FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA NË PROTESTËN E BANORËVE TË UNAZËS SË RE.

Përshëndes banorët e Unazës për qëndresën e jashtëzakonshme, e cila sot ka hyrë në ditën e 89. Dua të ndaj sot me qytetarët lajmin se kurajo e tyre ka infektuar gjithë Shqipërinë, nga Shkodra në Vlorë, nga Kavaja në Korçë, qytetarët vlerësojnë qëndresën e banorëve të Unazës së Re, qëndresën e tyre të drejtë në mbrojtje të banesave të tyre, në mbrojtje të ligjit dhe të kushtetutës.

Falë kësaj qëndrese sot është arritur një fitore tjetër.

Ishte planifikuar që tenderi t’i jepej me vlerën e plotë, për të zëvendësuar kompaninë e kapur në flagrancë nga denoncimi i opozitës dhe denoncimet e medias, një kompanie tjetër, me 5 mln euro më tepër ofertë se oferta më e ulët. Falë qëndresës së qytetarëve të Unazës së Re, sot shqiptarëve u janë kursyer 5 milionë euro, të cilat Edi Rama kishte në plan t’i vidhte e t’i çonte në parajsa fiskale.

Ka ndodhur kjo vetëm për shkak të qëndresës, vetëm për shkak të protestës së pandërprerë këto banesa janë akoma në këmbë. Vetëm për shkak të qëndresës, e ardhmja e këtyre fëmijëve nuk është rrënuar nga buldozerët e krimit dhe të korrupsionit. Dhe për shkak të kësaj qëndrese, ka përfituar çdo shqiptar, sepse deri më sot, frika që e ka kapur Edi Ramën e detyroi të tërhiqet edhe nga tenderi i dytë korruptiv për Unazën.

Por sot ëshë dita të kujtojmë se akoma asnjë person i vetëm nuk ka marrë përgjegjësitë ligjore dhe penale për këtë aferë korruptive, e cila është shpalosur para syve të të gjithë botës me çmimin 20 milionë euro për kilometër dhe me zhvendosjen korruptive të Lumit të Lanës për projektin 60 milionë euro të pastrimit të parave të drogës trafikantit, mikut të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Taulant Ballës. Asnjë përgjegjës sepse shteti ka rënë, drejtësia është kapur dhe qeveria dhe Edi Rama kanë braktisur detyrën, kanë braktisur qytetarët, i kanë lënë në mëshirë të fatit, i dhunojnë, i tallin, i përbuzin.

Në këtë situate të rëndë, opozita e ka kryer detyrën e saj dhe i ka dalë borxh duke shterruar çdo hapësirë institucionale dhe politike.

Sot jam këtu për t’u bërë thirrje gjithë qytetarëve të Tiranës, se ndërkohë që ne ndodhemi këtu, në Këshillin Bashkiak Erion Veliaj po kalon dy akte të tjera të rënda korruptive: një akt korruptiv për të shembur një pjesë të Policisë Bashkiake dhe për t’ia dhënë për ndërtim një kompanie të akuzuar për lidhje me pushtetarët dhe pastrimin e parave të drogës dhe një tjetër akt korruptiv, për dhënien me koncesion të parkimeve në qytetin e Tiranës.

E gjitha kjo, qytetarë të Tiranës bëhet që t’ju zhvasin ju, t’ju zhvasin ju dhe të zhvasin të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë përmes një skeme totalisht korruptive. Kjo bëhet në kurriz tuaj, ndaj ju bëj thirrje të ngriheni të protestoni për xhepat tuaj, për të ardhurat tuaja, për të ardhmen tuaj dhe për fëmijët tuaj.

Protestoni këtu, tek Astir-i, protestoni tek Bulevardi i Ri, protestoni në Shkozë dhe bashkohuni masivisht me datë 16 shkurt, ku siç e tha artisti i jashtëzakonshëm, që ndodhet natë për natë këtu dhe nuk e ndalon dot as terrori i drejtuesve, që i paralajmëroj sot se do të japin shumë shpejt llogari,”t’i japim një grusht këtij mali të korrupsionit, të vjedhjes, nëpërkëmbjes dhe poshtërimit, t’i jap një grusht mu në zemër pushtetit korruptiv të Edi Ramës dhe ta shtrijmë përdhe. Ju keni të drejtën, ju keni forcën, ju keni kurajon, jepjani dorën njëri-tjetrit, jepjani besën njëri-tjetrit, t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve më 16 shkurt, të gjithë së bashku dhe të ndalim qeverinë më të korruptuar dhe të inkriminuar në këto 29 vite pluralizëm. Të ndalim këtë bandë hajdutësh. Nuk ka forcë tjetër që mund ta ndalë përveç qytetarëve të bashkuar.

Nuk ka shembull më inkurajues sesa ky i Unazës së re, ndaj këtu, nga ky shesh i qëndresës, sot, në këtë ditë të 89-të, i bëj thirrje gjithë qytetarëve të Tiranës të bëhen bashkë, të jemi bashkë si një familje e madhe, dhe të marrim fatin tonë, fatin e familjeve tuaja, fatin e qytetit tonë në duart tona, më 16 shkurt.

Prokuroria, që fle gjumë mbi dosjet e krimit, duhet të nisë sot hetimin, edhe për shumat e mëdha të parave të krimit, që sipas burimeve të sigurta mediatike, Erion Veliaj do të shpenzojë për të blerë vota në Këshillin Bashkiak për të vjedhur pasuritë e qytetarëve shqiptarë, për të vjedhur pasuritë publike të Tiranës, dhe për të dhënë të tjera skema korruptive siç është zhvendosja e Lumit të Lanës, e tani me Policinë Bashkiake.

Por i garantoj, as infiltrimi i sistemit të drejtësisë me bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, as shantazhimi i organeve të reja të drejtësisë nuk ka për t’i shpëtuar. Këta njerëz, që janë bërë urë dhe mburojë për Edi Ramën, Erion Veliajn dhe politikanë të tjerë të korruptuar e të lidhur me krimin, do të ikin me turp, do të ikin me vrap nga bashkimi dhe mllefi popullor i 16 shkurtit.

Drejtësia do të pastrohet dhe rinia e Astirit – mbani vesh – as Edi Rama, as Erion Veliaj nuk kanë për të shkuar në asnjë vend tjetër, përveçse në burgun 313, aty ku çuan me të padrejtë fëmijë 13 vjeçarë dhe nëna shtatzëna, sepse mbronin pragun e shtëpive të tyre.

Nuk do t’i lejojmë të arratisen nga Shqipëria, por do të japin përgjegjësi para drejtësisë.

Kjo është rruga evropiane, ky është modeli evropian. Ju ftoj t’I jepni jetë më 16 shkurt në protestën më të madhe popullore që ka njohur Shqipëria.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

Pyetje: Zoti Basha, si i komentoni ju hetimet që ka nisur prokuroria në lidhje me përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës?

Basha: Farsë totale. Prokuroria duhet të çojë në burg politikanët e kapur në flagrancë, duke blerë e shitur vota. Prokuroria duhet t’i jepte fund po të kishim prokurori, rënies së rendit kushtetues, rënies së parlamentit në duart e krimit. Me aktin e sotëm ku ajo shqetësohet për nxjerrjen e sekretit nga Zëri i Amerikës, prokuroria meriton grushtin më të fuqishëm me 16 shkurt, njësoj si Edi Rama dhe Erion Veliaj.