Prej 5 vjetësh investimi më i madh i Edi Ramës është tek propaganda, brenda dhe jashtë vendit. Edhe ekspozitat e veta private e të paligjshme po i përdor për imazhin e rremë të një kryeministri modern perëndimor! Por të gjithë investimin e jetës së Edi Ramës ia ka rrëzuar me pak rreshta organizata që mbron gazetarët, Reporterët pa Kufij.
Që në faqen e parë të raportit, Shqipëria përshkruhet si vendi ku krimi i organizuar ka fuqinë e organizatave më të tmerrshme kriminale, mafias italiane, triadës kineze, jakuzit japonez, mafias ruse dhe asaj turke.
Nën qeverisjen e Edi Ramës, Shqipëria ka krijuar imazhin e nje vendi parajsë për trafikun e drogës, por kjo është hera e parë që Shqipëria renditet në raportin e Reporterëve pa kufij si një nga 5 vendet në botë me krim të organizuar shumë të rrezikshëm.
Siç pohon raporti, i titulluar, “Gazetarët- beteja e zezë e krimit të organizuar”, kjo situatë alarmante ka ndikuar drejtpërsëdrejti në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, përfshirë edhe Shqipërinë.
Historitë e tre gazetarëve shqiptarë: Klodiana Lala, Basir Çollaku dhe Alida Tota janë tre rastet e përfshira në raportin e Reporterëve pa kufij. Të treja historitë kanë një të përbashkët: Gazetarët janë kërcënuar per shkak të denoncimeve që ata u kanë bërë lidhjeve të ngushta mes krimit të organizuar me pushtetin, Jurgis Çyrbjen me Emiljano Shullazin, Saimir Tahirin me drogën e Habilajve, Erion Veliajn me mafian e plehrave.
Rasti i Klodiana Lalës është pjesë e raportit të Gazetarëve pa kufij, ku përmendet agresioni i armatosur ndaj shtëpisë së familjarëve me breshëri plumbash nga persona të panjohur natën e 30 Gushtit 2018. Sulmi ndaj Lalës, gazetare innvestigative prej 10 vjetësh, në një nga TV kryesorë, Neës 24, kishte lidhje direkte me raportimet investigative të saj. Raporti thotë se 2 javë para sulmit në shtëpinë e të afërmve të saj, Lala publikoi lidhjet e deputetit Socialist Jurgis Çyrbja me orgnizatën kriminale të kryesuar nga Emiljano Shullazi. Aludimi i raportit të Gazetarëve pa Kufij mund të jetë një pistë e vlefshme për policinë, që të gjejë agresorët brenda parlamentit të Shqipërisë.
Raporti përmend gazetarin Basir Çollaku, i cili duke publikuar intervistën me kreun e njësisë së drogës në policinë e Vlorës, Dritan Zagani, denoncoi korrupsionin e policisë dhe lidhjet me trafikun e drogës së Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Një gazëtë dhe një Kanal TV pranuan të japin intervistën, por u tërhoqën pas telefonatave kërcëënuese të Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Dy vjet më pas, antimafia italiane provoi disa prej dëshmive të publikuara nga Çollaku. Por jeta e Çollakut është bërë pothuajse e pamundur në Shqipëri prej kërcënimeve.
Shembull i lidhjes mes shtetit dhe krimit të organizuar, Reporterët pa Kufij sjellin historinë e gazetares shqiptare, Alida Tota, e cila investigoi për lidhjet e zyrtarëve me krimin e organizuar në aferën e landfillit të Sharrës, ku humbi jetën Ardit Gjoklaj, një fëmijë i shfrytëzuar në punë të rëndë, së bashku me dhjetra bashkemoshatarë të tij dhe mes tyre dhe shumë gra dhe vajza që punonim në kushte ç’njerëzore. Pronari i landfillit ishte zyrtar i lartë i Partisë në pushtet dhe me lidhje në polici. Alida Tota u përfol, u përndoq, u kërcënua me urdhër të Kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj, për të fshehur krimin në landfillin e administruar prej tij,- thuhet në raport.
Më mirë se kushdo tjetër këto të vërteta i dinë vetë gazetarët në Shqipëri, të cilët përballen çdo ditë në redaksitë e tyre me presionin për të çensuruar realitetin, për të mos treguar lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar, për të mos denoncuar aferat e korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës, për të mbyllur ekranet për ata që ngrejnë krye!
Protesta e banorëve tek Unaza e Re është shembulli më i freskët i çensurës skandaloze që Edi Rama dhe Erion Veliaj lanë vendosur në televizionin publik dhe në televizionet kryesorë kombëtarë, ku mungon jo vetëm zëri i protestuesve, por shpeshherë edhe zëri i opozitës.
Përkeqësimi i situatës së medias në Shqipëri është vënë në dukje edhe më parë nga Reporterët pa Kufij, e cila ka dënuar “Përqëndrimin e medias në duart e afaristëve të lidhur me pushtetin, çensurën e gazetarëve dhe rritjen e armiqësisë ndaj gazetarëve, e nxitur direkt nga Kryeministri Edi Rama”.
Raporti i Organizatës së njohur “Reporterët pa Kufij” përforcon edhe një herë shqetësimet e ngritura edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për Të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, ku u denoncua “kapja e medias ”për interesa të qeverisë dhe kërcënimet e gazetarëve për të mos investiguar për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Si Kryetare e Komisionit për Cështjet e Medias, dua të shpreh shqetësimin që censura ende vazhdon, askush nga mediat kombëtare nuk publikoi këtë raport, ku flitej për historitë e punonjesve të tyre të kërcënuar nga mafia.
Sepse zyrat e censurës qeveritare i marrin urdhërat nga krimi i organizuar dhe mafia sic shprehet edhe në shqetësimin e reportereve pa kufij, nuk ndalet për të mposhtur gazetarët më kurajozë.
Pa media të lirë, nuk ka shtet të së drejtës dhe demokracia është në dorën e krimit të organizuar!