin për qëllime të tjera të nevojshme për qytetarët nuk do të hidhen këtu tek kjo pjesë e Unazës së Re e cila është egzistuese. Nuk është ky prioriteti. Ky nuk është projekt zhvillimi dhe faktet treguan se ishte një projekt vjedhjeje dhe pastrimit të parave të pista.

 

Pyetje: Zoti Basha, çfarë synoni të arrini me këto protesta?

 

Basha: Protestat janë të qytetarëve. Këtu në Unazën e Re ata synojnë të mbrojnë shtëpitë e tyre nga grabitja e një grupi njerëzisht të cilët bashkë me Ramën kanë planifikuar të përfitojnë dyfish. Së pari duke vjedhur me një shifër rekord prej 40 milionë euro për 2 kilometra dhe së dyti duke u prishur shtëpitë që të ndërtojnë me krimin e organizuar për pallate shumëkatëshe.

Studentët shpresojnë dhe besojnë dhe jam i bindur se do t’ia dalin të rrëzojnë jo thjeshtë një sistem të degjenuar arsimor dhe produkt i një ligji korruptiv dhe klientelist për arsimin e lartë, por po kështu të jenë gjeneza jo vetëm e një sistemi të ri arsimor me parametra europianë e perëndimorë por edhe një sistemi të ri demokratik të qeverisjes së vendit me një qeverisje të hapur, të ndershme, transparente dhe që i shërben qytetarëve.

 

Pyetje: Zoti Basha, pse keni zgjedhur të jeni në këtë protestë dhe jo përshembull tek ata të Bregut të Lumit?

 

Basha: Unë kam qënë kudo që ka pasur probleme të tilla. Diku kam qënë në protestë, diku kam qënë në shtëpitë e tyre dhe do të vazhdoj të jem kudo ku ta shoh të nevojshme praninë time së bashku me deputetët e PD, të cilët po kështu janë kudo në mbështetje të banorëve dhe protestuesve.